Omicron jashtë kontrollit, e faturat e kosovarëve po ‘rriten’

Omicron jashtë kontrollit, e faturat e kosovarëve po ‘rriten’

Nga Astrit Veliqi - 30/01/2022

Jemi në janarin e stërzgjatur të 2022-tës kur vendi ynë po lufton ende me një virus të tmerrshëm, sikur është Covid-19, por edhe tentativa për rritjen e çmimit të energjisë të cilat kanë derivuar nga viti i vjetër të cilin e kemi lënë pas.

Por derisa jemi duke u përballur me Covidin, shohim se në këtë kohë acari dimëror, pothuaj çdo ditë kemi rritje rekorde të rasteve me infektime ku tashmë varianti ‘Omicron’ po dominon jo vetëm tek ne por në gjithë planetin.

Masat e  fundit që janë fut në zbatim nga qeveria e vendit, si duket janë të vonuara,  por edhe nuk e kanë efektin e duhur të parandalimit, ngase pothuaj çdo gjë ka dalë jashtë kontrollit dhe ato janë vetëm sa për sy e faqe.

 E kur flasim për vaksinat, ende ka hezitime nga një pjesë e qytetarëve për t’u vaksinuar.

Masa, gjoba, inspektime, ka sa të doni por mungon, një vetëdije qytetare për t’u mbrojtur vetë nga virusi i cili po merr jetë kudo, jo vetëm në Kosovë.

E masat e fundit që kanë bërë bujë të madhe, janë ato në pikë-kalimet kufitare ku po luhet një telenovelë qesharake, ngase po kërkohet vaksina e tretë, e siç dihet pjesa ma e madhe kosovarëve nuk e kanë marrë dozën e tretë.

Me kritere të tilla vështirë se luftohet virusi, ngase përveç që humb vendi në planin ekonomik, edhe rritet pakënaqësia ndaj autoriteteve kosovareve.

Kjo masë madje duhet të ndryshohet, ngase po dëmton sidomos shqiptarët në të dy anët e kufirit.

E problem tjetër me të cilën po ballafaqohen kosovarët në këtë kohë të jashtëzakonshme  janë edhe rritja rekorde e çmimeve të artikujve ushqimorë, që çdo ditë lëvizin dhe nuk merret askush me shportën e varfër të qytetarëve.

Shto kësaj edhe kërkesës për rritjen e çmimeve të energjisë, që kategoria e amvisërisë si duket do ta pësojë më së shumti, derisa si zakonisht serbët në veri edhe kësaj radhe do ta kenë ‘belesh’.

Por protestat e fundit ajo e shoqërisë civile dhe kjo e fundit nga PSD, kanë jep sinjale se qeveria nuk do ta ketë të lehtë te marrë një vendim kaq të dëmshëm për kosovarët dhe qytetarët e saj.

Masa e revoltuar paralajmëroi se qytetarët kanë pritur ndryshim më pozitiv, dhe janë zhgënjyer në masë të madhe edhe me qeverisjen e re të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit.

Madje kjo u pa edhe në debatin në Kuvend, ku deputetët e pozitës me qasjen e tyre jo vetëm i kanë ‘tradhtuar’ pritjet e mbi 51 për qind të votuesve, por ata me mos-votimin e një rezolute kundër shtrenjtimit të rrymës po tregojnë se nuk janë zëri i qytetarëve, por zëri i një kauze puro politike.

Por si do që të jetë, prapë do kemi zgjedhje, e sovrani të tillët edhe mund t’i ndëshkojë, sikur ka bërë edhe në të kaluarën.

Derisa opozita në rolin e saj opozitar kësaj radhe është rreshtuar e bashkuar kundër shtrenjtimit të rrymës, por a mjafton kjo?

Megjithatë, ajo që po shihet, Omicroni ka dalë jashtë kontrolli, dhe vetëm Zoti mund të na ndihmojë, kurse çmimi i rrymës do t’jua rëndojë edhe me shumë jetën dhe shportën familjare kosovarëve.

Por, ajo çka duket e dhimbshme tashmë po ndodh, Kosova çdo ditë e më shumë po zbrazet sepse po bëhet e pajetueshme!

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco