Për Myzerimin, Anitën dhe pasigurinë në shtetin shqiptar

Për Myzerimin, Anitën dhe pasigurinë në shtetin shqiptar

Nga Bajram Mjeku - 28/06/2021

Vrasja e katërfishtë në Velipojë, më kujtoi një detaj interesant në qershor të vitit 2000 në kryeqytetin norvegjez në Oslo.

Një mëngjes derisa isha në vendin e punës, erdhi Anita, një gazetare e të përditshmes "Aftenposten", e cila me mirësjelljen e saj të jashtëzakonshme më ftoi në drekë, pasi kishte për të biseduar një detaj të rëndësishëm siç thoshte ajo, gjithmonë duke shprehur shqetësim se më pengonte në punë.

Gjatë drekës, Anita më tha se qëllimi pse më kishte ftuar, ishte pse atë verë kishte vendosur të pushonte me familjen e saj në rivierën shqiptare dhe gjatë bisedës insistonte të dinte për sigurinë në bregdetin shqiptar. Sipas saj, i vetmi bregdet që kishte mbetur pa eksploruar ishte bregdeti shqiptar, megjithëse në moshë ishte rreth të tridhjetepestave.

Dorën në zemër u sfidova shumë, për faktin se nuk ishte lehtë për mua të shprehesha për pasigurinë në shtetin shqiptar. Ndjehesha keq, sepse ishte e rëndë për mua të thoja të pavërtetën. Gjatë drekës i dhashë një përgjigje të vagullt, mbrapa së cilës nxora një të vërtetë të vockël, pasi Shqipërinë për herë të fundit e kisha vizituar në vitin 1996 dhe lufta në Kosovë më kishte shpërqëndruar vëmendjen nga zhvillimet në Shqipëri!

Një vit më vonë kur vendosa të kthehesha në Kosovë, Anita kishte dëgjuar për vendimin tim. Më solli një dhuratë të çmueshme të praruar në argjend, të cilën e ruaj edhe sot, si dhe një notes me firmat e disa gazetarëve të së përditshmes më të lexuar në Norvegji. Nuk guxoja ta pyesja se a e kishte vizituar ende Shqipërinë, por buzëqeshja e saj fliste më së miri se ende hamendësohej të vizitonte rivierën shqiptare...

*) Këtë postim simbolik ia dedikoj të riut Myzerim Zeneli, i cili u vra mbrëmë në Velipojë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco