Interesi i Amerikës në fitoren e Ukrainës

Interesi i Amerikës në fitoren e Ukrainës

Nga Andrew A. Michta - 21/04/2022

Më 8 prill, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen deklaroi gjatë një vizite në Kiev se “Ukraina i përket familjes evropiane”, duke ofruar anëtarësimin e përshpejtuar për Ukrainën. Kjo kthesë dramatike 180-gradëshe ishte e krahasueshme me hedhjen poshtë nga ana e kancelarit gjerman Olaf Scholz të tri dekadave të fundit të marrëdhënieve me Rusinë, gjatë fjalimit të 27 shkurtit në Bundestag.

Ndërkaq, të tjerë në Evropë, sidomos Polonia, Rumania dhe vendet baltike, kanë qenë të pandashëm në përpjekjet e tyre për të furnizuar Ukrainën me armë nga të tyret apo nga të aleatëve të tjerë në NATO. Më e rëndësishmja, ndihma e SHBA për Ukrainën është rritur. Për herë të parë në tri dekada, NATO po flet me një zë në përgjigje të kërcënimit rus. 

Ky ri-rreshtim paraqet një rast historik për të ribërë peizazhin e sigurisë në Evropë. Disfata e ushtrisë së Vladimir Putinit nga Ukraina do të ripërcaktonte gjeopolitikën e Evropës lindore, duke i dhënë fundit statusit të rajonit si një zonë përplasjesh e fuqive të mëdha. Historikisht, kjo bishtësi e vjetër ka bërë që Gjermania e Rusia të konkurronin për dominim të këtij rajoni, duke shtyrë kontinentin drejt dy luftërave shkatërruese botërore. Nëse synimeve neo-imperiale të Rusisë sot nuk iu tregohet veni, ato mund të zgjerohen në konfrontim global. Aleanca ruso-kineze tashmë e ka vënë tashmë Amerikën në dy fronte krizash, në Evropë dhe Indo-Paqësor, në një kohë kur forcat tona të armatosura nuk janë gati të luftojnë në dy teatro madhorë njëherazi. 

Ndryshimi dramatik në marrëdhëniet e Evropës me Ukrainën i detyrohen krejtësisht rezistencës së pashoqe të atij vendi kundër Rusisë dhe vendimit të SHBA e demokracive aleate për të mbështetur Ukrainën me armët që i nevojiten. Tani, teksa ushtria ruse rigrupohet për ofensivën vendimtare në lindje dhe jug të Ukrainës, vendimi i Putinit për të përshkallëzuar luftën – e sidomos urdhrat e tij për bombardimin pa dallim të qyteteve ukrainase – ka ndryshuar dinamikën e fushëbetejës. Deri tani, Perëndimi e ka furnizuar Ukrainën me armët e nevojshme për të frenuar sulmin rus. Por raketat manuale anti-tank e anti-ajrore nuk mjaftojnë për t’u mundësuar forcave ukrainase të nisin kundërofensivën  për të çliruar territorin e vendit. 

Megjithatë, nëse pajiset plotësisht me artileri të rëndë, sisteme mbrojtëse anti-ajrore e anti-raketë, dhe tanke, Ukraina i ka mundësitë të kundërpërgjigjet për të zmbrapsur invazionin. Në këtë përballje ushtarake, ndërsa burimet njerëzore favorizojnë Rusinë në letër, trupat ukrainase kanë treguar se janë më të motivuar dhe më efektivë në fushën e betejës. Ndihma nga SHBA dhe aleatët deri tan i ka kompensuar mjaftueshëm mangësitë ekonomike dhe në pajisje të Ukrainës.

Faktori më i rëndësishëm, megjithatë, ka qenë llogaritja e keqe nga ana e Putinit e fuqisë relative të Rusisë dhe Ukrainës. Për shkak të dështimit madhor të inteligjencës apo nisur nga vetë dëshirat e Putinit, ai e ka lexuar keq situatën politike në Ukrainë. Ai gjykoi keq si aftësitë e ushtrisë së tij ashtu edhe cilësitë udhëheqëse të oficerëve, si dhe mbivlerësoi shumë efektivitetin e armëve ruse. Për Putinin, performanca e dobët ushtarake e Rusisë dhe humbjet që ka pësuar duhet të jenë aspekti më poshtërues i kësaj lufte. Ushtria aq e lavdëruar ruse ka treguar paaftësi efektive, logjistika është përtokë, shpirti luftarak nuk ekziston dhe oficerët nuk janë në gjendje të inspirojnë dhe udhëheqin. Pasi ka angazhuar rreth 80% të forcave të gatshme dhe me rreth çerekun e kësaj force tashmë të shkatërruar, Putin përballet me një rezultat që pak muaj më parë dukej i paimagjinueshëm: disfatën e forcës së tij nga ushtria ukrainase. 

Nëse ushtria ukrainase – e pajisur siç duhet me armët e nevojshme – mposht ushtrinë ruse dhe çliron territorin kombëtar, ajo d ta ketë nulifikuar efektivisht gambitin Putin–Xi, duke i dhënë fund kërcënimit njëherazi në dy fronte për SHBA dhe aleatët e saj. Ata në Washington që vazhdojnë të argumentojnë se lufta në Evropë është shpërqendrim nga kërcënimi i vërtetë në Azi duhet ta kuptojnë se disfata e ushtrisë ruse në Ukrainë do ta çlironte SHBA për t’u përqendruar në Indo-Paqësor, në procesin e solidifikimit të NATO-s dhe për riarmatosjen reale të Evropës. 

Ata që besojnë se SHBA dhe aleatët e saj duhet të sigurohen vetëm që Ukraina “të qëndrojë në luftë” duhet të kuptojnë se një tjetër ngërç si ai që mbizotëroi në Ukrainën lindore që më 2014 ka pak gjasa të ndodhë. Nëse Putin ia del të ndajë Donbasin nga Ukraina dhe të krijojë një korridor tokësor deri në Krime, shteti ukrainas nuk do të ketë industri e do të bëhet një tjetër Moldavi, në një shkallë më të madhe. Udhëheqja ukrainase e di këtë. Ndaj edhe reflektimet e mëdha strategjike për “ngrirjen e luftës” që ekzistojnë në kryeqytetet evropiane dhe disa qarqe në Washington janë shumë larg realiteti.  

Sot SHBA dhe aleatët e saj përballen me një zgjedhje: pranoni ngërçin e situatës dhe bëni të mundur që Putin, sapo të rimbledhë forcat, të sulmojë sërish (këtë herë me rrezik më të madh përshkallëzimi në territorin e NATO-s); ose furnizoni Ukrainën me atë çka i duhet sot për të mposhtur ushtrinë e Putinit e për të transformuar ekuacionin e sigurisë rajonale. Vetëm kur Rusia të jetë nxjerrë jashtë Evropës lindore rajoni to të ketë mundësinë të lidhet me Perëndimin, duke lënë pas trashëgiminë e zonës së përplasjes së interesave në Evropë. Më e rëndësishmja, në këtë moment ndryshimesh historike për shpërndarjen globale të fuqisë, fitorja e Ukrainës kundër Rusisë do të sillte paqe afatgjatë në Evropë e bashkë me të edhe ndryshime thelbësore në ekuacionin e sigurisë në Azi.

* Andrew A. Michta është Dekan i Kolegjit të Studimeve Ndërkombëtare e të Sigurisë në Qendrën Evropiane për Studime Sigurie “George C. Marshall” në Garmisch, Gjermani. Ai është edhe ish-Profesor i Çështjeve të Sigurisë Kombëtare në Kolegjin Amerikan të Luftërave Detare dhe në Qendrën për Analiza Politike Evropiane në Washington.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco