'Ambiguiteti konstruktiv' i Kryeakademikut të Kosovës

'Ambiguiteti konstruktiv' i Kryeakademikut të Kosovës

Nga Fadil Sahiti - 05/01/2022

Çdokush me një nivel akademik mesatar do të priste që pika kryesore e diskutimit gjatë një interviste me një akademik të lartë, kryeakademik, do të ishte gjendja e shkencës dhe e artit në vendin e tij ose të saj. 

Por, kryeakademiku i Kosovës, M. Kraja, në intervistën dhënë RTK-së ka folur për gjithçka, përveç shkencës dhe artit. Ai foli, ndoshta me qëllim, për konceptin e Henry Kissinger-it “ambiguiteti konstruktiv”, për cilësinë e miellit, përbërjen e tij ushqyese, për projektet dhe “teoritë konspirative” politike, por jo për punën e institucionit që ai drejton prej dy vitesh.

Në “shkarravitjet” e mia intelektuale jam përpjekur shpesh të ngre nevojën që kemi si shtet dhe popull për institucionalizimin e përgjegjësisë individuale, veçanërisht të përgjegjësisë institucionale. Është krejtësisht e dëmshme dhe e papërgjegjshme që paratë publike t'u shpërndahen institucioneve që nuk i shtojnë vlerë shoqërisë sonë. 

Cila është vlera akademike, intelektuale, ekonomike dhe sociale që prodhon Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës - ASHAK-u?

Jam përpjekur të gjej të dhëna statistikore për të matur punën dhe vlerën e akademisë sonë. Kam marrë numrin e produkteve akademike të prodhuara dhe të bëj një krahasim me produktet e disa akademive simotra në rajon. Me sa kam mundur të siguroj, kam parë se nga viti 2000 deri në vitin 2021, ASHAK ka prodhuar gjithsej 261 punime “shkencore”. Ajo e Malit të Zi 431, ajo e Maqedonisë rreth 400. Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Serbisë gjatë kësaj periudhe ka prodhuar hiç më pak se 9101 produkte akademike. Nuk doja të mërzitesha dhe të shikoja statistikat e akademive të Sllovenisë dhe Kroacisë. Sigurisht që analizimi i cilësisë së këtyre punimeve është një çështje tjetër.

Lind pyetja, sa para kemi shpenzuar nga xhepat tanë për ASHAK-un që ka financiar këto produkte? 

Vitin e kaluar, në vitin 2021, ne kemi ndarë jo më pak se 1,221,272 € për këtë akademi, që do të thotë se për tre vjet i kemi dhënë akademisë rreth 3,663,819 €. Nëse e krahasojmë këtë shumë me numrin e produkteve të prodhuara në tre vjet, që është 41, atëherë kostoja për një produkt akademik është 89,361 €. Kërkoj ndjesë për këto përllogaritje financiare. E kam "defekt" profesional. 

Unë u them gjithmonë studentëve të mi: "...përpara çdo nisme biznesi, gjëja e parë që duhet bërë është të llogaritet raporti kosto-përfitim...dhe nëse kostoja tejkalon përfitimet, falimentimi është i garantuar..." Dhe, nëse ky kryeakademik dhe kjo akademi e shkencave do të merrej si masë për të vlerësuar gjendjen tonë, mund edhe të thuhet se falimentimi ynë si shoqëri është i garantuar.

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco