Zgjedhje në kërkim të një modeli të munguar

Zgjedhje në kërkim të një modeli të munguar

Nga Syri.net Kosova - 17/10/2021

Për të gjithë ata që e kanë përcjellë fushatën elektorale, është e qartë se problemet në qeverisjen lokale mbesin të njëjtat nga zgjedhjet në zgjedhje. Ndryshimi i vetëm që mund të bëhet është te emrat e rinj që do të zgjedhen në krye të komunave apo në Asambletë komunale.

Më shumë se dy dekada, në secilën komunë të Kosovës ankesat për mungesë parkingjesh, komunikacion të mbingarkuar, mbeturina gjithandej, ndërtime pa kriter, shërbime të dobëta, arsim jocilësor, shëndetësi me mangësi, etj, janë bërë një refren i zakonshëm.

Edhe pse shumë nga çështjet e pazgjidhura, nuk kërkojnë buxhete të mëdha apo në disa raste, adresohen edhe pa para, nuk ka as edhe një shembull të vetëm komunal, për ta marrë si model të zhvillimit.

Kosova voton sot në zgjedhjet lokale, pa e pasur një shembull të qeverisjes efektive, kreative dhe zhvillimore.

Megjithatë, vota është vendimtare për delegimin e pushtetit te përfaqësuesit politikë, që nesër do të vendosin për fatet e komunave. Daja ende e zbehtë në votime, edhe më dobët se në vitin 2017, është tregues i një zhgënjimi të përgjithshëm.

Kaosi urbanistik, premtimet e pambajtura, investimet e munguara, kriza ekonomike dhe sociale, qeverisja shpesh arrogante e pushtetarëve edhe në nivelin lokal, është demotivuese për plot votues.

Sidoqoftë, ka plot kandidatë të mirë, njerëz profesionistë, politikanë të përgjegjshëm, që meritojnë mbështetje.

Ky është një proces i gjatë dhe elektorati kosovar ka dëshmuar se di si t’i ndëshkojë partitë, di si ta bëjë ndryshimin.

Zgjedhjet lokale kanë specifikat e veta. Nganjëherë kandidatët fitojnë më tepër mbështetje sesa subjektet që i kanë kandiduar ose partitë vlerësohen më tepër sesa kandidatët që nuk mobilizojnë dot votuesit.

Pavarësisht sondazheve, asaj që ‘bluhet’ në studio televizive, askush më mirë nuk e di situatën, sesa votuesit në komunat respektive.

Nëse janë të kënaqur me një kryetar, gjasat janë që t’ia besojnë sërish pushtetin. Nëse duan ndryshim, do ta orientojnë votën andej nga është oferta më e qartë dhe e realizueshme.

Në nivelin nacional, zgjedhjet janë një test për ecurinë e pushtetit qendror. Rezultatet do të jenë një sinjal domethënës për qeverinë aktuale.

Në Kosovë votuesi është emancipuar. Nuk ja merr dot votën më duke e mashtruar. Prandaj, mesazhi që do ta marrim vesh pasi të mbyllen qendrat e votimit dhe të dalin rezultatet, do të jetë me shumë peshë.

Deri atëherë, të shpresojmë se numri i votuesve do të jetë sa më i lartë, për ta forcuar legjitimitetin e përfaqësuesve në qeverisjen lokale.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco