Një ‘vit i mbrapshtë’ me kriza para ‘shpërthimit’

Një ‘vit i mbrapshtë’ me kriza para ‘shpërthimit’

Nga Astrit Veliqi - 09/12/2021

Se Kosova po kalon nga kriza në një krizë, kjo tashmë edhe nuk prodhon më lajm gazetaresk.

Por se cila krizë po e mund tjetrën dhe sa do të ndikojë kjo në jetën e kosovarëve, kjo është një pyetje që në prapavijë e ka një përgjigje retorike me një fund me shije të hidhur.

E derisa kemi hyrë edhe në stinën kalendarike të dimrit, ku i ftohti veç ka filluar të shihet kudo, me shi e borë në pjesën ma të madhe të vendit, ajo që po na pret duket bukur alarmante.

Kjo pasi vendi po përballet me shumë kriza, sikur janë ato shëndetësore, që është pandemia Covid-19, kriza ekonomike me rritjen rekorde të çmimeve, kriza energjetike e cila veç po shkon buzë kolapsit.

Por ajo që është gati të shpërthejë janë ‘bombat’ sociale sikur janë presioni nga sindikatat për rritjen e pagave, por s’duhet harruar edhe rritja enorme e çmimeve të produkteve të cilat si duket edhe e kanë arritur pikun.

Ky vit, dashtë e pa dashtë, përveç shumë arsyeve tjera ka qenë edhe vit i mbrapshtë, ngase kosovarët janë ballafaquar edhe me shumë tragjedi dhe humbje jete si në trafik, ashtu edhe deri të vrasjet e pashembullta, sikur ishte ajo e fundit në Gllogjan.

Por të ndalemi të krizat të cilat edhe përkundër faktit se janë deri diku globale, megjithatë në vendin tonë të brishtë, si në aspektin politik, ashtu edhe atë ekonomik po godasin me një kosto të madhe ndaj qytetarëve.

E përderisa jemi në prag të festave të fundvitit, edhe sheshet e qytetet kosovare në të shumtën e herëve kanë marrë pamje festive e dekorative, megjithatë koha për festë, domosdo do të përcjellët me një pezëm të madh shoqëror.

Shto këtu edhe vështirësitë gjithnjë e më shumë të shportës familjare, ku familja kosovare po rrezikohet nga ngritja alarmante e çmimeve më elementare  e krizat e shumta sikur  është edhe problemi me energjinë,  e cila na rrezikon ta presim dimrin në terr e të mërdhirë.

Krejt këto po shihen si një barrë e madhe e qeverisë dhe kryeministrit Albin Kurtit, i cili si duket për herën e parë po përballet me diçka serioze, që mund edhe të ‘shpërthejnë’ në çdo kohë.

Por sa do të arrijë t’i menaxhojë qeveria këto kriza që po lindin natyrshëm edhe nga rrethanat pa mëdyshje edhe globale, do të shihet në vazhdim, por ditët e ftohta që na presin, nuk e kanë një shije të mirë, e që praktikisht do t’i godasin pjesën ma të madhe të qytetarëve.

Por a do ta presim këtë dimër me ngrohje e drita, ende nuk e dimë, por KEDS ka kohë që i ka ndezur zilet e alarmit për kursim sa më të madh të energjisë.

Por shtrohet pyetja, nëse nuk kemi rrymë, me çka do të ngrohemi, kjo pyetja kërkon përgjigje urgjente, e këtë duhet të na japin ata që po udhëheqin me institucionet tona legjitime.

Krejt në fund, krizat nuk po ndalen, edhe pse gati jemi në fundin e vitit 2021, por cila do të jetë përgjigjja karshi kësaj gjendje, mbetet për t’u parë.

Megjithatë, edhe si vit, përveç që mund ta quajmë si 'vit i krizave', pa mëdyshje epitetin që do ta merrte ky vit me të gjitha të këqijat e kaluara dhe të përjetuara do të ishte pa asnjë dilemë ‘vit i mbrapshtë’!

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco