Lufta në Ukrainë po ribën aleancën e NATO-s

Lufta në Ukrainë po ribën aleancën e NATO-s

Nga Andrew A. Michta - 06/04/2022

Vizita e Presidentit Joe Biden në Poloni më 25 mars, menjëherë pas samitit të NATO-s dhe G-7 në Bruksel, ka dërguar një mesazh të qartë se SHBA po rishqyrton parimet bazë të strategjisë së saj të dekadës së fundit, me Azinë në qendër.

Vizita, dhe veçanërisht fjalimi që presidenti mbajti në Kështjellën Mbretërore në Varshavë të nesërmen, ka riangazhuar SHBA në Evropë e NATO, duke konfirmuar fuqishëm se Neni 5 i Traktatit të Washingtonit mbetet një “detyrim i shenjtë” dhe se Amerika dhe aleatët e saj do të mbrojnë “çdo centimetër të territorit të NATO-s me të gjithë forcën e fuqisë sonë kolektive”.

Ndryshimet në qëndrimin e SHBA në Evropë, me dislokimin e trupave dhe pajisjeve shtesë përgjatë frontit lindor të NATO-s për të fuqizuar aftësitë e SHBA, u kanë dhënë substancë deklaratave të presidentit. Më e rëndësishmja, me këmbënguljen e SHBA por edhe me vendime apostafat nga qeveritë evropiane, NATO ka nisur procesin e ripërqendrimit mbi misionin bazë të mbrojtjes kolektive, duke lënë pas ndjekjen e mandatit “jashtë zone” të pas Luftës së Ftohtë.

Një aleancë e ndryshuar për shkak të agresionit rus

Me vajtjen në Poloni vetëm dy javë pas vizitës së zëvendëspresidentes, Biden sinjalizoi edhe se si pasojë e tërmetit politik të shkaktuar nga invazioni i Ukrainës, Polonia është sot – dhe do të jetë për vitet në vazhdim – ajo që ishte Gjermania Perëndimore gjatë Luftës së Ftohtë: shteti kyç kufitar i NATO-s, e kësisoj një aleat strategjik i SHBA. Ky realitet gjeopolitik tashmë e ka zhvendosur dinamikën e brendshme politike në NATO, duke i dhënë Polonisë, shteteve baltike Evropës Qendrorë një zë më të madh në aleancë dhe një mundësi të re për të formuar strategjinë e përgjithshme për të ardhmen.

Për Amerikën, invazioni rus kundër Ukrainës dhe rreziku i përshkallëzimit në territorin e NATO-s u jep rëndësi parësore forcimit të mbrojtjes kombëtare. Ky ndryshim ndikon te anëtarët e NATO-s, përshirë SHBA. Pas dy dekadash operacione anti-terroriste, që e çuan Amerikën në qorrsokakë të ndryshëm “shtetformimi”, fokusi është kthyer aty ku duhej të kishte qenë gjatë gjithë kohës, te kërcënimi i paraqitur nga Rusia e Kina. Ndaj sot jemi në një moment unik mundësie për ta rikthyer NATO-n te misioni i saj bazë dhe të fuqizojmë solidaritetin e aleancës.

Polonia udhëheq

Polonia ka udhëhequr këto përpjekje prej disa vitesh tashmë, duke investuar për zgjerimin e ushtrisë që nga lufta e Putinit më 2008 kundër Gjeorgjisë e më pas aneksimi i Krimesë më 2014. Më 2018, Polonia nënshkroi një kontratë për blerjen e sistemit të rangut të mesëm Patriot që përdoret aktualisht nga ushtria amerikane, që pritet të vendoset në funksionim këtë vit ose tjetrin. Më 2019, Varshava firmosi marrëveshjen për blerjen Sistemit të Raketave të Artilerisë së Lëvizshmërisë së Lartë (HIMARS) nga SHBA për 414 milion dollarë. Njësitë e parë HIMARS të Polonisë do të kenë 18 hedhës në gatishmëri luftarake dhe dy hedhës për stërvitje. Më 2020, Polonia firmosi një kontratë me vlerë 4.6 miliard dollarë për blerjen e 32 avionëve luftarakë F-35A Lightning II nga SHBA. Në shkurt të këtij viti, Departamenti i Shtretit miratoi shitjen me vlerë 6 miliard dollarë të 250 tankeve M1A2 Abrams SEPv3; kontrata pritet të finalizohet këto ditë. Blerja me shumicë e sistemeve të armatimit nga ana e Polonisë ka dy përfitime kyç: (1) rrit ndërveprimin midis forcave amerikane e polake, dhe (2) i afron më tepër strategjikisht dy vendet brenda NATO-s.

Po aq i rëndësishëm është angazhimi i qeverisë polake për forcimin e personelit ushtarak në 300 mijë trupa, 250 mijë forca të rregullta dhe 50 mijë në forcën e mbrojtjes territoriale (WOT), themeluar më 2017. E fundit, por jo më e parëndësishmja, pas invazionit rus, Varshava njoftoi edhe se do të rriste shpenzimet për mbrojtjen në 3% të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto (GDP). Ky vendim e bën Poloninbë shpenzuesin e tretë më të madh për mbrojtjen në NATO. Sipas vlerësimeve më 2021, shpenzuesi më i madh ishte Greqia, me 3.82% të GDP, SHBA me 3.52% dhe Kroacia me 2.79%, ndërsa shifra e Polonisë më 2021 ishte 2.1% e GDP të saj. Po ashtu, Polonia udhëheq edhe ndihmën perëndimore për Ukrainën dhe, deri në momentin e këtij shkrimi, ka pranuar mbi 2.3 milion refugjatë ukrainas.

Përballimi i sfidave të një bote ndryshe

Konsensusi aktual në Perëndim për rikthimin e NATO-s në detyrat e saj mbrojtëse bazë i detyrohet po aq arsenalit të modernizuar dhe të zgjeruar nuklear të Rusisë sa edhe bazës së madhe prodhuese të Kinës dhe grumbullimit të kapitaleve nga ana e saj përmes vjedhjes tregtare prej katër dekadash. Secila më vete paraqet një sfidë serioze; nëse bashkohen plotësisht, kërcënimi kino-rus mund të bëhet madhor. Ndaj sot NATO e sheh veten në një moment kur veprimet reale – jo deklaratat – kanë më tepër rëndësi.

Predikamenti aktual i NATO-s kur bëhet fjalë për mbrojtjen kolektive ka qenë një plagë e shkaktuar vetes. Ai rezultoi nga më tepër se njëzet vjet mbështetjeje në fuqinë ushtarake të Amerikës, bashkuar me vendimin e Evropës – sidomos të Gjermanisë – për t’u çarmatosur efektivisht e për t’u strehuar nën ombrellën e SHBA. Sot niveli i pajisjes së ushtrisë gjermane është reduktuar me 90% krahasuar me kohën e përfundimit të Luftës së Ftohtë. Personeli është reduktuar me dy të tretat.

Po ashtu, ushtria britanike është shumë e vogël dhe, ndërsa ushtria franceze mbetet serioze në mbajtjen e aftësive të mjaftueshme ushtarake, ajo është e fokusuar operacionalisht drejt jugut, nga Mesdheu. Mund të vazhdojmë pa fund, por mjafton të themi se sot në aleancë vetëm SHBA, Franca, Polonia e në një shkallë më të vogël edhe Rumania kanë aftësinë e përgjigjes së menjëhershme në rast se Putin vendos të kapërcejë gardhin e të hyjë në territorin e NATO-s.

Tri dekada çarmatim të NATO-s shkuan krah përkrah me ideologjinë vetëlavdëruese dhe gjykimin e dobët, me emocione në vend të llogaritjeve të arsyeshme të përparësive kombëtare në linjë me investimin e parave dhe forcave për çuarjen para të strategjisë. Gjatë 20 viteve të fundit, NATO është bërë një guaskë bosh kur bëhet fjalë për mbrojtjen kolektive, më tepër si një konferencë për rrahje mendimesh se sa aleanca dikur e përkryer që u përball me Traktatin e Varshavës dhe hodhi bazat për fitoren përfundimtare të Perëndimit kundër Bashkimit Sovjetik.

Rikthim në parimet bazë

Invazioni rus në Ukrainë iu kujtoi demokracive perëndimore se duhet të kthehen në themelet e artit shtetëror që duket se është harruar në pjesën më të madhe të Evropës. Mbrojtja kombëtare dhe siguria kombëtare janë funksionet kryesore të shtetit, të cilat kalojnë për nga rëndësia ekonominë, mjedisin apo konsideratat ideologjike, pasi pa mbrojtjen e mjaftueshme asnjë vend nuk mbetet sovran për të ecur në kursin e tij politik dhe ekonomik. Vërshimi i refugjatëve ukrainas vazhdon t’i kujtojë Evropës  se nëse vendet e saj nuk janë të fortë sa duhet për të përballur Rusinë dhe, po ta kërkojë nevoja, për t’iu përgjigjur një sulmi të armatosur, mjerimi dhe tragjedia njerëzore do t’u vijnë në pragjet e tyre. Rezistenca e fortë e Ukrainës i ka bërë aleatët të kujtojnë edhe një mësim të harruar se kur shpërthen lufta ndalimi luftimeve përmes një kompromisi të nxituar nuk i afrohet për nga rëndësia ndalimit të pushtuesit dhe fitores. U desh një luftë madhore në Evropë, po më mirë mënyra se si kombi ukrainas iu përgjigje thirrjes për luftë, për t’u kujtuar për ato parimet kryesore shtetërore dhe sigurinë kombëtare.

Në vitet e ardhshëm, ndërtimi i aftësive reale militare të NATO-s do të jetë testi bazë i lidershipit në Evropë. Do të duhet e pakta një dekadë për NATO-n evropiane që të riarmatoset. Në të njëjtën kohë, faza vendimtare e garës për pushtet me Rusinë dhe Kinë duket se do të luhet në pesë vitet e ardhshëm, ndoshta dy apo tre. Kjo do të thotë se SHBA duhet të kryejë një funksion ure kritik kur bëhet fjalë për mbrojtjen përgjatë kufirit lindor të NATO-s.

Situata është edhe më e komplikuar nga fakti që edhe nëse evropianët e mbajnë premtimin e shpenzimeve për mbrojtjen (Gjermania premtoi të shtonte 100 miliard euro në buxhetin për mbrojtjen), industria ushtarake e Evropës nuk e ka kapacitetin për ta rritur me shpejtësi prodhimin. Ndaj veprimi më i mirë do të ishte që aleatët tanë kryesorë evropianë, sidomos Gjermania, të ndiqnin shembullin e Polonisë, pra të blinin pajisje amerikane, duke forcuar kështu ndërveprimin e duke fuqizuar lidhjen strategjike përmes Atlantikut.

* Andrew A. Michta është Dekan i Kolegjit të Studimeve Ndërkombëtare e të Sigurisë në Qendrën Evropiane për Studime Sigurie “George C. Marshall” në Garmisch, Gjermani. Ai është edhe ish-Profesor i Çështjeve të Sigurisë Kombëtare në Kolegjin Amerikan të Luftërave Detare dhe në Qendrën për Analiza Politike Evropiane në Washington.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco