Përse Rama zgjodhi të provokojë pas këtyre masakrave tronditëse

Përse Rama zgjodhi të provokojë pas këtyre masakrave tronditëse

Nga Enton Palushi - 27/06/2021

Shqiptarët u zgjuan të dielën me lajmin tronditës të vrasjes së katër personave në Shkodër. Lajmi do kishte shokuar këdo edhe në shtete shumë më të mëdha se Shqipëria e tretur. Personi që duhej të ishte më i shqetesuari për këtë situatë, postoi një foto nga vendi i krimit, por krejt të kundërtën e asaj që mund të imagjinojë çdo mendje që nuk është e sëmurë.

Skenari i parë dhe më pak ogurzi është se Rama dhe stafi i tij nuk shqetësohen fare për atë që ndodh në Shqipëri, sikundër e kanë bërë të ditur kur shpallën politikën: Hëngshin kokat e tyre. Skenari i dytë dhe më ogurzi është që ky ishte një provokim. Këtë skenar e konfirmojnë hienat mediatike të pushtetit, që iu turren shkodranëve si njerëz të egër të prirur për krime, a thua se vrasjet që po bëhen në Sarandë e Vlorë janë akte qytetarie. Janë të njëjtat hiena mediatike që iu turrën deputetit gjerman Guenther Krichbaum, me të njëjtin stil e fjalor, por ky i fundit ia tha Ramës troç në Berlin se ata flasin me gjuhën e tij.

Por përse ka zgjedhur Rama një provokim të tillë?

E para, sepse as nuk i intereson se si reagojnë dhe çfarë bëjnë shqiptarët. Ai nuk është i zgjedhuri i tyre dhe nuk i jep llogari askujt. Atij nuk ia kanë dhënë votën të mbajë përgjegjësi, por ua ka marrë me dhunë e lekë.

E dyta, sepse nuk mund të presësh pas 8 vite qeverisje me krimin që gjërat të ndryshojnë. Nuk ka eksperiment që del ndryshe pas dy herësh. Qeverisja me krimin prodhon vetëm krim dhe varësi të politikës nga krimi.

E treta, sepse policia i duhet vetëm për një gje: që të konsolidojë pushtetin personal dhe të manipulojë zgjedhjet. Ardi Veliu nuk i është dashur kurrë për gjëra të tjera.

E katërta, sepse është mësuar të qeverisë me propagandë. Kjo e fundit jo vetëm modifikon realitetin, por edhe synon të zhvendosë vëmendjen nga debatet e rëndësishme. Edhe këto teza raciste që po përhapin hienat mediatike kanë për qëllim që të mos krijohet urrejtje për qeverisjen, por për njerëzit.

Askund nuk është më e dukshme kjo se te masakra në rrugën Fier- Vlorë, ku u shua një familje. Nuk janë të pakët ata që mendojnë se fajin e kanë shqiptarët që nuk dinë të ngasin makinat, se fajtorë janë pasanikët, se ne nuk bëhemi, se shoqëria është prishur, etj. Asnjë studiues dhe asnjë teori nuk i mbështet këto qasje. Fajin për këto masakra e ka qeverisja dhe shteti.

Sepse askund më shumë se në rrugë nuk shihet dështimi i shtetit. Nuk është rastësi që shumica e mediave të huaja dhe diplomatëve që shkruajnë e raportojnë për Shqipërinë e nisin nga rrugët. Edhe Al Jazeera para pak ditësh këtë gjë bënte.

Sepse në rrugë dhe te makinat shihet a funksionon shteti ligjor.

Sepse në rrugë dhe te makinat shihet sa i madh është hendeku mes të pasurve dhe të varfërve.

Sepse në rrugë dhe në makina shihet se sa ka depërtuar krimi në vend.

Sepse në rrugë dhe makina shihet se si investon një shtet dhe sa vjedh ai.

Sepse në rrugë e makina shihet korrupsioni, keqmenaxhimi, mosbesimi, tërbimi, etj.

Prandaj duhen të tilla provokime të ndyra, që njerëzit të mos merren me shkakun, por vetëm me pasojat. Duhet që njerëzit të mos e kuptojnë se pa hedhur themelet e një shteti, nuk ndërtohen muret dhe çatia. Dhe themelet e një shteti janë zgjedhjet e lira dhe mundësia për garë dhe rotacion. Rama i ka bllokuar këto, prandaj nuk shqetësohet për asgjë. Madje për këtë arsye bën edhe provokime. Me Shkodrën e ka inatin.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco