A e njohu Kosovën me një urim Bosnjë-Hercegovina?

A e njohu Kosovën me një urim Bosnjë-Hercegovina?

Nga Dardan Velija - 18/02/2022

Çfarë do të thotë për Republikën e Kosovës urimi i Presidentit të Bosnjës dhe Hercegovinës për Ditën e Pavarësisë? Ai në emër të shtetit të vet na uroi Ditën e Pavarësisë me emrin kushtetues të shtetit tonë, Republika e Kosovës.

A mund të konsiderohet kjo si njohje nga Bosnia dhe Hercegovina dhe cilët do të duhej të ishin hapat e radhës? A do të duhej që kjo shkresë të pasohej nga kërkesa jonë për formalizim të raporteve bilaterale bashkë edhe me hapjen e ambasadave?

Kushdo që ka kryer një kurs për të drejtën ndërkombëtare, e mban mend që në literaturë ka debate nëse e drejta ndërkombëtare egziston fare në formën sesi egziston e drejta në një shtet, i cili ka mekanizmat implementues të ligjeve të veta.

Juristëve u pëlqen që të drejtën ndërkombëtare ta interpretojnë në termat e njejtë si interpretohet e drejta përbrenda një shteti por politikologët, në anën tjetër, edhepse e pranojnë termin "e drejta ndërkombëtare" irritohen fort kur kjo e drejtë vihet në të njejtin nivel me të drejtën brenda shteteve.

Nga ky kontekst, a mos e kemi pranuar si të mirëqenë që patjetër na duhet një shkresë që deklaron njohjen nga shtetet për ta konsideruar që kemi raport njohjeje të ndërsjellë? Në literaturë përmenden edhe disa lloj njohjesh si de jure, de fakto, e nënkuptuar (implied) etj. A mund ta sigurojmë ndonjë opinion ligjor që na jep pak më shumë terren?

Edhe te puna e tërheqjes së njohjeve ka debat mes ekspertëve të së drejtës ndërkombëtare nëse "tërheqja e njohjes" mund të ndodhë fare.

Të tjerë pretendojnë që tërheqja e njohjes mund të konsiderohet valide vetëm në rast se kanë ndryshuar rrethanat nga koha e njohjes, për shembull nëse shteti i njohur është shkrirë në një shtet tjetër ose është pushtuar nga një shtet tjetër.

Por nëse një shtet egziston, ka popullsi, territor dhe aftësi për të hyrë në marrëdhënie ndërkombëtare, tërheqja e njohjes nuk mund të ndodhë. Sipas tyre, mund të ndodhë "ngrirja e raporteve" por jo edhe "tërheqja e njohjes".

Për dikë këto mund të jenë thjeshtë eksplorim teorik. Por për ne si shtet i ri, është e rëndësishme të ndjekim të gjitha mundësitë dhe do të ishte budallallëk i madh nëse zbulojmë pas shumë vitesh për shembull, që kemi pranuar argumentet e palës kundërshtare si fakte, pa qenë të tilla.

Po i ngris këto pyetje se si qytetar i këtij vendi, nuk e di cili është e as cili ka qenë pozicioni ynë zyrtar për këto dhe tash po hyjmë në vitin e 15të të egzistencës si shtet me personalitet ndërkombëtar.

Përndryshe mendoj që politika jonë e jashtme, do të duhej të dedikohej 90% në sigurimin e njohjes së 5shes së BE-së.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco