Erdogani, midis mundësisë dhe dëshirës?

Erdogani, midis mundësisë dhe dëshirës?

Nga Muhamed Kajolli - 30/06/2021

 

“...nëse Presidenti Turk, me vetë iniciativë kishte kërkuar nga Joe Biden të mbetej në aeroportin e Kabulit, them se ka gjykuar gabim dhe duhet të tërhiqet. Me suksesin turk në Afganistan, dhe me suksesin e Izraelit në Lindjen e Mesme, SHBA-të do të mburreshin dhe njëkohësisht do t’i qëndronin përballë kinezëve më lehtë, mirëpo, mundësia që turqit të korrnin suksese edhe në Anadoll edhe Ballkan do të ishte e pa mundur. Përveç kësaj, turqit do t’i linin të lirë Izraelitët të lëvrojnë tokat arabe si të duan dhe kur të duan. E ku do të mbetej pastaj Palestina.”

Dr.Muhamed KAJOLLI

Dolën shkëndijat e para të takimit të Qershorit të G7-ës, dhe Samitit të NATO-s. Shqetësimi i shteteve anëtare ishte ekonomia kineze dhe shtrirja e saj nëpër botë. Rëndësi të veçantë kishin zgjuar takimet Biden-Putin dhe Biden-Erdogan, gjë që gazetarët nuk na dhanë asnjë informacion. Mirëpo, siç e kisha theksuar në shkrimin e 17 qershorit, një pjesë e bisedave midis tyre do të mësohet pas pak ditësh...

Më 24 qershor në Ankara të Turqisë ishte zhvilluar një takim midis një delegacioni teknik të SHBA-ve dhe ministrit të mbrojtjes të Turqisë Hulusi Akar. Temë diskutimi ishte Aeroporti i Kabulit “Hamid Karzai” në Afganistan. Pse u bisedua vetëm për këtë aeroport?

Të dhëna të përgjithshme

Afganistani është një shtet që gjeneratë pas gjenerate lindin e vdesin në luftë. Sot , ka një territor prej 650 mijë km2, me 32 milon banorë, me një GDP prej 21.5 miliar $, për person 490 $. Muslimanë 99.7 %. Në të jetojnë pashtunë 42 %, taxhikë 27 %, hazarë 9%, uzbekë 9%, tukrmenë 3%.

Afganistani kufizohet me Turkmenistanin, Taxhikstanin, Uzbekistanin, Pakistanin dhe Iranin. Sipërfaqja në total e këtyre shteteve është: 3.631 milion km2, me një popullsi 354 milion banorë, feja e tyre 95.5 muslimanë (73% sunitë dhe 22% shiitë), 3% të krishterë, 1 % hindu etj. Një GDP prej 2.517 trilion $, për kokë banori 7 mijë $.

Kur ne kemi përpara këtë pasqyrë të dhënash, atëherë kuptojmë se kufijtë e Afganistanit nuk janë të kontrollueshëm. Një, për shkak të reliefit shumë të thyer, nën dy, popujt përreth tyre janë muslimanë dhe nën tre, etnitë që jetojnë në të, janë po ato të shteteve përreth. Farefisnia dhe feja i bashkon kundër armikut të huaj, mirëpo, janë shumë përçarës kur plasin probleme të brendshme. Gjatë luftës Rusi- Afganistan (1979-1989), SHBA-të dhe britanikët iu mundësua të ndërtojnë një universitet “fetarë” në Pashavar të Pakistanit, me qëllim “shkollimi” afganët e rinj. Përbërja etnike dhe tani talibanët kanë vështirësuar marrëveshjet në këtë vend. Prandaj asnjë popull i huaj nuk pretendon të marrë nga Afganistani, përveç mbajtjes nën kontroll aeroportin e Kabulit. Me të i ka të gjitha.

SHBA-të po tërhiqen?

Pas 20 vjet pushtimi të Afganistanit nga SHBA-të, u paralajmërua tërheqja e ushtrisë më të fuqishme në botë!? Gjithmonë sipas parashikimeve të tyre 11 shtatori është data e tërheqjes së ushtarit të fundit.

Nga të dhënat e sipër theksuara mësojmë se as fuqia kontinentale (Rusia), e tani as fuqia globale (SHBA-ja) nuk mundën të qëndrojnë në këtë shtet. Rusia përdori elitat më të egra ushtarake, ndërsa SHBA-të përveç ushtrisë më të sofistikuar përdori edhe diplomacinë, mirëpo, pa sukses. Arsyet janë të shumta, për të cilat nuk mund të merremi me to në këtë tekst analitik të shkurtër.

Tërheqja e SHBA-ve nuk ishte befasi për shumë analistë, bile disa mendojnë se kanë qëndruar më gjatë se sa pritej. Tërheqja e SHBA-ve nuk i ngjason tërheqjes së rusëve të cilët u larguan pa përfitime politike dhe ekonomike, por futën bishtin ndër këmbë dhe ikën. Ndërsa SHBA-të për të mos u turpëruar sikurse rusët, po tërhiqen me marifet diplomatik dhe me një strategji të lartë.

Shtrirja përtej mundësive

Historikisht, turqit osmanë asnjëherë nuk kanë pasur shtrirje ushtarake në Azinë Qendrore, mirëpo, të qenit e tyre kalifat islam ata gëzonin respekt deri në Indinë e largët dhe përtej saj. Mirëpo, shtrohet pyetja a është vendim i drejtë që Turqia të zëvendësojë SHBA-të në Afganistan?

Të dhënat e përgjithshme thonë se është e mundur të ketë sukses, mirëpo, nëse analizohen detajet, kocka mund t’iu ngecë në fyt. Shtetet që kufizohen me Afganistanin në Veri Turkmenistani, Taxhikistani dhe Uzbekistani janë shtete nën komonwelt-in Rus, mundësia për t’i rebeluar afganët kundër Turqisë qëndron. Në lindje, Irani ka qëndrime të hapura kundër SHBA-ve, bashkëkoordinon diplomacinë e saj me rusët dhe kinezët, mirëpo, edhe pse ka shenja përafrimi me turqit kjo mund t’i prishë ato. Pakistani me shumicë sunite, udhëhiqet nga pakicat fetare në vend sikurse Siria.

A mund të ketë sukses?

Largimi i SHBA-ve nga Afganistani zgjoi interesim të menjëhershëm tek kinezët, rusët dhe shtetet e rajonit. Kjo u vërejt menjëherë kur palët e interesuara ngritën zërin e tyre kundër marrëveshjes SHBA-Turqi më 24 qershor për vazhdimin e misionit të ushtrisë turke në aeroportin Hamit Karzai. Ushtria turke gjatë gjithë kohës sa ishte SHBA-ja në Afganistan ishte prezente, sidomos 500 ushtarët kishte vendosur në këto gjashtë vitet e fundit në aeroport. Me këtë marrëveshje ajo do të dëshironte të luajë rolin stabilizues në rajon, dhe njëkohësisht të shtrijë ndikimin e saj politik dhe ekonomik.

Se një Turqi prej 83 milion banorëve me një buxhet të njëjtë sa të gjitha shtetet përreth Afganistanit (2.5 trilion $), do të mund ta luajë këtë rol mbetet të shihet në vitet në vazhdim. Gjasat për sukses qëndrimi në të janë aq të mëdha sa edhe humbja. Për këtë arsye presidenti i Turqisë në periferi të një takimi të nivelit të lartë të NATO-s gjatë këtij muaji me Joe Biden kërkoi "ndihmë diplomatike, logjistike dhe financiare" për të mbrojtur dhe funksionuar aeroportin e Kabulit. Ndihmën që ai e dëshironte ishte që, në këtë mision të përfshihej Pakistani dhe Hungaria. S’ka dyshim se Pakistani i nevojitet për logjistikë ndërsa Hungaria për të regjistruar saktësinë e ndihmave amerikane.

Se diplomacia turke është duke u zgjeruar s’do mend, mirëpo ky mision mund të jetë shumë i rrezikshëm sikurse për Turqinë ashtu edhe për ummetin islam. Atë që nuk arritën ta bënin rusët dhe SHBA-të në Afganistan, ka gjasa të mëdha ta bëjnë turqit, por duke humbur Turqinë dhe rrezikuar ummetin...

Ku qëndron e keqja?

Historia e para një mileniumi na mësoi se Anadolli ka qenë tre mexheja midis bizantinëve, persëve dhe arabëve. Vetëm me dyndjen e turqve, Anadolli u bë musliman së bashku me Ballkanin dhe territoret veriore të Detit të Zi. Suksesi me gjasmë shumë i mundshëm i Turqisë në Afganistan i ndihmuar nga SHBA-të, do t’a bënte atë të fokusohej në mënyrë permanente në këtë territor të trazuar dhe kthimin e tyre në vendin e origjinës.

Mos suksesi në të do ta dobësonte aq shumë Turqinë, sikur në rrafshin politik ashtu edhe në rrafshin ekonomik. Fokusi për sukses në Afganistan do t’i marrë kohë dhe do ta dobësojë vizionin për një ideologji të hapur dhe demokraci islame. Turqia e harxhuar politikisht dhe ekonomikisht do të detyrohej të tërhiqej nga marrëveshja me Libinë e pse jo, një ditë edhe nga vetë Anadolli.

Për në fund, nëse Presidenti Turk, me vetë iniciativë kishte kërkuar nga Joe Biden të mbetej në aeroportin e Kabulit, them se ka gjykuar gabim dhe duhet të tërhiqet. Me suksesin turk në Afganistan, dhe me suksesin e Izraelit në Lindjen e Mesme, SHBA-të do të mburreshin dhe njëkohësisht do t’i qëndronin përballë kinezëve më lehtë, mirëpo, mundësia që turqit të korrnin suksese edhe në Anadoll edhe Ballkan do të ishte e pa mundur. Përveç kësaj, turqit do t’i linin të lirë Izraelitët të lëvrojnë tokat arabe si të duan dhe kur të duan. E ku do të mbetej pastaj Palestina.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco