Në një botë ideale, këto do të duhej të ishin temat e diskutimit në takimin e dy kryeministrave

Në një botë ideale, këto do të duhej të ishin temat e diskutimit në takimin e dy kryeministrave

Nga Seb Bytyçi - 26/09/2021

Periudha e stagnimit të integrimit Evropian duhet të nënkuptojë integrim më të fortë ndërshqiptar. Dy dekada pas çlirimit të Kosovës, integrimi institucional ka mbetur kryesisht në sferën e deklaratave parazgjedhore. 

Marrëveshjet e nënshkruara janë më shumë të formës dëshirore dhe nuk ka asnjë mekanizëm të mbikqyrjes së tyre. Edhe në fushën e kulturës ku ka integrim më të madh, në aspektin institucional ka ngecje. Përderisa Gjermania e Franca kanë kanal të përbashkët televiziv (ARTE), Shqipëria e Kosova nuk kanë. 

Në aspektin politik, Kosova është me e integruar me Serbinë se sa me Shqipërinë. Me nënshkrimin e Minishengenit, edhe Shqipëria është më e integruar me Serbinë se sa me Kosovën. Për krahasim, Serbia ka Këshill të përbashkët me Republika Srpska, kurse asgjë e ngjashme nuk ekziston mes Shqipërisë e Kosovës. 
Përveç kësaj, ka edhe mosmarrveshje të shpeshta mes politikanëve të Prishtinës e Tiranës sa i përket temave si integrimi rajonal e bashkëpunimi ndërshqiptar. Pra, Kosova ka nevojë për një dialog me Shqipërinë për integrim, paralalisht dialogut me Serbinë për shkëputje.

Integrimi ndërshqiptar duhet të konkretizohet përmes institucioneve formale. Këtu përfshihen Samiti i rregullt e i përhershëm i krerëve të shtetit, Këshilli Shqipëri-Kosovë, qeveritar e kuvendor ku mund të përfshihen edhe njësitë lokale, i modeluar sipas Këshillit Britaniko-Irlandez dhe Këshillit Nordik, Mekanizmi për mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjeve, dhe nënshkrimi i një marrëveshje bashkërendimi të ngushtë të modeluar sipas Marrëveshjes së Ahenit mes Francës dhe Gjermanisë. 

Si dhe formimi i Agjencive ekzekutive të përbashkëta në fushat si kultura, sporti, arsimi, shkenca, infrastruktura, visaret (resurset) natyrore (lumenjtë e malet), diaspora e zhvillimi ndërkombëtar. Kjo e fundit do të investonte edhe në bashkësitë shqiptare të margjinalizuara në rajon jashtë Shqipërisë e Kosovës. 

Të gjitha këto institucione do të mund të koordinoheshin nga një shef shteti i përbashkët përmes unionit personal.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco