Rrugët e tmerrit ku qytetarët po bëhen 'kurban'

Rrugët e tmerrit ku qytetarët po bëhen 'kurban'

Nga Astrit Veliqi - 07/06/2021

Pothuaj nuk kalon ditë që nuk përgjaken rrugët e vendit, duke shkaktuar viktima të shumta, ku nuk po kursehen as fëmijët e vegjël.

Por pse po ndodh kjo pamje e cila pa mëdyshje jo vetëm për mendjen njerëzore  është tragjike, por edhe për syrin duket mjaft e dhimbshme.

Dhe ky fenomen është rritur sidomos  gjatë kësaj kohe, kur rrugët janë mbuluar nga shirat, por edhe veturat janë shtuar nga kthimi i mërgimtarëve në Kosovë.

Por kur është në pyetje jeta njerëzore, pak ka rëndësi se kush janë fajtorët, por ata që duhet dhënë llogari janë shoferët, sidomos të rinjtë që nuk mendojnë dy herë dhe marrin veturat e 'fluturojnë' në rrugët e vendit, sikur të ishin duke garuar në pista olimpike.

Përveç kësaj, problemet me pasoja fatale po sjellin edhe rrugët të cilat mund të çalojnë duke mos i plotësuar standardet bazë të kritereve evropiane.

Por ajo që duhet përmendur, është se pikërisht për këto rrugë janë derdhur miliona nga buxheti i shtetit të varfër të Kosovës, madje edhe me afera të ndryshme korruptive,  e në fund si të tilla po bëhen tmerri për jetën e qytetarëve.

Pamjet e trishta dhe të rënda nuk duan shumë koment, ku sidomos gjatë kësaj jave humbën jetën shumë qytetar, derisa kulmi arriti të dielën e cila u bë e ditë zezë, ku u shua një familje 4 anëtarëshe nga Shtimja.

E kjo ndodhi nga një i ri, që duke u mësuar nga jeta e shfrenuar e tij, me veturën luksoze, godet një familje e cila ishte në rrugën e saj, pa asnjë faj, duke shkaktuar 4 viktima në vendin e ngjarjes.

Kjo praktikë duhet të marrë fund njëherë e mirë, dhe rastet e tilla nuk guxojnë të përsëriten, ngase fajtorët duhet ndëshkuar rreptë, në mënyrë që historia e tillë tragjike të mos na përsëritet më.

Por sikur për çdo fenomen edhe këto ngjarje, sikur po kalohen në heshtje, dhe shteti nuk po ndërmerr asnjë veprim as ma të voglin, që këto pamje 'horrori' të mos i shohim ma në rrugët e vendin tonë.

Duhet shikuar dhe ndryshuar edhe legjislacionet në fuqi, që si të tilla, nuk po kanë efektin e duhur, prandaj kur nuk ka zgjidhje në këto raste, duhet futur në zbatim edhe masat radikale.

Ligji duhet të jetë i drejt për të gjithë pa përjashtim, sikur edhe patrullat policore duhet të shtohen në akset rrugore, në të kundërtën pamje e tablo tragjike, do të shohim edhe në ditët në vijim, pa e përjashtuar edhe sezonin veror, kur mërgimtarët vijnë më të madhe për pushime në atdheun e tyre.

Lufta ka mbaruar tash e 22 vite, Kosova po ndërtohet si shtet me takatin e saj, por është e pajustifikueshme dhe nuk falet që qytetarët e sidomos fëmijët tanë të bëhen 'kurban' në rrugët e vendit.

PIKË!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco