Shi në zemrat tona!

Shi në zemrat tona!

- 09/10/2021
Gjindja janë mërzitur.
Shumë gajle.
Krizë e madhe.
Ftohtë.
Deri në WC me shku duhet me vesh bundë e dorëza!
Shqiptarët po largohen nga Kosova.
Askush (përveç dembeli dhe zingjini) nuk sheh të ardhme këtu.
Se s'ka të ardhme këtu.
Të gjithë po largohen.
S'ka mjeshtër, s'ka punëtor, të gjithë janë ulur për ta mësuar gjermanishten.
Nëpër kafiteri po punësohen 14-të vjeçarët si kamarierë.
Shqiptarët po e shesin t'gjall'të për të ikur nga Kosova.
Nuk ka punë.
Edhe nëse je i punësuar, ti nuk merr rrogë, por social.
Të punësuarit janë raste sociale.
E të papunëve nuk u dëgjohet zëri, ata janë pajtuar me mjerimin!
Kur vjen tetori, mua më qahet shumë.
Dhe gjithmonë më kujtohet vargu i dhimbshëm i asaj këngës boshnjake:
'Kur vjen tetori dhe bie shi, unë e kujtoj verën dhe mendoj për ty'!
Poezia e zbulon se çkado që ti ndjen, dikush tjetër e ka ndjerë para teje (e ty të duket se u bë nami me ty, se çka po ndjen ti, s'ka ndjerë kush para teje, mos provo Zot, veç shpirti yt e di, por goja s'di të tregojë).
Me ju tregu drejt, po dështoj edhe në aspektin e lotimit, sepse përpara qaja si bilbil, kisha aftësi të mëdha për të lotuar, pa e prishur vijën e llajnerit.
Tash, e pash një ditë, në çastin që filluan lotët, si qyqajkë, u ngrita menjëherë në këmbë se m'u ngushtu' gjoksi.
Pra, për të vuajtur duhet të jesh i shëndoshë.
Vuajtja është 'luks artistik'.
Po e lexoj Zenonin - nuk po më ndihmon.
Po e lexoj Katonin plak - nuk po më ndihmon.
Ta kisha një shok plak si ai i urti te filmi 'Eat, pray, love' që ia mëson Julia Roberts-it paqen dhe qetësinë.
Lënda 'Heshtja 1, 2 dhe 3-shi' është dashur të ishte lëndë mësimore në shkollat shqipe. E para. Para matematikës.
Nuk mund ta mësosh matematikën, pa e mësuar heshtjen!
Shqiptarët duhet të mësojnë të heshtin.
Ta shfrytēzojnë heshtjen si mekanizëm për ta parandaluar zbulimin e budallallëkut personal!
Zenoni tha se 'njeriu e ka një gojë dhe dy vesh, për arsye se duhet të dëgjojë më shumë e të flas më pak'.
Nuk dëgjon kush. Të gjithë flasin pa
pushu' për ta mbushur kotësinë me fjalë.
Dhe nuk mbushet se nuk mbushet kotësia, sepse jeton nga zbrazëtia!
Në gazetë po shkruan se janë kthyer hajnat e këpucave në Mat.
Me t'i vjedh këpucët para derës është mërzi, por mos me t'i vjedh ish inat.
I kemi harruar këpucët para derës (unë e motra). Të sajat i kishin vjedh, të miat jo. Qesha shumë, ama më erdh inat. Do me thënë as hajni nuk i begenis këpucët e mia.
Në vakt timin, në konvikt, ka qenë në modë avullimi i turshive, që studentët i mbanin në parmakun e dritareve që shfrytëzohej edhe si friz.
Edhe sot ndodh që cimerët ia fikun njëri-tjetrit derën e shpisë, t'i vjedhin ushqimet në frigorifer, t'marrin n'qafë.
Krizë e madhe.
Kqyri çmimet!
Nuk sheh rrugëdalje.
Kohëve të fundit, po 'shoqnohem' kryesisht me Zotin. I jam dorëzuar.
...njeriu më përpara i dorëzohet njeriut sesa Zotit. Kjo nuk është në rregull.
Kur i dorëzohesh Zotit - nuk shihesh, as nuk duket dorëzim!
Dorëzimi ish ndjenja më e mirë! Mos thuaj asgjë, pa e provuar. Provoje njëherë, dorëzohu, e pastaj kthehu e fol me mua.
Tek pasi që dorëzohesh, lindin disa ndjenja të çuditshme të qetësisë.
I thonë dorëzim-por është pajtim me fatin.
Ndërkohë, e pyeta njërin të ma gjej një punë në Gjermani. Punë fizike, pastrim gjeneral.
Çkado diçka. Unë më me precizitet fshij sesa që shkruaj!
Nuk shkon më kështu.
(vazhdon).
P.S. Qe sa vite provoj ta lexoj poezinë e mallkuar 'Tomino's Hell', por nuk po guxoj.
'Tomino's Hell' është një poezi famëkeqe, e mallkuar, që besohet se e mallkon ose madje e vret këdo që e lexon me zë të lartë.
Thuhet se askush nuk e lexon me zë të lart, ama unë s'kam guxuar ta lexoj as vet me vete!
Saijo Yaso, një poet i famshëm japonez, e shkroi poezinë pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Shumë besojnë se përmes poezisë, poeti i shpjegoi vuajtjet e tij, pasi babai i tij vdiq gjatë luftës.
Guximi më duket shkon me moshë. Ka ekzistuar një legjendë edhe për romanin 'Pse' të S.Spases. Sipas legjendes thuhej se, 'Nuk bën ta lexosh romanin Pse se kushdo që e lexon, e vret veten'.
'Pse' s kam lexuar në moshën 15 vjeçare, ama si sot më kujtohet, ia pata filluar leximif me disponim mohues, si mekanizëm mbrojtës.
Dhe dola e gjallë nga romani, pa gjetur asnjë përgjegje!
 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco