Kosova e ‘izoluar’, po zbrazet masivisht!

Kosova e ‘izoluar’, po zbrazet masivisht!

Nga Astrit Veliqi - 20/02/2022

Viti që sapo kemi hyrë, si duket do ta kalojë atë që kemi lanë pas, jo për ndonjë gjë të mirë, por fatkeqësisht për gjëra mjaft të këqija dhe zhgënjyese për kosovarët.

E zhgënjimi dhe pakënaqësia e kosovarëve po rritet dita-ditës, edhe me qeverisjen e ‘Shën Valentinit’, ku Kosova e ëndrrave të dikurshme, fatkeqësisht po shndërrohet në një vend të pajetueshëm, duke u zbrazur nga qytetarët e saj.

Por shtrohet pyetja, pse po ikin të rinjtë, studentët, punëtorët, mjekët, zejtarët, intelektualët, e kush tjetër?

Përgjigjen do ta gjeni në rrugë, ku do të takoni lypsarë të rinj e të moshuar, në dyqane e markete, ku çmimet kanë arritur pikun, para bankave, ku pas një muaji zhgënjehesh nga paga e ultë, nga faturat e fryra, në pompat e derivateve ku çmimet kanë shkuar në qiell, nga përballja me qentë endacak, para semaforave nga veturat, ajri i tmerrshëm, mbeturinat vend e pa vend, etj...

Kjo gjendje, si duket po vije nga shumë faktorë, por mungesa e një dore dhe strategjie shtetërore, e ka devijuar edhe rrugën në hapa duke e drejtuar drejt një ‘tuneli’, pa dritë, madje edhe në kilometrat e tij të fundit.

Kjo do t’i jep një imazh të keq vendit, i cili ka derdh shumë mund e gjak për të arritur deri të liria, por kur për kosovarët bëhet gjithnjë e më vështirë jeta edhe liria dhe dashuria për vendin e humb kuptimin e saj.

Kosova fatkeqësisht po e merr epitetin e një vendi të ‘pa shpresë’, ku jeta ka arritur standardet evropiane sa i përket çmimeve dhe shportës familjare, e të ardhurat kanë mbetur në vendnumëro.

Të rinjtë sidomos me diploma e pa diploma, sot në Kosovë, janë pothuaj sy e vesh nga Evropa, në kërkim të një jete ma të mirë, ngase vendi i tyre as për së afërmi nuk arrin të ju ofroj jetën dhe mirëqenien që e meritojnë.

Prandaj nëse vazhdon trendi i ikjes në këto përmasa, fshatrat e qytetet e vendit do të mbesin vetëm ‘hije’ e njerëzve të moshuar, të cilët do të lozin me vetminë e tyre brenda katër mureve të braktisur.

Arsimi, shëndetësia, mirëqenia, zhvillimi ekonomik, siguria, një treg i punës i volitshëm, por edhe rritja e standardit jetësor janë vijat e kuqe të cilat duhet të ndryshojnë rrënjësisht në Kosovë.

Në të kundërtën, do të ballafaqohemi me ikjen masive të kosovarëve, të cilët si çdo moshatar i tyre ballkanas, do të jetë me sy e vesh nga vendet e zhvilluara evropiane.

Kjo do të jetë vërtetë e dhimbshme, por fatkeqësisht do ta përjetojmë edhe ketë pamje të rëndë për vendin i cili para tri ditëve festoi 14-vjetorin e pavarësisë.

Prandaj nëse institucionet dhe qeverisja e Albin Kurtit, nuk merr masa urgjente pas një viti në pushtet, për ta ndalë trenin e fundit të ikjes, edhe nga vendi më i izoluar në Evropë, brenda 10 viteve, Kosova do të mbetet vetëm ‘statujë’ e mureve dhe betonit masiv.

Mjaft e dhimbshme, por është realitet, edhe pse e izoluar nga bota, Kosova po zbrazet masivisht!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco