15 pyetjet e Enver Robellit për humbësit e zgjedhjeve për raportet me SHBA-të

15 pyetjet e Enver Robellit për humbësit e zgjedhjeve për raportet me SHBA-të

Nga Enver Robelli - 21/02/2022

Meqë humbësit e zgjedhjeve dhe argatët e tyre po thonë se para 14 shkurtit 2021 raportet me SHBA-të paskan qenë të mrekullueshme, disa pyetje:

1. Si u bë që amerikanët ju detyruan të themeloni Gjykatën Speciale dhe e dërguan pastaj në burg gati komplet udhëheqjen shtetërore, mes tyre edhe atë politikanin që e patën përkëdhelur me epitetin "George Washingtoni i Kosovës"?

2. Meqë raportet paskan qenë aq të mira me superfuqinë, përse dështoi anëtarësimi në Interpol e Unesco?

3. Ndërsa qeverisnin "partitë e mëdha" me bishtat e tyre të vegjël parapolitikë e paramedialë, Kosova mori lajme të hidhura për çnjohje nga disa vende. Pse ndodhi kjo?

4. Si u bë që përkundër marrëdhënieve, siç po thuhet, të mira me SHBA-të, nuk pati përparim në funksionalizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës?

5. Si erdhi Kosova nga parulla e vitit 2013 se Serbia "de fakto" e pranoi Kosovën te oferta për t'ia dhënë Serbisë një pjesë të terrorit?

6. Si u bë që "gjatë shkëlqimit të raporteve me Amerikën" (sipas propagandistëve të çarshisë politike), tentohej të bëhej propagandë me fotografi me Donald Trumpin të shkrepura nëpër korridore të Washingtonit?

7. Pse në 15 vitet e fundit numri i politikanëve kosovarë në listën e zezë amerikane nuk është zvogëluar? Dhe këta politikanë i përkasin kryesisht partive që kanë qeverisur me dekada Kosovën.

8. Si u bë që pas gjithë atyre takimeve të nivelit të lartë që u zhvilluan me SHBA-të në të kaluarën, nuk u arrit përparim thelbësor në qeverisjen e mirë të vendit, në luftimin e korrupsionit?

9. Si ndodhi skandali me njohjen nga Xhamajka më 2020? (Që nuk ishte njohje, por presidenti i atëhershëm ia servoi opinionit si të tillë).

10. Si ndodhi që për shkak të korrupsionit SHBA-të ia shkurtuan përkrahjen financiare Kosovës?

11. Si ndodhi që një zyrtar i Kosovës në përfaqësinë diplomatike në New York u përfshi në aktivitete të paligjshme (shitblerje armësh)?

12. Pse pothuaj në të njëjtën kohë në SHBA iku një prokuror i Prokurorisë së Posaçme të Kosovës?

13. Nëse si takime të suksesshme në të kaluarën numërohen edhe takimet me ndonjë kongresmen a senator amerikan që qartë mbështet planet serbe për ndryshimin e kufijve, atëherë kujt i kanë shërbyer politikanët e Prishtinës?

14. A mund të quhen takime të sukseshshme ato takime ku Kosova është vetëm instrument për agjenda elektorale të ndonjë politikani amerikan?

15. Dhe krejt ata që vajtojnë për "kohën e artë" të takimeve të dikurshme të liderëve të dikurshëm me politikanë të SHBA-ve, duhet të përgjigjen se cili ka qenë rezultati? Tash Kosova duhet të paguajë çmimin e gabimeve dhe aventurave të qeverive të kaluara. Kryeçmimi është bashkësia e komunave (opštinave) serbe. Njëra nga partitë që i ka shkaktuar këto probleme po thotë qartë: e përkrahim asociacionin serb dhe "Ballkanin e hapur". Kosova duhet t'i jetë mirenjohëse kësaj partie për sinqeritetin shkatërrimtar.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco