Udhëheqësit pa biografi

Udhëheqësit pa biografi

Nga Bajram Mjeku - 18/01/2022

Në dy dekadat e fundit, veçanërisht mbas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, jemi dëshmitarë të emërimit të shumë personave, por jo edhe të personaliteteve në poste të rëndësishme udhëheqëse të vendit, derisa shumica nga ata, sot e dy dekada më parë, nuk i bëjnë publike biografitë e tyre. 

Këto veprime, nuk justifikohen assesi, veçanërisht për ata persona që janë zgjedhur drejtpërdrejt nga sovrani, por edhe për ata që janë zgjedhur e vazhdojnë të zgjidhen në dikastere qeveritare dhe agjensi të rëndësishme të Kosovës.

Mbas përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, shumë nga ata që fituan pozita të rëndësishme në udhëheqjen e vendit, ose i kanë prerë biografitë e tyre, ose nuk kanë dashur të bëjnë publike aktivitetin e tyre politik, veçanërisht gjatë dekadës së okupimit, sa njeriu fiton bindjen, sikur këta njerëz para 12 qershorit të vitit 1999, nuk kanë ekzistuar!

Disa sish, mbas përfundimit të luftës, sikur janë ndjerë të turpshëm të shpërfaqin aktivitetin e tyre politik, derisa mbas luftës, partinë që dikur e kishin për zemër tashmë e trajtonin si kundërshtare! 

Kishte edhe të atillë që gjatë periudhës së okupimit, kishin zhvilluar aktivitete të dyshimta biznesore dhe përmes fshehjes së biografisë, provuan t’i fshihnin edhe aktivitetet e tyre të errëta, të cilat nuk do të dëshironin t’i kujtonin kurrë. 

Fshehja e biografive ka ndodhur dhe vazhdon të ndodh, edhe për faktin se udhëheqësi i një institucioni të rëndësishëm, nuk disponon as përgatitjen elementare, jo vetëm për të udhëhequr, por as për të punuar në rangun më të ulët të institucionit të cilin e drejton!
Autocensura që ndodhi gjatë dy dekadave të fundit, nuk ishte më e ashpër as në regjimin komunist. 

Ky veprim i frikshëm, të imponon idenë se janë pikërisht biografitë e errëta dhe të prera, të fshehura e gjysmake, të cilat ndikojnë në paqëndrueshmërinë e institucioneve të vendit.

Derisa i fshehim biografitë, jemi këtu ku jemi!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco