Jemi të varfër, të vjedhur...e të pashpresë, apo jo Albin?

Jemi të varfër, të vjedhur...e të pashpresë, apo jo Albin?

Nga Syri.net Kosova - 27/12/2021

Para se të vinte në pushtet, lideri i Vetëvendosjes e kishte një parullë të njohur: Nuk jemi të varfër, por jemi të vjedhur. Kur na ‘befasoi’ kriza energjetike, ndër të tjera, na tha se jemi edhe të varfër.

Tani, jemi apo nuk jemi të varfër?

Problemi nuk është thjesht varfëria dhe hajnia, por zhgënjimi dhe shpresa e zbehur. Kur, njerëzit masivisht e mbështetën ndryshimin e madh me 14 shkurt, gjithçka ishte OK për Kurtin dhe mbështetësit e tij.

Në vitin e parë të qeverisjes, kur disa gjëra kanë lëvizur pak, por shumëçka është në vendnumëro apo ka prapakthim, po ua kritikove liderin, përkrahësit e tij ‘flakë’ qesin.

Për herë të parë një qeveri në Kosovë e ka shumicën parlamentare e vetme, pa pasur nevoja ta ndajë asnjë hise pushteti me partnerët.

Megjithatë, po për herë të parë, një qeveri ankohet si kurrë më parë ndaj qeverive pararendëse.

Nëse pushtetet e kaluara do të kishin pasur sukses, me siguri edhe sot, do t’i kishim në qeverisje. Lëvizja Vetëvendosje e fitoi të drejtën për ta administruar shtetin, si rrjedhojë e zhgënjimit të madh popullor ndaj kastës së vjetër politike.

Për kryeministrin Kurti pandemia nuk ka qenë befasi. Befasi nuk do të duhej të konsiderohej as kriza energjetike, e paralajmëruar më herët, por që nuk e vuri në lëvizje me shpejtësi qeverinë kosovare.

Fajësimi për mosndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike, gazin etj etj, është i paargumentuar nga kritikët e qeverisë Kurti. Sidoqoftë, për menaxhimin e krizës, reagimi qeveritar është i vonuar.

Qeveria tashmë ka futur nën kontroll kompaninë publike KEK, e cila është menaxhuar nga njerëzit e regjimit të kaluar prej vitesh.

KEDS-i ka alarmuar herët për pasojat e krizës, ndërsa shtrenjtimi i energjisë ka pasoja qindra milionëshe edhe në Kosovë.

Në vitin e parë të qeverisjes, ekzekutivi i Kurtit nuk ka dhënë ndonjë alternativë për energjitikën. Ndoshta kriza, mund ta përshpejtojë angazhimin qeveritar në këtë drejtim.

Kosova duhet të shfrytëzojë resurset e saj. Po i shesim thëngjill Maqedonisë që të prodhojë rrymë, e për vete vazhdojmë të rropatemi me blloqet e skaduara tashmë.

Pyetjet janë të thjeshta për qeverinë: A është e gatshme të rregullojë kornizën ligjore për të lehtësuar investimin dhe ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike me thëngjill, me parametrat modernë mjedisorë?

A do të liberalizohet tregu i energjisë elektrike? KEDS-i ka monopolin. Çmimin e cakton ZRRE.

Në një ekonomi të tregut të lirë, gjërat duhet të funksionojnë ndryshe. Për një vend si Kosova, në shekullin e 21-të, kur ka burime të ndryshme energjetike, ndërsa niveli industrial është i dobët, është e pajustifikueshme të mbesim në terr, si para dy dekadash.

Albin Kurti nuk është ekspert energjetike, as ministrja e tij Rizvanolli. Me refren batanijesh, nuk bëhet ballafaqimi në publik.

Nxirrni ekspertët, kuadrot, apo ja keni lënë në dorën atij gjermanit që erdhi për ta rregulluar avarinë në KEK?!

Asgjë të re nuk po na thoni, kur ktheheni prapa e na tregoni se ku gabuan qeveritë e kaluara. Kjo qeveri është e zgjedhur për ta vënë Kosovën në shinat e stabilitetit ekonomik e politik.

Të vajtosh të kaluarën e ta përdorësh në çdo paraqitje si alibi për kriza, është politikë e një qeverie pa ide veprimi e me mungesë guximi.

VV nuk mund të thotë sot se ka përmbushur pritjet e votuesve brenda këtyre muajve në pushtet. Realizimi është larg, tepër larg ende nga objektivi. Mund t’ia lëmë kohës së shkurtër, pandemisë, krizës energjetike, por një ditë shterojnë edhe justifikimet.

Vetëvendosje sot ka pushtet absolut ekzekutiv, ka nën kontroll ndërmarrjet publike, buxhetin, vendimmarrjen e plotë. Sot justifikohen për KEK-un, nesër mund ta bëjnë për Telekomin, pasnesër për Trepçën, e kështu me radhë.

Kompanitë publike kanë operuar me humbje dhe me paratë e taksapaguesve kosovarë, janë mbuluar dështimet e tyre menaxheriale, ndërsa pagat e larta dhe bonuset nuk janë ndalur. Po sot, me pushtetin  ri, si është gjendja, çfarë po ndryshon aty? Kurti duhet të na e thotë hapur.

Pushteti mbetet gjithnjë nën vëzhgimin e mediave, prandaj as kjo qeveri nuk mund të bëjë përjashtim. Ka një mungesë të thellë transparence nga qeveria dhe këtë e vuan secili gazetar sot në Kosovë.

Kur jemi te media publike, edhe këtu viti po mbyllet me një dështim spektakolar. Gjithë vitin menaxhmenti i RTK-së, është përballur me sulme e akuza për keqmenaxhim e dështim, ndërsa tash bordi që e votoi parlamenti ku shumicën e ka partia e Albin Kurtit, po bashkëpunon lehtësisht me të njëjtën kastë menaxheriale të emëruar paligjshëm nga ish-pushtetarët e deridjeshëm.

Pra, me një fjalë, nuk mund të na hidhni hi syve dhe të ankoheni për veprimet që nuk i ndërmerrni, duke akuzuar kot mediat që raportojnë, kritikojnë, hulumtojnë se çfarë bën pushteti i ri.

Duhet të jesh shumë naiv të besosh se disa shifra, do ta ndreqin jetën e kosovarëve, sepse i thotë Albin Kurti.

Mijëra vende pune nuk janë hapur, por janë formalizuar dhe kjo sigurisht është arritje. Treguesit pozitivë mirë është të theksohen, por mos i fshehni problemet e rënda në ekonomi.

Bizneset, kur ishte në opozitë Vetëvendosja, duartrokiteshin prej saj, kur kritikonin qeveritë e kaluara. Sot, kur vetë qeveria e VV-së përballet me kritika, zemërohet me kompanitë.

Ka një hendek të thellë mes biznesit kosovar që punëson shumicën e njerëzve në Kosovë dhe qeverisë që i sheh nga lart dhe ua tregon disa shifra, por nuk ndërton raporte të shëndosha afatgjate.

Kur ishte në fushatë, Kurti zotohej se do ta ulte çmimin e energjisë. Në kushte krize të thellë, një zotim i tillë është utopik. Çmimin e përcakton tregu dhe rritjes nuk i shpëton dot as Kosova.

Më mirë furnizim me rrymë e politika të reja tarifore, pa reduktime të ashpra, sesa një vuajtje e tillë ndalesash me pasoja të rënda sidomos mbi bizneset që po pësojnë humbje të mëdha.

Deri para kthesës politike të 14 shkurtit, Kosova ishte bërë vërtetë një vend i vjedhur deri në palcë.

Por, a po ia kthen shpresën qeveria e Kurtit këtij populli?

Zgjedhjet lokale na e dhanë gjysmën e përgjigjes. Gjysmën tjetër, do ta zbulojmë sigurisht vitin e ardhshëm.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco