‘Vëllau' i Vuçiqit në Prishtinë

‘Vëllau' i Vuçiqit në Prishtinë

Nga Syri.net Kosova - 27/09/2021

‘Vëllau’i Vuçiqit erdhi në Prishtinë për të konfirmuar partneritetin e ngushtë me Serbinë për “Ballkanin e Hapur”, ku shumica e vendeve të rajonit janë jashtë tij, për shkak të tentimit për instalimin e hegjemonisë serbe në Ballkan.

Qëndrimet miqësore ndaj Beogradit, janë kryefjala e Edi Ramës edhe gjatë kësaj vizite. Retorika e tij për manovrat e Serbisë, ambasadorin rus në kufirin me Kosovën dhe bllokadën e serbëve në pjesën veriore, është një lojë fjalësh e pakuptimtë.

Mes rreshtash, kryeministri i Shqipërisë, ia tërhoqi vërejtjen Albin Kurtit, që po e refuzon bashkëpunimin në Ballkanin e Hapur të Ramës e Vuçiqit. Me pak fjalë, Rama i tha Kurtit “eja në klubin tonë” e pastaj qetësohet situate në veri.

Shqipëria si anëtare e NATOS dhe shtet i shqiptarëve, do të duhej të ishte e vendosur dhe e zëshme në dënimin e Serbisë, si vend agressor dhe gjenocidial, që po ngrit tensioned pasi Republika e Kosovës po vendos të zbatojë një masë të vogël reciprociteti.

Për Kosovën, ky është momenti i fundit i durimit dhe duhet ose të dëshmojë aftësinë për ta mbajtur dhe mbrojtur shtetin, ose të heqë dorë nga Republika e të hyjë në Ballkanin e Hapur, siç e do Serbia-si krahinë autonome e saj. Për fat të keq të shqiptarëve, këtë po e mbështet edhe Rama.

Vizita e këtij të fundit, rikonfirmon edhe një herë pozicionin thellësisht antishqiptar që ka aktualisht qeveria në Tiranë. Nuk mund ta bindë askënd Edi Rama se është në mbështetje të Kosovës për sa kohë marrëdhëniet e tij me zëdhënësin e dikurshëm të Milosheviçit janë në pikën kulmore, ndërsa situate mes Kosovës e Serbisë është kthyer në një atmosferë artificiale lufte, me kërcënimet që vijnë nga shteti serb.

Përballjen me Serbinë, një pozicionim i tillë i Tiranës zyrtare, e bën edhe më të vështirë për Kosovën, por vasaliteti ndaj Beogradit nuk mund të jetë kurrë një zgjidhje. Dialogu mbetet rruga për ta zgjidhur problemin, sepse serbët e dinë mirë se çfarë u solli lufta që e nisën.

Kosova sot e ka një problem të hapur, veriun, por veriu, të cilin Edi Rama,  Vuciqi e Thaçi, deshën ta bëjnë pazar për interesa të ngushta, është pjesë e territorit të Republikës.

Çdo sulm në veri nga ana e Serbisë, është sulm ndaj NATO-s, që edhe ka mandatin e veprimit në pjesën veriore të Kosovës.

Qeveria kosovare nuk duhet t’u nënshtrohet as presioneve të Serbisë e as këshillave “miqësore” të Ramës.

Një Ramë që mbron verbërisht Ballkanin e Hapur që faktorizon e favorizon dukshëm Serbinë, mbetet i pabesueshëm dhe kundër interest të Kosovës, që është edhe interes i kombit shqiptar.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco