Kush e ka nxjerrë Kosovën në pazar, s'ka fort dashni për pavarësinë

Kush e ka nxjerrë Kosovën në pazar, s'ka fort dashni për pavarësinë

Nga Enver Robelli - 17/02/2022

Ikja e opozitës nga salla e Kuvendit derisa fliste kryeministri është veprim i shëmtuar, siç ka qenë e shëmtuar sjellja e deputetëve të Vetëvendosjes kur nuk hynin në parlament derisa të përfundojë himni i Kosovës.

Pastaj u futën me flamuj të vegjël kombëtarë për ta dëgjuar kryeministrin e Tiranës, Edi Ramën, i cili i pat bërë të fluturojnë skifterët e VV-së me premtimin fluturues se Kosova e Shqipëria do të kenë një president. Ishte një premtim për lojëra populliste, që u harrua me gjasë në çastin që u tha.

Sa i përket opozitës së sotme të Kosovës: nuk duhet pritur shumë prej saj, kur një pjesë e konsiderueshme e kësaj opozite, kur ka qenë në pushtet, ka qenë e gatshme të negociojë madje edhe për kufijtë e Kosovës. Dhe së paku një parti i ka vrapuar pas, herë hapur, herë fshehtas.

Kush e ka nxjerrë Kosovën në pazar, s’ka fort dashni për pavarësinë. Kështu që krejt kjo çka ndodhi sot në Kuvend është një “ditë e zakonshme politike”, siç ka qenë edhe në kohën kur VV nganjëherë sillej vetëm si ent i përmbarimit karshi shtetit të Kosovës.

Ardhja në pushtet do t’i bëjë mirë VV-së për ta kuptuar se shtetësia e Kosovës nuk është përkohshmëri, por përjetësi.

VV një kohë e shihte pavarësinë si diçka të përkohshme për shkak të ambicieve të serta patriotike dhe panshqiptare.

Pjesa tjetër më e madhe e klasës politike, ndërkaq, deklarativisht ka thënë se është për përjetësinë e pavarësisë së Kosovës, por me keqqeverisje, vjedhje, korrupsion e krime në të vërtetë gati ia shkurtoi jetën shtetit të Kosovës.

Urime dita e pavarësisë me shpresën se në të ardhmen Kosova do të ketë vetëm politikanë e politikane të përgjegjshëm dhe të ndershëm! Një hap i vogël është bërë para një viti, hapa të tjerë duhet të pasojnë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco