KEK dhe punësimet politike

KEK dhe punësimet politike

Nga Bajram Mjeku - 05/04/2022


Banorët e Komunës së Obiliqit dhe të Fushë-Kosovës, të cilët deri në vitin 1994 ishin nën administrimin e Komunës së Prishtinës, që nga viti 1961, kur një kompani italiane filloi punimet për ngritjen e Termocentralit Kosova A, i janë ekspozuar eksproprijimit të vrazhdë të tokave bujqësore, pastaj mungesës së ujit të pijshëm, pasi bazenet e qymyrit në Mihjen Sipërfaqësore të Bardhit dhe në atë të Mirashit i shterën puset e fshatrave përreth.

Në veçanti tash gjashtëdhjetë vjet, banorët e këtushëm i janë ekspozuar ajrit të ndotur e kancerogjen, nga i cili gjetën vdekjen dhjetëra banorë të kësaj ane, përfshirë këtu edhe babain tim të ndjerë…

Sebep për t’i shkruar këta rreshta u bën mediat tona, të cilat vërshuan dje me lajme për punësime politike në Korporatën Energjetike të Kosovës. Këtë shkrim nuk e bëra me qëllim të goditjes së partive politike për punësimin e militantëve të tyre dhe as për të mohuar këtë fakt, por për të bërë një kronologji të shkurtër dhe për të tërhequr paralele nga ngritja e Termocentralit Kosova A e deri sot.

Gjatë regjimit të Jugosllavisë komuniste, eksproprijimi i pronave bujqësore është bërë në mënyrën më të vrazhdë, derisa kompensimi i tyre ka ndodhur në mënyrë simbolike, më saktë sa për të patur shteti një “argument” se kinse i ka kompensuar këto prona, ndërkohë që i vetmi burim ekzistencial i banorëve të kësaj ane ishte toka bujqësore.

Kjo situatë degraduese, ndryshoi paksa pas ndryshimeve kushtetuese në vitin 1974, më saktë kur KEK-u i sotëm, atëbotë quhej Elektroprivreda Srbije, ndërsa pas ndryshimeve kushtetuese, mori emër të ri me një akronim të gjatë; Kombinati Xehetaro-Energjetik Metalurgjik Kosova me akronimin KXEMK!

Si banorë i kësaj ane, megjithëse atëbotë fëmijë, më kujtohet kur gjatë fundviteve shtatëdhjetë nisën punimet për ngritjen e Termocentralit të ri Kosova B, për të përfunduar në vitin 1982. Atëbotë, një hektar tokë e eksproprijuar nga shteti kompensohej aq sa kushtonte një traktor i ri.

Derisa banorët e kësaj ane pasuroheshin me traktorë fringo të rinj, ata varfëroheshin nga viti në vit nga ekproprijimi i tokave të tyre!

Përkundër degradimeve e dëmtimeve të banorëve të kësaj ane, megjithatë regjimi i atëhershëm është kujdesur për një segment.

Si “kompensim” të pronave bujqësore, familjeve të dëmtuara u jipte përparësi të theksuar në punësim, të cilat përmes punësimeve në Kombinatin energjetik, siguronin ekzistencën e tyre.

Atëbotë, falë intelektualëve shqiptarë të kohës, u hap edhe Shkolla e Mesme Teknike në Obiliq dhe nga kjo shkollë dilnin kuadro të përgatitura eksluzivisht për Kombinatin energjetik, ku shkolloheshin kryesisht banorët e kësaj ane, të cilët sapo mbaronin shkollimin, e kishin të sigurt edhe punësimin në gjigantin energjetik.

Mbas përfundit të luftës së fundit në Kosovë, gjendja “demografike” në Korporatën Energjetike të Kosovës ndryshoi sërish në dëm të banorëve të kësaj ane.

Përparësia për punësim të banorëve të kësaj ane u zhbë sikur të mos ekzistonte kurrë dhe punësimet e reja ndodhën nga njerëz pa njohuri elementare të profesionit, që vinin nga vise tjera të Kosovës dhe tymtarët e termocentraleve i kishin parë vetëm përmes ekranit televiziv.

Qeveria e Kosovës, duhet t’i kushtojë kujdes banorëve të kësaj ane dhe ndihma më e madhe për ata, është përparësia në punësim.

Atyre jo vetëm që u është ekproprijuar toka bujqësore, u është dëmtuar ajri dhe u janë shterur puset, por u është privuar edhe e drejta elementare për të jetuar dhe një vend pune për familjet e kësaj ane do të thotë ekzistencë.
 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco