Një ministër i papërgjegjshëm!

Një ministër i papërgjegjshëm!

Nga Enver Robelli - 28/12/2021

Bota është para mbylljes. Omicroni, varianti më i ri i koronavirusit, po përhapet me shpejtësi marramendëse. Ardhja e mijëra mërgimtarëve në Kosovë këto ditë mund të rrisë numrin e infektimeve. Në Shqipëri numri i të vdekurve është duke u shtuar dhe po i afrohet dhjetëshit brenda 24 orëve. Në Kosovë shumica e njerëzve kanë marrë vetëm dozën e parë të vaksinës. Vaksinimi me dozën përforcuese sapo ka nisur. Rastet e para të infektimit me Omicron tashmë janë konfirmuar në Kosovë. 

Përballë kësaj situate mund të mendohet se ministri i Shëndetësisë ka mjaft punë në Kosovë. Por, ç’t’i bësh që ministri sërish, për herë të dytë pas emërimit, paskësh shkuar në Amerikë, atje ku ka jetuar një kohë të gjatë. Paskësh shkuar më 25 dhjetor dhe pritet të kthehet më 3 janar, raportojnë mediat e Prishtinës. 

Në postin e ministrit të Shëndetësisë Rifat Latifi është emëruar më 16 nëntor. Pra, për 5-6 javë në post ai nuk ka pasur kohë të lexojë ndoshta as organigramin e resorit që drejton. Por ka pasur kohë të udhëtojë dy herë në SHBA. Thuhet se ka udhëtuar për arsye personale. Kur njerëzit marrin përgjegjësi të lartë politike, ata duhet ta marrin detyrën me seriozitet maksimal. Ministri duhet të jetë në krye të detyrës sepse Kosova (si mbarë bota) përballet me pandemi. Pandemia merr jetë. Nuk është hajgare. Dhe Kosova s’ka nevojë për ministra që bëjnë hajgare me postin. Ata që vijnë nga mërgata për të drejtuar institucione të rëndësishme, këtë nuk mund ta bëjnë “part time”, me orar të kufizuar.

Posti i ministri të Shëndetësisë në kohë pandemie është funksioni më i rëndësishëm në qeveri, gati po aq i rëndësishëm sa ai i kryeministrit. Rrjedhimisht, kryeministri i Kosovës duhet ta ketë parasysh sjelljen e vartësit të tij dhe të tërheq konsekuencat e nevojshme.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco