Një President për Edi Ramën

Një President për Edi Ramën

Nga Agim Nesho - 21/04/2022

Zgjedhja e Presidentit të Republikës është kthyer në një ngjarje të madhe nga makineria e propagandës së zotit Rama, sa për të kujtuar se Shqipëria akoma merr frymë në një sistem politik që quhet demokraci nga definicioni.

Anarkisti i palodhur, që shkatërroi Partinë si institucion duke hequr të gjithë kundërshtarët e tij të ideve ‘se kështu dua unë’, lideri që për një dekadë nuk pranoi zgjedhjet dhe konkurrimin brenda partisë, Kryeministri që kapi shtetin dhe zhbalancoi pushtetet demokratike, autokrati që personalizoi pushtetin dhe vendos i vetëm, së fundmi vendosi që zgjedhja  e Presidentit të Republikës të jetë një proces i hapur vendim-marrjeje, ku politika, shoqëria civile, opozita do të sugjeronin dhe ai për përgjegjësinë që ndjen ndaj popullit dhe shtetit do të vendosë për atë që duhet. Për më tepër që Presidenti i ri ‘duhet të jetë një njeri normal pas tragjedisë që i ndodhi vendit me Presidentin Meta’.

Identikiti i Presidentit të ri është shumë i qartë dhe i vizatuar në mendjen e tij, ashtu siç është vizioni i tij përjetësor se çfarë i duhet Shqipërisë: një president i qetë dhe modest, që të noterizojë vendimet e Tij me entuziazëm dhe jo si Presidenti Meta që i kthen në Parlament mbi 60 ligje, një person që duhet t’i jetë atij mirënjohës përjetë që e nxori në dritë dhe e vuri President.

Një president që të mos fusë hundët në talentin e tij për të krijuar qeveri kopshtare dhe pa identitet; një president që të mos guxojë të diskutojë veprimet e Politikës së Jashtme, të vërë në dyshim aktet e tij për ndarjen e kufirit detar, politikave të tij gjeniale si Ballkani i Hapur, zero probleme me fqinjët, etj., etj.

Një president që të mos bëhet protagonist për interesat kombëtare dhe të mos bëhet xheloz për miqësinë e tij të ngushtë me Vuçiç. Një president që të kuptojë që në ajër vizionin e tij dhe të vihet në rreshtin e gjatë të të punësuarve të tij; një president që të jetë i gatshëm të japë dorëheqjen menjëherë në qoftë se interesat e vendit kërkojnë rikthimin e monarkisë.

Së fundmi por jo pa rëndësi, Presidenti i ardhshëm të mos japë dekorata pa leje nga zyra Kryeministrore për të rritur popullaritetin e tij.

Ky është identikiti. Ju propozoni se në demokraci jemi, por unë do vendos për të mirën e Shqipërisë.

Për udhëheqësin Rama nuk ka shumë rëndësi nëse kemi apo jo President. Vendi është në duar të sigurta.

Mirë se vini në Karnavalet e Surrelit, bëhuni pjesë e shfaqjes!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco