Samiti i Bërdos nuk solli atë që Kosova e priste

Samiti i Bërdos nuk solli atë që Kosova e priste

Nga Faton Bislimi - 06/10/2021
Samiti i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Bërdo të Sllovenisë qoftë nga substanca e paraqitur në “Deklaratën e Bërdos,” qoftë nga fjalimet e liderëve evropianë, nuk jep asnjë shpresë se ky konglomerat qeverisjeje i kontinentit të vjetër mund dhe do të sfidojë suksesshëm kohën dhe skeptikët. Përkundrazi, ajo që ndodhi në Bërdo, për mua mund të përmblidhet kështu sa i përket BE-së:
-- Retorikë e lodhur, në vend të thumbimit që kërkon koha;
-- Fragjilitet i brendshëm, në vend të kohezionit të domosdoshëm;
-- Monotoni lidershipi, në vend të krenarisë për të udhëhequr;
-- Plogështi veprimesh, në vend të vendosshmërisë me vepra;
-- Avashllëk e besa edhe boshllëk kreativiteti që sjellë vec letargji e skepticizëm, por assesi inkurajim e optimizëm.
Normalisht, secili që dëshiron të tingëllojë politikisht korrekt, nuk do e thoshte këtë që po e them, mirëpo, kur “politikisht korrekt” bëhet “ëndërr me sy çelë,” nuk na duhet assesi.
BE, për shkak të problemeve të brendëshme, here arsyëshëm e here paarsyeshëm, nuk i ka qëndru besnike përkushtimeve të veta ndaj Ballkanit Perëndimor e aq më pak ndaj Kosovës.
Është kjo BE që thirret në vlerat e lëvizjes së lirë, të drejtave të njeriut, respektit të diversitetit kulturor, ekonominë e lirë të tregut, etj., dhe e cila ende na mbanë të izoluar një grusht popull në një shtet, që realisht si BE, ende nuk e njeh si të tillë! Është kjo BE që pa shtytjen amerikane jo që s’do arrinte asnjë sukses në Ballkan, por përkundrazi, do pësonte edhe vet. Është po kjo BE, nga e cila doli Mbretëria e Bashkuar, dhe e cila s’do ta ketë më lokomotivën e kohezionit ekonomik të udhëhequr nga Gjermania nën lidershipin e Merkel. Kjo BE që ndaj neve është sjellë mirë vec prej zorit e asnjëherë prej dashamirësisë (me disa përjashtime të disa shteteve e liderëve, kuptohet!).
Neve nuk e kemi komoditetin dhe kohën e pafund që të presim karrotën nga BE, derisa shkopi na mbetet mbi kokë.
Ka vetëm një shpresë për ne: AMERIKA! Po, disa mund të mos e kuptojnë këtë ngase nuk e kuptojnë esencën e demokracisë përfaqësuese, fundamentin mbi të cilin është ndërtuar Amerika si fuqi globale. Por, mik më të sinqertë, më të parezervë për shqitparët sesa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk ka pasë e as nuk ka!
Sa më shpejtë që ta kuptojmë këtë, aq më mirë do t’i kemi punët! 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco