E drejta e martesës dhe e drejta e familjes

E drejta e martesës dhe e drejta e familjes

Nga Florim Shefqeti - 23/02/2022
Është parim kushtetues, ligjor dhe i garantuar me dokumente ndërkombëtare parimi i të drejtës në martesë dhe krijimit të familjes. Kështu është precizuar edhe në Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut të AP të OKB-së që “në bazë të pëlqimit të lirë, çdokush gëzon të drejtën të martohet dhe të drejtën që të krijojë familje në pajtim me ligjin.” Kjo nënkupton faktin se të gjithë qytetarët kanë të drejtë që, me vullnet të plotë e të pacenueshëm, të gëzojnë të drejtën për t’u martuar dhe për të krijuar familje, në harmoni më dispozitat ligjore të parapara me ligjin e shtetit përkatës. Në këtë pikë, çdo lloj diskriminimi në bazë të racës, kombësisë a religjionit, është i ndaluar. Sipas Deklaratës të Përgjithshme mbi të Drejtat e Njeriut "familja është njësia bazë grupore e shoqërisë dhe i jepet mbrojtje nga shoqëria dhe shteti." E drejta për t’u martuar mbrohet edhe me Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, në të cilin, për më tepër, përcaktohet që: e drejta për t’u martuar dhe për të krijuar familje i njihet burrit dhe gruas, duke filluar nga mosha e pjekurisë.” Parimet dhe normat e tilla ndërkombëtare, më pastaj u bënë objekt i përfshirjes edhe nga ana e ligjeve vendore të shteteve përkatëse. Kështu, Kodi i Familjes i Republikës së Shqipërisë, përcakton se “të gjitha qeniet njerëzore, gratë dhe burrat, lindin të lirë dhe të barabartë në të drejta dhe dinjitet; të gjithë gëzojmë të drejta të barabarta njerëzore.” Edhe LFK parasheh me dispozita ligjore parime të tilla jodiskriminuese, duke garantuar barazinë e bashkëshortëve me rastin e lidhjes së martesës, gjatë kohëvazhdimit të saj dhe me rastin e zgjidhjes së saj. Ç’është familja? Bazuar në përcaktimin ligjor, “familja është bashkësi vitale e prindërve dhe fëmijëve të tyre si dhe personave tjerë në gjini.” Në këtë situatë, lehtësisht mund të lind pyetja se në rast se do të ishte e lejueshme martesa ndërmjet personave me sekse të njëjta, si do të kuptohej nocioni “prind”? Çka do të paraqiste nocioni “fëmijë”, kur dihet qëllimi i martesës që është reproduktimi? Në rast se kemi martesë në mes të personave me sekse të njëjta, është e pamundshme reproduktimi, ndërsa mënyra e vetme për krijimin e familjes në një rast të tillë, do të ishte adoptimi. Më pastaj, është kontestuese se mbiemrin e cilit të ashtuquajtur “prind” do ta merr fëmija. Nëse adoptimi do të lejohej, atëherë si do të ishte raporti i fëmijëve me të ashtuquajturin “babë” ose “nënë”? Kush do ta luante një rol të tillë? Disa vende që e lejojnë martesën e personave me sekse të njëjta, si në Angli për shembull, e ndalojnë adoptimin. Për të qenë më konkret, LFK-ja parasheh se “fejesa është premtim reciprok i dy personave me gjini të kundërta për t’u martuar në të ardhmen”. Kështu, pra, decidivisht e përcakton se personat që në të ardhmen do të martohen, do të jenë me sekse të kundërta. Parimi i dallimit seksual të personave të martuar, sipas LFK-së, nënkupton: Martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht në mes të dy personave të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku me qëllim të krijimit të familjes. Gjithashtu, edhe kjo dispozitë ligjore përcakton saktësisht se çka është martesa dhe se cilësitë e saj e ndër kryesorët duhet që të plotësohet është se martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht, ndërmjet dy personave me sekse te ndryshme. Pjesa e parë e këtij paragrafi nënkupton se martesa duhet të jetë e ligjshme dhe një martesë e kundërt nga ajo qe e parasheh ligji, do të ishte në disharmoni dhe e kundërligjshme, përderisa pjesa e dytë definon se duhet të ekzistojnë dallimet e sekseve te personat që dëshirojnë të lidhin martesë. Sipas dispozitave në fuqi në Republikën e Shqipërisë, atje nuk lejohet martesa ndërmjet personave me sekse te njëjta. Madje edhe Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, njësoj si Kushtetuta e Kosovës, vetëm shpien tek ligji për familjen. Sipas KCSH-së, “martesa mund të lidhet ndërmjet një burri dhe një gruaje që kanë mbushur moshën 18 vjeç”. Kemi definimin konciz të faktit se martesën mund ta lidhin një burrë dhe një grua, në kuptimin e dallimit të gjinive, e që është vazhdim i eliminimit dhe konfirmimit të parimit të dallimit të sekseve me rastin e lidhjes së martesës. Konventa për mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, e ndryshuar dhe e plotësuar me Protokollet numër 11 dhe 14, shoqëruar nga Protokollet numër. 1, 4, 6, 7, 12 e 13, parasheh me sa vijon: Burri dhe gruaja që kanë mbushur moshën për martesë, kanë të drejtë të martohen dhe të krijojnë familje sipas ligjeve kombëtare që rregullojnë ushtrimin e kësaj të drejte. Duke qenë se martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy personave me sekse të kundërta, nga çka kuptojmë se nuk mund të ketë martesë ndërmjet personave me sekse të njëjta, sepse një e tillë nuk do të ishte e regjistruar ligjërisht, dhe pjesa tjetër që e definon qëllimin se martesa lidhet me qëllim të krijimit të familjes. Dhe, në rast të lidhjes së martesës ndërmjet personave me sekse të njëjta, si do të krijohej familja, si do të bëhej lindja e fëmijëve? Në këtë situatë do të kishte mundësi vetëm me adoptim, por kush do të kishe rolin e babait, kujdesi për fëmijët në kryerjen e nevojave natyrore të fëmijëve do të ishte arsyetimi tjetër për kundërshtimin e lejimit të kësaj lidhje. Si do të ishin ndjenjat e fëmijëve që më vonë do të kuptonin se nuk kanë prindër natyror? Si do të ndiheshin ata në shoqëri? Si do të i pranonte shoqëria? Një mori problemesh të tilla e të tjera të pashmangshme, arsyeshëm determinojnë faktin që martesat e tilla të mos lejohen. Mashkulli dhe femra kanë të drejtë të lidhin martesë dhe të formojnë familje, pa ndonjë kufizim në bazë të racës, kombësisë apo religjionit, si dhe janë të barabartë gjatë lidhjes së martesës, vazhdimit të martesës dhe zgjidhjes së saj. Qartësia e këtij paragrafi qëndron në faktin se e cek shprehimisht se kush ka të drejtë të lidhë martesë, duke përcaktuar “mashkulli dhe femra kanë të drejtë të lidhin martesë e cila do të ishte e ligjshme dhe e moralshme”. Nga ana tjetër, cek edhe faktin se nuk janë të diskriminuar në aspektin e racës, kombësisë apo religjionit me rastin e lidhjes së martesës. Çështja e seksit të personave që lidhin martesë, rregullohet edhe me Deklaratën e Univerzale për të Drejtat e Njeriut të vitit 1848, e cila në dispozitat e parasheh: mashkulli madhor dhe gruaja pa far kufizimi racor, kombëtarë a fetarë, kanë të drejtë të lidhin martesë, martesë e të formojnë familje, janë të barabartë më rastin e lidhjes së martesës, gjatë ekzistimit të saj dhe me rastin e zgjidhjes së saj. Familja dhe shteti Martesa gëzon mbrojtje të veçantë shoqërore dhe mbrojtje juridike. Mbrojtja shoqërore rrjedh si rezultat i vetëdijesimit të njerëzimit mbi rëndësinë dhe validitetin e martesës dhe, si e tillë, nuk rregullohet me norma dhe dispozita, porse del dhe ndodh natyrshëm. Ndërsa, mbrojtja juridike është mbrojtja që i ofron martesës si institucion, dhe familjes në përgjithësi, shteti me anë të dispozitave ligjore, duke përcaktuar paraprakisht të drejtat dhe detyrimet e secilit, që pason me aplikimin e sanksioneve të ndryshme, në rast të veprimit të kundërt me përcaktimin e dispozitave. Mbrojtja të tillë parasheh edhe LFK në nenin 37, paragrafi 3, ku përcaktohet që “familja gëzon mbrojtje të veçantë të shtetit, në mënyrën e rregulluar me ligj”. E drejta në martesë Parimisht, individi ka lirinë e lidhjes së martesës, ose të moslidhjes së saj, që të bashkëjetojnë apo të zgjidhin bashkëjetesën, të lidhë martesë dhe të kërkoj zgjidhjen e saj, thënë më saktë, që bashkëshortët ta zgjedhin lirisht njëri tjetrin, të përcaktojnë se me kënd do të jetojnë, mënyrën se si do të jetojnë, formën e lidhjes së martesës, vendin e lidhjes, vendin ku do të jetojnë etj. Një kthesë e rëndësishme në këtë drejtim është bërë me Deklaratën e Përgjithshme Mbi të Drejtat e Njeriut, e vitit 1848, e cila në nenin 16 parasheh: “Mashkulli madhor dhe gruaja pa far kufizimi racor, kombëtarë, fetarë kanë të drejtë të lidhin martesë, të formojnë familje. Ata janë të barabartë më rastin e lidhjes së martesës, gjatë ekzistimit të saj dhe me rastin e zgjidhjes së saj.” Ndërsa, tani mbrojtja e martesës është vënë edhe në nivel të mbrojtjes nga kushtetuta. Kështu, Kushtetuta e Republikës së Kosovës në nenin 37 të saj, parasheh”37.1. Në bazë të pëlqimit të lirë, çdokush gëzon të drejtën të martohet dhe të drejtën që të krijojë familje në pajtim me ligjin. 37.2. Martesa dhe zgjidhja e saj rregullohen me ligj dhe bazohen në barazinë e bashkëshortëve. 37.3. Familja gëzon mbrojtje të veçantë të shtetit, në mënyrën e rregulluar me ligj. Lidhja e martesës mund të bëhet vetëm kur për lidhjen e saj ekziston vullneti i plotë dhe i pandikuar nga të tjerët. Familja është celula natyrore dhe themelore e shoqërisë dhe ka të drejtë në mbrojtje Vullneti i lirë i bashkëshortëve të ardhshëm Në përgjithësi, lidhja e martesës sipas dispozitave të aplikueshme bëhet me shprehjen e lirë të vullneti të bashkëshortëve të ardhshëm se martesën e lidhin me vullnetin e lirë dhe se nuk ekzistojnë pengesa dhe ndalesa martesore. Vullneti i lirë i bashkëshortëve është parim fondamental dhe qenësor, jo vetëm sipas legjislacionit vendor por edhe atij ndërkombëtar. Një gjë të tillë e parasheh edhe Ligji i Familjës së Kroacisë Para se gjithash, vullneti i shprehur për të qenë një martesë e vlefshme duhet të ketë cilësitë e përshkruar më poshtë në mënyrë që të konsiderohet si i shprehur lirshëm. Deklaratën së pari e jep njëri, e pastaj tjetri bashkëshort. Sipas rregullit, së pari deklaratën për pajtim e jep gruaja, e më pastaj burri. Deklarata duhet të jetë pohuese, do të thotë afirmative, e shprehur shprehimisht në mënyrë të qartë dhe në mënyrë të padyshimtë në aspektin e qëllimit të lidhjes së martesës. Sekset e kundërta Sekset e kundërta përbëjnë komponentë biologjike, kulturore dhe civilizuese të një martese. Shikuar historikisht, martesa ka qenë një privilegj i gruas dhe burrit, pra i dy personave të sekseve të kundërta, të cilët do të lidhin martesë në të ardhmen. Meshkujt dhe femrat mbi moshën 18 vjeçare, gëzojnë të drejtën në martesë dhe familje pa asnjë kufizim në baza racore, nacionale ose religjioze. Meshkujt dhe femrat kanë të drejta të njëjta në martesë, gjatë martesës dhe në prishje të martesës. Qëllimi natyror i martesës ka qenë, është dhe mbetet lindja dhe mirërritja e fëmijëve, si dhe kryerja e marrëdhënieve seksuale. Vet natyra e martesës është e atillë që u përket personave me sekse të kundërta, pra burrit dhe gruas, gjë që vihet në pah edhe në dispozitivin e nenit 28 të LFK-së, në të cilën parashihet qartë se “për lidhjen e një martese nevojitën dy persona të sekseve të kundërta.” Kjo shpie në konkludimin se martesa e dy personave me sekse të njëjta nuk lejohet me rregullativën ligjore juridike të Republikës së Kosovës. Ndërsa, mungesa e sekseve të kundërta paraqet pengesë absolute për lidhjen e një martese. Kështu, sepse martesa është bashkësi jetësore e burrit dhe e gruas dhe, si e tillë, është përkufizuar në shumë dispozita të LFK-së, por edhe të KEF-së së Maqedonisë dhe KEF-së së Shqipërisë. Lidhja e martesës nga bashkëshortët me sekse të kundërta Saktësisht mund të thuhet se lidhja e martesës ndemjet dy personave me sekse të njëjta nuk është e lejueshme, ngase kjo është në kundërshtim me qëllimin natyror të martesës, si bashkësi e vazhdueshme e dy personave me sekse të kundërta. Megjithatë, ka pasur raste në praktikë kur martesa është e lidhur ndërmjet personave biseksual apo edhe personave me sekse të njëjta, sidomos kur shkuesi ndërmjetësonte lidhjen e martesës, ndërsa dhëndëri e nusja nuk njiheshin me njëri tjetrin, madje nuk shiheshin deri në natën e martesës. Kështu nuk ka pasur mundësi të vërtetohet biseksualiteti i bashkëshortit. Ndërsa tani në kohën të moderne, “gabime” të tilla nuk ka mundësi të bëhen. Për më te në disa tepër, disa shtete e lejojnë lidhjen e martesës ndërmjet personave me sekse të njëjta. Me dispozitat ligjore të Ligjit për familjen të kroacisë parashihet se subjektet e martesës do të jenë nusja dhe dhendrri që do të thot se e bënë definimin e qartë të dallimit të sekseve. Niveli i tashëm i zhvillimit të kulturës, emancipimi dhe edukimit të femrës përkrah mashkullit, ka zvogëluar maksimalisht mundësinë e martesës së dy personave me sekse të njëjta. Është çështja e ekspertizës mjekoligjore për të vërtetuar nëse njëri bashkëshort apo të dy bashkëshortët kanë organe seksuale të dyllojta. Në qoftë se vërtetohet se te njëri bashkëshort martesor është dyseksual, dominon cilësia e seksit të cilën e ka edhe bashkëshorti tjetër, martesa do të jetë absolutisht nule dhe e pavlefshme. Për vërtetimin e llojit të organit seksual nuk bëhet kontrolli mjekësor i organeve seksuale të bashkëshortëve me rastin e martesës, por kjo bëhet në mënyrë vizuale me rastin e lindjen dhe një gjë e tillë regjistrohet në librat e amzë të të lindurve. Nëse ka një seks të njëjtë njëri bashkëshort dhe nuk iniciohet procedura për anulimin e martesës nga bashkëshorti tjetër, rastet e tilla mbesin gjithmonë të pazbuluara. Kështu ngase në një sferë të tillë aq intime të bashkëshortëve, nuk është e mundur ndërhyrja, së këndejmi edhe veprimi ex officio i organeve shtetërore për anulimin e martesës tashmë të pavlefshme. Së fundi, në teorinë juridike familjare janë paraqitur mendime të reja, pas së cilave vërtetimi i biseksualitetit të njëri bashkëshort nuk nënkupton automatikisht anulimin absolut të martesës, nëse organi dominues është i kundërt me organin seksual të bashkëshortit tjetër. Sipas mendimeve të tilla , në rastet konkrete mund të flitet për lajthitje të cilësive thelbësore të bashkëshortëve, që si pasojë kanë anulim relativ të martesës. Kjo nënkupton se procedura për anulimin e martesës do të fillohet vetëm me vullnetin dhe me inicimin e saj nga bashkëshorti tjetër. Ndryshimi i seksit Fenomeni më i ri i lidhjes së martesës dhe i vështirësimit të vërtetimit të origjinalitetit të seksualitetit, e që është shfaqur në kohën e fundit, është ndryshimi i seksit, fenomen ky i shfaqur si rezultat i zhvillimit të lartë të mjekësisë, e cila mundëson ndryshimin e seksit të njeriut me anë të operacionit. Këto dukuri, megjithatë, janë të rralla. Rastet e këtilla konkrete ka në vendet me zhvillim të lartë të mjekësisë. Një gjë e tillë, për shembull, ndodh në Spanjë. Është me rendësi për te u përmendur se këto dukuri humbin aftësinë riprodhuese të njeriut prandaj martesat e këtilla janë sterile dhe nuk e përmbushin as qëllimin natyror e as shoqëror të martesës, për të cilën arsye pasojat janë evidente. Në doktrinën juridike familjare është zhvilluar debat nëse duhet fare të lejohet lidhja e martesës ndërmjet personave me sekse të transplantuara më anë të operacionit medicinat. Parlamenti Spanjoll pasi e kishte miratuar draft-ligjin, tashmë ka miratuar edhe Ligjin, duke shndërruar këtë në një fitore të madhe për këto kategori, dhe duke zemëruar kështu kundërshtarët e këtij ligji, si zakonisht, Kishën Katolike. Vendimi i Spanjës vjen pas Holandës dhe Belgjikës, ku martesa e barabartë e çifteve të gjinisë së njëjtë ka qenë legale qe një kohë e gjatë. Parlamenti Kanadez në vitin 2005 miraton martesat e gjinisë së njëjtë. Definicioni i një martese të tillë ishte ndryshuar dy vite më parë nga Gjyqi për Ankesa i Ontarios, por Parlamenti shfuqizoi këtë duke e miratuar atë në tërësi, ashtu si edhe kishte luftuar komuniteti “gay” Kanadez. Parlamenti suedez në vitin 2009 ka votuar për lejimin e martesave ndërmjet gjinisë së njëjtë, duke u bërë kështu vendi i pestë në Evropë, që ndërmerr një hap të tillë. Suedia ka qenë njëri nga vendet e para në Evropë, që ju ka dhënë qifteve homoseksuale të drejtën e “partneritetit” legal. Shoqërisht të pranueshme dhe ligjërisht të mbrojtura janë vetëm martesat heteroseksuale. Ndërsa sa i përket martesave homoseksuale, konsideroj që gjendemi ende në një fazë shumë të hershme të zhvillimit. Kështu ngase martesat e tilla nuk janë të pranueshme, ndërsa për ata që pretendojnë të kundërtën vlen të potencohen dispozitat ligjore të LFK-së. Dallimi i sekseve me rastin e lidhjes së martesës Dallimi i sekseve është njëri nga kushtet për lidhjen e martesës. Me pak fjalë dallimi i sekseve është njëri nga kushtet esenciale, jetike, natyrale që duhet të plotësohet në mënyrë që martesa të jetë e vlefshme. Dallimi i sekseve është kusht sine quo non për t’u konsideruar një martesë si martesë e vlefshme. Mashkulli madhor dhe gruaja madhore, pa asnjë lloj kufizimi racor, kombëtarë a fetarë, kanë të drejtë të lidhin martesë e të formojnë familje. Ata janë të barabartë më rastin e lidhjes së martesës, gjatë ekzistimit të saj dhe me rastin e zgjidhjes së saj sipas Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut. Në këtë kuptim është sendërtuar edhe dispozita ligjore e Kushtetutës së Republikës së Kosovës që nuk e determinon decidivisht çështjen e dallimit të sekseve, por e udhëzon ligjin për një gjë të tillë, për shkak që të mos ketë diskriminime të lartcekura. Tek e fundit, kushtetuta paraqet aktin më të lartë juridik të një vendi, që të gjitha fushat e jetës i rregullon në mënyrë parimore, duke ua lënë detajet e tjera ligjeve të vendit. Familja është bazamenti i shoqërisë!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco