Iku një vit zhgënjyes, erdhi një vit 'sfidues'

Iku një vit zhgënjyes, erdhi një vit 'sfidues'

Nga Astrit Veliqi - 03/01/2022

Iku edhe një vit zhgënjyes dhe shumë i rëndë jo vetëm për shqiptarët kudo që janë, por padyshim për të gjithë njerëzit e këtij planeti.

Ajo që i dha vulën e madhe të zhgënjimit për vitin që lamë pas, ishte Covidi, një virus vrastar që mori shumë jetë njerëzish, pa na pyetur për asgjë.

E këtë situatë të rëndë e kemi përjetuar edhe ne si një vend i vogël dhe me një sistem të brishtë shëndetësor, ekonomik e social.

Kjo ndodhi derisa nisi të imunizohet popullata me vaksinën anti-Covid, i cili po vazhdon edhe në vitin e ri 2022.

Viti që lamë pas jo vetëm na shkaktoi shumë vuajtje, duke na lënë pa me të dashurit tanë por edhe na goditi rëndë në ekonomi, mirëqenie sikurse edhe në shportën familjare.

Shto këtu edhe krizat zinxhir që u prodhuan si shkak-pasojë e pandemisë, sikurse ishin ngritja rekorde e çmimeve të produkteve elementare për jetë, derivateve por tash së fundi edhe përballja me terrin dimëror.

Në masë të madhe këto ndodhën si pasojë e krizave globale, por qeverinë tonë si duket e gjetën në gjumë pa një plan konkret se si të evitohet kriza me energjinë elektrike.

E derisa kemi hyrë në Vitin e Ri, 2022 pa medyshje që edhe problemet s'mund t'i ndajmë me tehun e thikës, prandaj pjesa më e madhe do na përcjellin edhe në këtë vit.

Por se si do të rrjedhin gjërat, do të shihet në të ardhmen, megjithatë, Covidi do të na sfidojë ende, krizat ekonomike domosdo që po, e kur jemi në pikun e dimrit do të përballemi edhe me mungesën e energjisë, sikurse edhe me probleme tjera sociale e të integrimit.

Por si thuhet shpeshë, pas një vuajtje të madhe, ndizet edhe një shkendijë shprese për jetën dhe të ardhmen, prandaj edhe shpresa na mban se ky vit do të jetë më i mirë për të gjithë, duke përfshirë edhe Kosovën.

Ajo që s'duhet harruar vendin e presin edhe shumë sfida në planin politik por edhe në atë ekonomik, shëndetësor, arsimor e kulturor.

Dialogu me Serbinë dhe marrëveshja finale do të jetë top-prioritet i SHBA-ve por edhe i BE-së, ku do rriten gjithnjë e më shumë pritjet për zgjidhjen sa më imediate të ketij problemi në Ballkan.

Sikurse test dhe sfidë për qeverinë 'Kurti' do të jenë edhe njohjet e vendit, plani integrues, telenovela me vizat, derisa në planin e brendshëm prioritet do të kenë edhe lufta ndaj korrupsionit, rendi dhe ligji, sikur edhe ruajtja por edhe rritja e përformancës socio-ekonomike.

Viti 2022 erdhi në familjet kosovare me zhurmë e festë të madhe, u ndriçua qielli dhe u zbrazën me bujë të madhe potencial i madh i mjeteve piroteknike, por jo gjithçka dukej e bardhë dhe mori pamjen e kremtes festive.

Viti i ri erdhi si erdhi dhe na gjeti me orë policore, në luftë dhe frikën nga Omicroni, ku po bëhet apel për dozën e tretë përforcuese nga Covidi, me krizën e energjisë dhe përballjen me reduktimet, e me shumë sfida e halle që na presin.

Por edhe kësaj radhe, entuziazmi i festës do të kalojë dhe jeta do t'i kthehet angazhimeve dhe sfidave që na presin.

Prandaj përkundër vështirësive, mbetemi me shpresë se kemi hyrë në një vit më të mirë se 2021-ta, i cili sa më shpejt edhe duhet harruar!

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco