Kriza ukrainase 2022: Beteja finale e Luftës së Ftohtë

Kriza ukrainase 2022: Beteja finale e Luftës së Ftohtë

Nga Andrew A. Michta - 28/02/2022

Gjatë 30 viteve të fundit, Perëndimi ra pré në mënyrë të përsëritur e gabimit të perceptimit të kundërshtarëve sipas imazhit të vet dhe si rezultat vazhdon ta gjejë në mënyrë të përsëritur veten në një situatë ku përsëriten pa pushim të njëjtat gabime dhe mbi ne imponohet i njëjti komplet problemesh të sigurisë kombëtare.

Kjo nuk ka qenë askund më e dukshme se sa në mënyrën se si Perëndimi u soll në prag të invazionit të dytë rus në Ukrainë.

Shumica e analistëve para fillimit të luftimeve mendonin se ushtria ukrainase nuk kishte të krahasuar me atë ruse dhe do të ishte vetëm çështje ditësh deri në kolapsin total të vendit.

Tri ditë nga fillimi i luftës, asnjë nga këto parashikime nuk është vërtetuar. Në fakt, ushtria ukrainase po bën rezistencë të fortë, Rusia nuk kontrollon hapësirën ajrore të vendit, dhe sulmi nga katër drejtime, me zinxhirin e dështuar logjistik, rezultoi se ishte gjysmak.

Tani Putin po përpiqet ta ngrejë stekën duke nënkuptuar se do të kthehet nga armët bërthamore, shenjë e një njeriu të ngecur në kurthin e vet dhe përherë e më tepër pa ide se si t’ia dalë.

Pas njëzet vjetësh përdorimi të fuqisë ushtarake të Rusisë për të arritur fitore të mëdha gjeopolitike, në Gjeorgji më 2008, pastaj Ukrainë më 2014 dhe Siri më 2015, blofi i Putinit është zbuluar.

Ka qenë patriotizmi dhe përkushtimi ndaj kombit që populli ukrainas tregoi që kur u shkrep pushka e parë ata që po ndryshojnë historinë. Befas, ushtria e fryrë ruse u duk shumë më pak mbresëlënëse, kërcënimet e Putinit tingëllojnë boshe, dhe Perëndimi është bashkuar ashtu si nuk ka qenë prej dekadash. Kancelari gjerman Olaf Scholz mbajti një fjalim të fortë në Bundestag, duke e angazhuar pa ekuivoke Gjermaninë përkrah aleatëve të saj në NATO kundër agresionit të Putinit.

Njëzet vjet politikë e jashtme ruse që kërkoi të mbillte mosmarrëveshje brenda NATO-s dhe të ndërtonte një marrëdhënie dypalëshe me Gjermaninë si parakusht për një “Koncert të ri të fuqive të mëdha” në Evropë janë bërë gërmadhë.

Momenti po ecën në drejtimin e kundërt, me Perëndimin që e ndjen se sa e dobët është në të vërtetë Rusia, sikur po prisnin atë djalin e përrallës që të bërtiste “mbreti është lakuriq”. Edhe nëse forca e invazionit e mund ushtrinë ukrainase në këtë fushatë, lufta nuk do të përfundojë dhe lufta guerile që do të pasojë do ta bëjë përvojën sovjetike në Afganistan të duket si lodër fëmijësh.

Ukraina perëndimore, me zinxhirin e furnizimit të ankoruar në Poloni, Sllovaki, Hungari e Rumania do të ketë aftësinë ta mbajë luftën gjallë dhe të derdhë pa pushim gjakun rus.

Burimi i revizionizmit rus pas Luftës së Ftohtë gjendet në tregimin nga Putin të asaj që ndodhi më 1990, pra që Rusia në të vërtetë nuk pësoi kurrë disfatë, që ajo u tradhtua nga elitat e saj dhe Perëndimi. E vërteta është shumë më e thjeshtë: Bashkimit Sovjetik i mbaroi karburanti, i pazoti të qëndronte në lojë e të konkurronte me Shtetet e Bashkuara në një kohë kur revolucioni dixhital po ribënte treguesit e fuqisë dhe po riformonte botën.

E megjithatë, historia ngjiti, dhe Putin e ndërtoi bazën e pushtetit të tij duke treguar padrejtësitë kundër Rusisë. Ishte e garantuar që Rusia e Putinit herët a vonë do të kërkonte edhe një herë vendin që i takonte në këtë botë. Putin përfitoi nga historia e padrejtësive kundër Rusisë duke e shndërruar paqen 30-vjeçare pas Luftës së Ftohtë faktikisht në një armëpushim, sipas pikëpamjes së tij, me çështjen ee madhe të vendit të Rusisë në rendin e ri evropian ende të papërcaktuar dhe në nevojë rigjykimi.

Prandaj, nga këndvështrimi i Moskës, lufta e dytë ukrainase është efektivisht beteja finale e Luftës së Ftohtë – që Rusia të rimarrë vendin që pretendon në skakierën evropiane si një perandori e madhe, e fuqizuar aq sa të formojë fatin e kontinentit në të ardhmen. Perëndimi duhet të kuptojë dhe pranojë se kur të vijë humbja e pashmangshme e Rusisë në Ukrainë më në fund do të jetë e mundur një mbyllje e vërtetë e Luftës së Ftohtë.

Deri atëherë, Rusia e Putinit do të mbetet kampi militarist i vendosur në periferi të kontinentit, e vendosur të minojë paqen e stabilitetin në Evropë dhe ta rikthejë atë në të kaluarën, ku Rusia edhe njëherë do të bëhej “robëruesja e vendeve”. Nën asnjë rrethanë nuk duhet që Perëndimi të përfshihet në projektin rus. Beteja për Ukrainën është një fushatë që Putin duhet ta humbasë, plotësisht dhe pa mëdyshje. E ardhmja e Perëndimit është në lojë.

* Andrew A. Michta është Dekan i Kolegjit të Studimeve Ndërkombëtare e të Sigurisë në Qendrën Evropiane për Studime Sigurie “George C. Marshall” në Garmisch, Gjermani. Ai është edhe ish-Profesor i Çështjeve të Sigurisë Kombëtare në Kolegjin Amerikan të Luftërave Detare dhe në Qendrën për Analiza Politike Evropiane në Washington.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco