Pse s'po shkohet n'shkollë?!

Pse s'po shkohet n'shkollë?!

Nga Jusuf Thaçi - 19/04/2022

Përtej diskutimit a është mirë apo jo organizimi i protestave të tilla si e sotmja nga ana e nxënësve në Kosovë, një gjë mund të thuhet me siguri:

Slogani qendror i protestës "S'po shkohet n'shkollë" është alarm i vërtetë, nga i cili duhet të zgjohen qeveria, ministria, drejtoritë komunale të arsimit dhe shkollat. I njëjti alarm duhet t'na zgjojë edhe ne prindërve e gjithë shoqërinë.

Sot në Kosovë, ambienti jashtë-shkollor (në familje e kudo tjetër jashtë shkollës) është shumë më i pasur me burime të dijes e të informacionit, më multi-dimensional, me teknologji e i digjitalizuar, më atraktiv e më argëtues se sa ambienti shkollor, sa që shkolla, fatkeqësisht, është shndërruar në një detyrim të mërzitshëm e dënues për nxënësit. Prandaj, normal që s'po shkohet n'shkollë. Për këtë nuk është vetëm një fajtor, por shumë.
 
Në mbështetje të sloganit të protestës ishte edhe parulla simbolike "Ja keni QR arsimit". Kjo parullë e koduar është mesazh i digital-natives, mesazh të cilin shumëkush nga politikëbërësit e fushës së arsimit në Kosovë, të të gjitha niveleve, por edhe nga ne gjeneratat primitive (krahasuar me digital-natives), as që arrijmë ta kuptojmë lëre më ta adresojmë. 

Digjitalizimi i arsimit me gjithë të mirat e pasojat që tërheqë me vete duhet të jetë krye-prioritet i Kosovës. Veç kësaj, shkolla duhet të bëhet ambient i pasur e shumë-dimensional, me teknologji e digjitalizim, atraktiv e argëtues, në të kundërtën normal që s'shkohet n'shkollë!

Dhe para se t'i fajësojmë nxënësit për këtë, fillimisht duhet t'ia shtrojmë pyetjen vetes: vërtet pse nxënësve nuk po iu shkohet n'shkollë?!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco