Sovrani foli: Të presim në heshtje!

Sovrani foli: Të presim në heshtje!

Nga Florjan Nuri - 07/02/2022

Ky ka qenë një proces shumë i mirë për cilësinë e demokracisë në Shqipëri, tha ndër të tjera z.Taulant Balla, në cilësinë e përfaqësuesit të Kuvendit në gjykimin që sapo u mbyll në Gjykatën Kushtetuese për shkarkimin e Presidentit.

Ai, po ashtu, ftoi palët të heshtnin dhe të prisnin vendimin e Kushtetueses. Ata mund të vijojnë të heshtin se me thënë të drejtën një pjesë e konsiderueshme ka heshtur kur duhej të fliste me kohë. Kur më tepër akoma, janë dhe shkaktarët e krijimit të një situate të paprecedentë që detyroi dhe Kreun e Shtetit të shprehej me akte të paprecedenta. 

Por, edhe sepse mbi te gjitha, të mbrosh Kushtetutën e vendit dhe Kreun e Shtetit është kauzë madhore. Por, partitë politike, si jo pak herë, Kushtetutën e hedhin në kosh dhe Kreun e Shtetit e ngatërrojnë gjithmonë me individin që e drejton atë Institucion. 

Ne të gjithë e pritem Gjykatën Kushtetuese të shprehej kur bëhej fjalë për Teatrin Kombëtar. Dhe pothuajse të gjithë u tallëm me vendimin e saj. Që “i dha të drejtë” popullit duke i kërkuar bashkisë Tiranë të kthejë tek Ministria e Kulturës një objekt që nuk ekzistonte më. 

Tani Gjykatës Kushtetuese i kërkohet të gjykojë mbi një hetim të nisur nga ish-parlamenti i kaluar, në muajin e fundit të ekzistencës së vet dhe për më tepër akoma me atë përbërje dhe cilësi, pasojat e të cilave i vuajmë dhe sot. Por, për aq kohë sa kjo iniciativë është vijuar të ndiqet dhe nga ky Parlament i sotëm diferenca në cilësi pothuajse nuk ndihet. Aq më tepër kur dhe një pjesë nuk flet! 

Ne presim nga Gjykata Kushtetuese të na japë përgjigje mbi një pyetje themelore: A ka kryer Presidenti i Republikës shkelje të rëndë të Kushtetutës? Në një vend normal të gjithë, konstitucionalistë, veprimtarë të shoqërise civile, parti politike, etj. do ndiqnin me kuriozitet se çfarë vendimi do të merrte kjo Gjykatë, gjithmonë duke menduar se do të vendoste një normë mbi të cilën do të duhej të shtrihej veprimtaria e atij Institucioni në të ardhmen. 

Pra, me fjalë të tjera ne jemi në pritje që Gjykata Kushtetuese të vendosë nëse Kreu i Shtetit ka të drejtë të shprehë opinionin e tij për ato shqetësime që ai percepton dhe ka informacion se ndodhin në Shqipëri. 

Unë nuk e di saktësisht se çfare mbrojtje ka ngritur Institucioni i Presidentit në këtë gjykim, përveç atyre të përcjella në media në tërësi, por mendoj se meqë po presim do duhet që në vendimin e arsyetuar të kemi disa përgjigje për disa pyetje:

- Kur Presidenti deklaron se shteti dhe organizmat e tij janë vënë në funksion të partisë në pushtet për zgjedhjet elektorale apo ato vendore dhe që rezultojnë të tilla nga raporti i OSCE-ODHIR a quhet kjo një shkelje e rëndë e Kushtetutës?

- Kur Presidenti denoncon me fakte tek SPAK afera që sipas Tij janë korruptive a quhen këto se ndikojnë në fushatën elektorale dhe si të tilla përbëjnë shkelje të rënda të Kushtetutës?

- A vlerëson Gjykata Kushtetuese se fakti që Parlamenti qëllimisht ka lënë jashtë paketës Kushtetuese Ligjin për Presidentin e Republikës ndikon edhe në sqarimin e një definicioni të tillë kushtetues siç është rasti me shkeljen e rëndë të Kushtetutës?

Ne do presim patjetër. Ndërkohë nuk është çudi të shohim episode të Erion Veliajt para gjykatave apo para stafit të tij që flet dhe “komunikon” me gjykatësit për çfarë vendimesh duhet të japin. Se nga Rama nuk mund dhe nuk e presim një gjë të tillë. E keni të qartë për çfarë flas apo jo? Apo jo Lul?

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco