'Deçani', Siguria, Shteti!

'Deçani', Siguria, Shteti!

Nga Astrit Veliqi - 14/07/2021

Ngjarja e mistershme e helmimit të mijëra qytetarëve në Deçan ka befasuar jo vetëm qytetarët atje dhe institucionet shëndetësore, por edhe ka zënë në befasi, shtetin por edhe vetë sigurinë në Kosovë.

Një ndodhi e tillë, mjaft e çuditshme, e cila po vazhdon ende si një enigmë, edhe pas 4-5 ditësh, është treguesi më faktik se sa shpejt mund të na cenohet mirëqenia por edhe vetë shëndeti i qytetarëve.

Kosova e cila edhe ashtu ka kapacitete shëndetësore të brishta, nga ajo që ndodhi në një komunë të vogël të Dukagjinit, sikur është Deçani, u sfidua jo vetëm komuna me kapacitetet e saj të limituara por edhe aftësia e reagimit të shpejtë nga institucionet qendrore.

Ngjarja në Deçan e cila fatbardhësisht po shkon drejt normalizimit deri në një masë, e që e mirë e saj është se nuk ka prekur në jetë të njerëzve, dëshmon se sa duhet të jemi të përgatitur si vend për të reaguar në raste të tilla alarmante.

'Helmimi' në Deçan edhe njëherë pa dashur me hy në detaje, se si ka ndodhur e nga kush, parasegjithash na ka sjellë para një 'akti të kryer', duke e sfiduar edhe mobilizimin e shtetit, i cili ishte edhe ashtu me reagim të vonuar.

Ky shembull sado i dhimbshëm që ka ndodhur, e ka dëshmuar në një masë paaftësinë tonë si shtet për të reaguar si dhe brishtësinë institucionale kur vihet në pyetje jeta njerëzore por edhe vetë siguria e një vendi të vogël sikur është Kosova.

Por si gjithmonë edhe ky rast i dhimbshëm, fatkeqësisht në masë të madhe është politizuar, duke 'harruar për një çast' se shëndeti i popullatës duhet të jetë mbi kauzat politike dhe demagogjitë ditore.

Rasti i mistershëm në Deçan ku u helmuan mbi 1500 persona, reagimin e shtetit përfundimisht e ka sfiduar, sikurse edhe paaftësinë e institucioneve të sigurisë në vendin tonë, për të cilat duhet të mbahet mend si një 'ogur i keq' për të ardhmen. 
  

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco