Milionerët e Kosovës së varfër!

Milionerët e Kosovës së varfër!

Nga Astrit Veliqi - 28/06/2021

S'mund t'i numërosh në gishta, por janë me qindra milioner të Kosovës së varfër, e cila që nga paslufta është abuzuar si një plaçkë dhe ata që e kanë udhëhequr tash e 20 vite e kanë 'mjelur' në të gjitha format e saj.

Zaten kjo po shihet nga deklarimi i pasurisë së zyrtarëve publikë të cilët pa asnjë mëdyshje kanë deklaruar pasuri marramendëse, si makina të shtrenjta, vila, banesa, pasuri, biznese dhe para të shumta në kontot e tyre bankare.

Por kush janë këta njerëz, që brenda natës u bënë 'milioner' që për 20 vite e shfrytëzuan në format më abuzive Kosovën e shkretë, duke u gostitur me pushtetin e tyre dhe luksin e pakufishëm.

Janë pikërisht politikanët që nga karriget e pushtetit, herë edhe me votat e 'vjedhura' u rehatuan në poste nga me të ndryshmet, si deputet, ministra, zyrtarë, drejtorë në borde e agjenci të ndryshme shtetërore, atje ku paraja ka qarkulluar me shifra astronomike.

Megjithatë, pyetja e cila lind pa mëdyshje në gjithë ketë tragjiko-komedi kosovare, është se pjesa më e madhe e tyre, xhirollogaritë e mbushura nuk i kanë pse kanë bërë ndonjë punë të hairit, apo me ndonjë djersë të ballit.

Aq me tepër dorën në zemër, nuk janë para të një rroge a dy si thuhet, por si të tilla burimin e kanë në afera dhe abuzime të mentalitetit ballkanas.

Me një fjalë janë nga 'vjedhjet klasike, apo si njihen në popull nga aferat e ndryshme të cilët duke e shfrytëzuar transicionin edhe të vetë shtet-ndërtimit, u pasuruan si me qenë në ndonjë vend alpin zviceran apo të mbretërive nordike.

Ky është paradoksi kosovar, ku milionerët dhe të pasurit po bëjnë kërdi, e gjysma e popullsisë janë në varfëri ekstreme, që si të tillë ka nga ata që nuk mund ta mbyllin as muajin si duhet.

Klasa e të pasurve e ka mbytur tashmë edhe klasën e mesme, duke sfiduar me të madhe edhe klasën e ultë, e cila ka mbetur edhe ashtu në zgrip të ekzistencës pas luftës me pandeminë globale, Covid-19.

Politika e 'stërkequr' e Kosovës së varfër po dëshmohet si rruga më e lehtë për të arritur deri të pasuria e majme, derisa biznesi e ekonomia janë veç si hije e tyre, ku nga postet publike mund të arrihet me lehtë të kapja e projekteve dhe investimeve kapitale.

Kjo është me pak fjalë pamja e sinekdotës se mjerë kosovare, ku milionerët e politikës pak e qajnë kokën për hallet e shumta të qytetarëve, derisa për vete kanë mbushur kontet bankare, duke shijuar luksin deri në maksimum.

Çka të thuhet për fund!

Edhe po të duam s'mund t'i japim epitet tjetër, ngase si për kuartazi kur jemi 22 vite pasluftës, edhe për fytyre po iu shkon, madje kokë e këmbë bashkë si 'milionerët e Kosovës së varfër'!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco