Kosova të nxjerrë mësim nga Ukraina

Kosova të nxjerrë mësim nga Ukraina

Nga Ermal Hasimja - 04/03/2022

Pushtimi i Ukrainës tregon se rreziqet nuk janë kurrë aq larg sa duken. Është e vërtetë që Shqipëria mbrohet nga NATO-ja, por kjo nuk duhet të na bëjë të heqim dorë nga një strategji kombëtare mbrojtjeje. Strategji reale, jo thjesht në letra.

E vërtetë se nuk kemi mundësitë financiare të një vendi të pasur, por duhet patur parasysh se në ditët e sotme egzistojnë strategji mbrojtëse për çdo situatë.

Mbi të gjitha një vend armik nuk i trembet vetëm idesë së humbjes së luftës, por edhe idesë së rezistencës dhe kostove të paparashikuara të saj.

Shqipëria ka një rast të ngjashëm në 1920-n kur ushtria italiane u tërhoq nga Vlora jo thjesht prej sulmit shqiptar, por sidomos prej kundërshtimit të hapur që i bëhej luftës në parlamentin dhe opinionin publik italian.

Ndërsa për Kosovën është e pafalshme nëse nuk nxjerr mësimet e veta nga kjo situatë. Ajo e ka rrezikun në derë dhe të ardhmen të pagarantuar. Askush nuk të mbron aq mirë sa ushtria jote.

Marrëdhëniet ndërkombëtare nuk funksionojnë me logjikë sentimentale, por me logjikë realiste. Në 100 vitet e fundit plot shtete janë bërë kurban për arsye të ndryshme.

Minimalisht, shteti i Kosovës duhet të jetë i aftë që ta bëjë tepër të kushtueshme çdo ëndërr të mundshme të Serbisë për të hyrë në territorin e saj. Ky shtet duhet gjithashtu të dëshmojë përpara bashkësisë ndërkombëtare se është shtet serioz, demokratik dhe bashkëpunëtor korrekt i Perëndimit.

Një shtet i vendosur dhe serioz mund të mbrojë vendin e tij edhe në situata të vështira kur shanset janë kundër tij. Arma më e mirë për këtë është parashikimi i skenareve të mundshme dhe përgatitja për më të keqen shumë kohë përpara se ajo të ndodhë. Më mirë të përgatitur e të pasprovuar, sesa të papërgatitur e të befasuar.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco