Albini po i zhgënjen edhe militantët, të tjerët i ka zhgënjyer tashmë

Albini po i zhgënjen edhe militantët, të tjerët i ka zhgënjyer tashmë

Nga Syri.net Kosova - 18/03/2022

Mosvotimi i Kodit Civil që legalizon martesat mes së njëjtës gjini, ka nxitur reagime edhe nga përkrahës të flaktë të Lëvizjes Vetëvendosje. Nxitimi për t’i dalë në krye një teme të tillë pak të hershme për Kosovën, e ka shtuar edhe një minus të radhës për pushtetin masiv të Albin Kurtit.

Mes rrymave të forta ideologjike, që kanë ndikim në partinë e tij, të shtysh përpara një vendim kaq të guximshëm, duket një farë aventure politike në këtë kohë krizash, kur prioritetet duhet të jenë krejtësisht të tjera.

Pushteti nuk po arrin ta bëjë dallimin mes respektimit të komunitetit LGTBI dhe hapit serioz që mund ta trondisë institucionin tradicional të martesës, siç është i legalizuar në Kosovë.

Sidoqoftë, zhgënjimet e militantëve në këtë rast, nuk kanë peshë më të madhe sesa në plot raste të tjera, për të cilat po vajtojnë çdo ditë në rrjetet sociale e në media.

Zhgënjimi me qeverisjen e Kurtit, ka kaluar në një nivel edhe më shqetësues. Një vit u ka mjaftuar të zhgënjehen votuesve pa parti, që janë shumica, pra nuk përfaqësojnë militantizmin, por thjesht verdiktin e pavarur qytetar dhe besimin te një subjekt e lider që u ngjall shpresë.

Pakënaqësitë tashmë po ndihen në mesin e atyre që përbëjnë “palcën” e Lëvizjes. Të gjendur para vendimeve skandaloze, nuk mund të heshtin më tutje.

Si është e mundshme, që njerëzit të cilët deri dje ua shanin liderin, sot po shpërblehen nga Vetëvendosje? Raste ka vazhdimisht. Shikoni personat që po zgjedhen, emërohen, në institucione, kompani publike e agjenci të ndryshme, ambasada apo konsullata.

Në shumicën e ministrive, drejtuesit politikë të LVV-së, përpiqen të shtyjnë përpara politikat e qeverisë Kurti, me funksionarët e partive të tjera që janë në opozitë.

Dikush mund të thotë, është ende herët. Me këtë logjikë, për këta pushtetarë të sotëm, herët do të jetë edhe pas katër vjetësh.

Nuk mund ta vlerësosh gjithçka zi në të kaluarën, ndërsa i tërë pushteti të funksionon më struktura të qeverive të mëhershme.  Kur do të justifikohesh vajton, e kur është puna për të bërë ndryshime, heziton.

Qeverisja e Kurtit, për fat të keq me këtë trend, mund të jetë edhe një histori dështimi, që dallon nga dështimet e mëparshme.

Kësaj here pritjet ishin vërtet të mëdha, ashtu siç qe mbështetja popullore.

Disa aksione policore, arrestime, shkarkime, përkohësisht ta krijojnë idenë se kjo është qeveria që donim. Por, e vërteta, është tjetër përtej spektaklit policor që dhuron herë pas here Xhelal Sveçla.

Mbi 100 mijë kosovarë presin të marrin një vizë pune në ambasadën gjermane e mijëra të tjerë, shohin mundësi të tjera që të emigrojnë.

Pushteti i Albin Kurtit, brenda një viti, jo vetëm që nuk ua ktheu shpresën njerëzve në këtë vend, por ua ka mbushur mendjen edhe atyre që mbaheshin pas një optimizmi të vogël, se këtu nuk kanë çfarë të presin më.

Kur i sheh të zgjedhur e e të emëruarit e pushtetit të Vetëvendosjes se si harmonizohen me ata që deri dje i quanin kriminelë, nuk ke se si mos të zhgënjehesh. Kjo është fotografia publike që e shohim përditë në sferën publike.

Hi syve nuk mund t’i hidhni popullit. Është vend i vogël Kosova e secili e njeh secilin.

Për fatin e mirë të Kurtit, opozita është nën presionin e penalizmit për abuzimet kur ishin në pushtet dhe ende nuk arrin të bëjë një reagim të fuqishëm. Përndryshe, një mandat i plotë, duket thuajse i pamundur tashmë. Dhe kjo jo për shkak të kodit civil.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco