Përvjetori i Republikës nën hijen e zhgënjimit e izolimit

Përvjetori i Republikës nën hijen e zhgënjimit e izolimit

- 17/02/2022

Pak para 17 shkurtit, vëmendjen publike e mori një fotografi në Kuvendin e Kosovës që u bë virale e nxiti gjithfarë reagimesh. Fëmijë të buzëqeshur mbanin në duar fotografitë e Albinit, Vjosës, Glaukut....Disa i kishin kthyer me kokë poshtë. Ironitë shkuan larg. Dikush i krahasoi udhëheqësit kosovarë me ish-liderë autoritarë e diktatorë, që fëmijët i shfrytëzonin gjithnjë për imazhin e tyre.

Fotografia, megjithatë, mund të jetë një histori e izoluar ashtu siç mbetet edhe vendi ynë në këtë ditë feste-i izoluar e me sfida të forta përpara.

Kosovarët votuan para një viti që të rrëzonin qeverisjen e kultit të individit, duke mos besuar se një kult i ri mund ta pasonte atë. Fatmirësisht, një gjë e tillë nuk ka ndodhur, por muajt që lamë pas, dëshmojnë se droja është e ligjshme, frika po rritet se historia mund të përsëritet.

Përvjetori i parë i pavarësisë së Kosovës pas përvjetorit të parë të ‘referendumit’ të 14 shkurtit, është pak i zbehtë. Pak orë para 17 shkurtit, qeveria e Albin Kurtit, zbuloi axhendën festive.

Për herë të dytë, Kosova e shënon Ditën e Republikës, pas një kthese të thellë politike. Një vit me pushtetin e ri të Lëvizjes Vetëvendosje, nuk i ka bindur votuesit që shpresojnë për ndryshim, rimëkëmbje, drejtësi, qeverisje të mirë dhe zhvillim ekonomik.

Nuk ka nevojë për kurrfarë sondazhi, që të matësh shkallën e pëlqimit ndaj qeverisë apo nivelin e zhgënjimit popullor. Albin Kurti mbetet lideri favorit, por qeverisja e tij duhet të ndryshojë shumëçka, që të ngjallë sërish besimin e njerëzve.

Atij i ra hise të marrë pushtetin në periudhë kritike, kohë pandemie dhe krize të rëndë. Liderët e fortë, dallohen pikërisht në periudha të tilla.

Pa dyshim, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje ka ndryshuar. Partia e tij, e nisi ndryshimin në ditën që hyri në parlamentin e Republikës, së dizajnuar sipas Pakos së Ahtisarit, që aq fort e kundërshtonin edhe dhunshëm, militantët e Kurtit.

Kurti, dikur fliste për Republikën e Tretë dhe ai mund ta shpjegojë tani si kryeministër se si do e bëjë atë. Pa e konsoliduar këtë që kemi, pak e vështirë t’i përmbahet atij ideali.

Pavarësia e Kosovës, është realitet, ngjarja më e rëndësishme pas pavarësisë së Shqipërisë dhe secili duhet t’i gëzohet gjithnjë këtij fakti. Që nga 17 shkurti 2008, shqiptarët u bënë me dy shtete, secili me arritjet dhe problematikat e veta.

Në vend që të bashkonim forcat, bëmë sikur i bashkuam. Sot, kemi një kryeministër të Shqipërisë që çon ujë në mullirin e Serbisë, ndërsa Kosova mbetet nën presionin që të bëjë kompromise të reja në kurrizin e pavarësisë dhe sovranitetit e integritetit territorial, në dialogun me shtetin fqinj.

14 vjet, është koha e adoleshencës, kur krizat të kapin, sepse ende nuk është formësuar identiteti.

Në këtë fazë ku gjendet bota, nën frikën e një lufte të re, si rrjedhojë e përplasjes së Rusisë me Perëndimin, pakkujt i bie ndërmend për Kosovën. Nëse edhe neve, nuk na bie ndërmend aq sa duhet, përvjetorin e ardhshëm nuk do të kemi kohë as të ankohemi.

Vendit i duhet lidership i guximshëm që merr vendime dhe nuk sheh vetëm bardh e zi. Jetesa është rënduar së tepërmi muajve të fundit dhe ajo që dëgjojmë nga pushteti, është më tepër justifikime të përsëritura të shoqëruara me mungesë vizioni zhvillimor.

Në këto rrethana, është e pritshme që dhjetëra mijëra duan ta braktisin Kosovën në kërkim të një jete më të mirë.

Ca hapa të vegjël po hidhen nga qeveria, por krejtësisht të pamjaftueshëm. Ekonomia po lëngon, ndërsa shteti në vend që ta rrisë liberalizimin e tregut, po i fut hundët edhe më tepër.

Mund të mburret pushteti se nuk ka afera korrupsioni, por nuk e fsheh dot nepotizmin, militantizmin, improvizimin në institucione, dështimin në kompani publike, etj, etj.

Deri dje temë ishin djemtë e Adem Grabovcit, sot është burri i Vjosa Osmanit.

Kur bënin opozitë, Vetëvendosje kryqëzonte çdo pushtetar abuziv, secilin shpërdorim. Sot, kur janë në pozita, i shijojnë edhe këta përfitimet nga fondet publike dhe kur “befasisht” zbulohen, heqin dorë publikisht.

Kosovarët nuk votuan që t’u ndërrohen klanet dhe grupet e interesit, por që Republika të qeverisej në mënyrë transparente, profesionale e të drejtë. Kurrë më pak transparencë se me qeverinë Kurti nuk ka pasur. Amatorizmi institucional është bërë alarmant tashmë. Padrejtësitë nuk po ndalen për fat të keq.

14 shkurti dhe 14 vjetori i pavarësisë aq sa janë afër, aq janë edhe larg njëri-tjetrit.

Është festë sot, por gjërat duhet të thuhen ashtu siç janë. Pavarësisht se si ua mbanin fëmijët në Kuvend fotografitë liderëve, mbarë apo mbrapsht, në thelb, përmbajtja e tyre është kjo që e sheh secili, pa makijazh.

Urime përvjetorin e Republikës!

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco