Rrëfim në vetën e parë: Një përjetim ndryshe për 5, 6 dhe 7 marsin e Prekazit

Rrëfim në vetën e parë: Një përjetim ndryshe për 5, 6 dhe 7 marsin e Prekazit

Nga Astrit Veliqi - 07/03/2022

Ishte mëngjes i ftohtë, të gjithë ishim në gjumë. Nëna që zgjohej herët edhe për të kryer punët rreth shtëpisë, na trokiti në derë dhe e hapi atë me zërin e ngjizur: 'Zgjohuni! Jemi të rrethuar, policët serbë kanë filluar të futen në fshat'.

Pa një pa dy, jemi zgjuar, ashtu siç ishum veshur kemi dalë jashtë në oborr, ku në sokakun e lagjes, ishin tubuar të gjithë të rinjtë, por edhe ata më të vjetrit të cilët njëzëri kërkuan nga ne që të largohemi nga fshati. Ashtu u vendos, shpejt, rrufeshëm, të gjithë rinia e lagjes, ikëm rrugës tatëpjetë, e cila si mundësi për tërheqje kishte mbetur e vetmja për t'u larguar nga fshati.

Më kujtohet si sot ajo ditë e 5 marsit e vitit 1998, u nisëm me vrap rrugës e cila na shpinte drejt kodrave dhe maleve mbi fshatin e Polacit, e cila vazhdonte e gjarpëruar drejt fshatrave tjerë që ndërlidhën me rrezën e bjeshkës së 'Qyqavicës'.

Ishim rreth 30 persona kryesisht të rinj, por edhe të mitur, sikur isha vetë unë në atë kohë si 14 vjeçar. Pasi u ngjitëm rrugës dhe kaluam diku 30 minuta, u ndalëm pak dhe vrojtuam shtëpitë e fshatit, ku në rrugën kryesore e cila të shpinte drejt Prekazit të Poshtëm, i pamë edhe blindat dhe tanket e ushtrisë serbe veç lëviznin drejt fshatit. Ato si për çudi, nga larg dukeshin si një konvoj i organizuar që shkonin zinxhir njëra pas tjetrës.

E ne derisa vazhduam rrugën, nisën edhe gjëmimet e topave, rafalet, zhurmë e madhe e gjuajtjeve me artileri të rëndë, ku kishte nisur sulmi më i madh ndaj Jasharajve në Prekaz.

Ishte hera e parë që po përjetoja një lloj paniku dhe frike, zhurma bëhej aq e madhe sa dukej sikur po qahej toka dhe qielli bashkë.

E ne me kusheritë e lagjes, vazhduam rrugën edhe më tej, dhe kur mbërritëm në malet e 'Maskodrës', u ulëm pak për të pushuar.

Derisa po merrnim frymë pakëz me të lirë, gjëmimet e topave dhe rafalët nga me të ndryshmet nuk kishin të ndalur, derisa lart në qiell, u dëgjonte edhe zhurma e helikopterit i cili gjuante pandërprerë nga ajri ku cak ishte shtëpia e Adem Jasharit, për të cilën thonin se ishte komandant i UÇK-së, e unë me një rast e kisha parë me sytë e mi në lagjen tonë.

Ne u larguam ashtu, mes zhurmës e gjëmimeve dhe kaluam disa fshatra, ku u ndalëm në Dubovc, një fshat rrëzë bjeshkës së Qyqavicës por që i takonte komunës së Vushtrrisë.

Derisa në fshat kishim lënë prindërit, por edhe një pjesë e madhe e familjarëve, të cilët kishin arritur të largoheshin më vonë po atë mbrëmje me qasje nga më të ndryshmet.

E krejt në fund, ra edhe terri në tokë, derisa unë me shokun tim të fëmijërisë, Visarin, u vendosëm të dajët  e babait të tij, kurse të tjerët ishin gjendur ashtu sikur kishin mundur.

E derisa shikonim televizorin, informacionet ishin të pakta, thuhej se ishte sulmua familja e Adem Jasharit, por nuk dihet se si kishte përfunduar.

Ashtu mes frikës, dhe se çka po na priste të nesërmen, tentuam të marrim një sy gjumë, e sigurisht nga lodhja e madhe që kishim ecur tërë ditën, në rrugë e male të ndryshme, u zgjuam pasi zbardhi drita e parë e mëngjesit.

-------------------------

Ishte dita e dytë e luftës së përgjakshme, ku edhe pse nga larg, dëgjohej zhurma e granatimeve që bëhej mbi një lagje, ku kishte shumë fëmijë, gra e pleq, derisa Ademi, Hamza, e të tjerët kishin vendosur t’i rezistonin me të gjitha forcat një armiku gjakatar, sikur ishte pushtuesi serb.

Frika dhe paniku edhe pse ishim larg nga Prekazi, Polaci, Llausha, Klina, por edhe vetë Skenderaj, ku ishte në rrethim të plotë nga armiku serb, ndihej kudo, madje edhe në fshatrat rrëzë maleve të Qyqavicës.

Gjithçka ishte e turbullt, ata njerëz që takonim, dhe iknin nga ajo pjesë, ishin të tronditur, dhe pasi i pyetnim se çka po ndodhte, ata thonin se lufta ishte e përgjakshme, ngase Prekazi por edhe fshatrat përreth ishin futur në rrethim të paparë dhe askush nuk mund të depërtonte.

Madje një person që nuk ia mbaj emrin, e takuam diku në malet e fshatit Mikushnicë, me një automatik të shkurtër: Ne e pyetëm se ku po don me shku, mixhë? Ai tha se do të hyjë gjallë a vdekur në Prekaz, ngase jam betuar se do të shkojë për t’i ndihmuar Adem Jasharit.

E derisa edhe dita e dytë vazhdoi ashtu si i përhumbur, nuk e dinim se çka kishte ndodhur me prindërit, ngase ata pothuaj kishin vendosur të qëndronin në fshat, ku në vijë ajrore, larg luftës, ishin diku rreth 1 kilometër.

E edhe ata madje po e përjetonin tmerrin, ku kishte dy ditë që sulmi mbi Jasharajt nuk po ndalej.

Prandaj, derisa ishim në ditën e 6 marsit, në mes të frikës dhe asaj gjendje mjaft të vështirë, ku për herën e parë isha pa familjen time pranë, erdhi edhe mbrëmja, ku derisa shikoja pamjet e Prekazit në ekranin e televizorit, sikur më dukej se ishin e ndonjë filmi me luftë e jo që po ndodhnin në realitet.

Gjithçka më dukej si në mjegull, dhe para syve më dilnin fytyrat e fëmijëve të familjes Jashari, ku edhe një pjesë të tyre kisha pas rastin t’i njihja e t’i takoja personalisht.

Sikur në mbamendje më sillej pyetja, a thua nga ato gjitha gjëmime e granatime topash, a kishte shpëtuar ndokush gjallë?

Ashtu mes kujtimeve dhe pritjeve, me Visarin na treguan se ishte koha për të shkuar për të fjetur.

-------------------------------

Të nesërmen, zbardhi dita dhe u zgjuam, dolëm në oborrin e asaj shtëpie, vinin informacione nga më të ndryshmet, ku thuhej se familjen Jashari të gjithë i kishin vrarë, e kishte edhe të atillë që thonin se një pjesë e tyre kishin qarë rrethimin dhe kishin ikur.

Por derisa dita kalonte dhe afrohej nata, edhe ajo mjegullnajë e cila zgjaste edhe pas tri ditëve, më dukej se kishte filluar të zbardhej dhe bëhej edhe me e qartë.

E gjithë atë kureshtje prej një djaloshi 14 vjeçar të asaj kohe, se çka kishte ndodhur, e kuptova më në fund, derisa ra mbrëmja dhe kur dëgjoja me veshët e mijë, lajmet e asaj mbrëmje të trishtë të 7 marsit: “Pas një beteje të përgjakshme me forcat e agresorit serb, Adem Jashari dhe vëllai i tij, Hamza, e baba i tyre Shabani, kishin rënë me të gjithë familjen, duke e mbrojtur pragun e shtëpisë”.

Në atë moment, mu duk sikur gjithçka ishte një ëndërr e përçart, dhe nuk mund të besoja se ishin vrarë edhe fëmijët, gratë dhe gjithë familja Jashari.

Por, derisa shikoja televizorin, pamjet e para të Prekazit, tregonin tmerrin, ku shtëpitë e tyre pothuajse ishin shndërruar në gërmadha.

E derisa sytë i kisha kapitur drejt e në ekranin e televizorit, shikoja pamjet e rënda,  dhe lotët me pikonin, nga ajo pamje e rëndë ku shiheshin, ushtarët serbë, përreth shtëpive, derisa shtëpitë ishin të shkatërruara totalisht.

Atë natë para se të më zinte gjumi, e kuptova, se pamjet që më dilnin para syve nuk ishin tashmë një ëndërr, por kishin ndodhur në realitet.

Sa e trishtueshme thoja me vete, derisa i ndjeva sytë për herën e fundit se më në fund po me mbyllëshin nga gjumi!

(Rrëfim personal, i përjetuar si 14 vjeçar, më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 në Drenicë)

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco