Fundi i kapadainjve

Fundi i kapadainjve

Nga Syri.net Kosova - 07/06/2021

Djemtë e Adem Grabovcit, kur e shkelnin ligjin, nuk kishte polic që u dilte para. Ndoshta edhe kishte, por vinin pasojat. Kuptohet, jo për shkelësit e ligjit, por për zbatuesit dhe mbrojtësit e tij.

Kjo praktikë, u bë e zakonshme gjatë dy dekadave, kur të fortit e pushtetit, konsideroheshin të paprekshëm.

Kush e mendonte se një ditë, Xhavit Halitin mund ta ndalojë policia e t’i shqiptojë një gjobë për mosmbajtjen e maskës anti-Covid?

Zhurmë e madhe shpërtheu pasi policia ndaloi ish-shefin e  Zyrës për veteranët e luftës. Disa nga njerëzit e UÇK-së, janë konsideruar si të pacënueshëm nga ligji. Me këtë shpërfillje ndaj autoriteteve që nuk guxonin t’u afroheshin, edhe kur këta të fundit bënin shkelje, simbolet e luftës për liri përcollën një imazh të keq te publiku.

Veteranëve të luftës, t’ua heqim kapelen për sakrificën dhe kontributin, megjithatë, nga zbatimi i ligjit nuk ka pse të privilegjohet askush.

Shumica e njerëzve të luftës, bëjnë jetë modeste ose kanë emigruar në pamundësi për të ndërtuar një jetë normale në Kosovë. Kjo është pjesa dinjitoze dhe përfaqësuese e idealit të luftës.

Pakica që e shpërdoroi emrin e UÇK-së, mori pushtet dhe u pasurua në mënyrë të dyshimtë e korruptive, e vuri veten mbi sundimin e ligjit.

Sigurisht, që nuk e mendonin që një ditë vjen ministër i Brendshëm, Xhelali dhe policët marrin guximin të ndalojnë edhe një ‘të fortë’.

Para ligjit jemi të gjithë të barabartë, por disa ishin më të barabartë se të tjerët. Nëse pushteti i Vetëvendosjes, i jep fund kësaj aksiome politike të mbrapshtë, do ta ruajë me siguri mbështetjen te votuesit.

Një pjesë e opozitës dhe megafonët e PDK-së në mënyrë të veçantë, po përpiqen ta portretizojnë qeverinë aktuale në Kosovë, si një ekzekutiv anti-UÇK, me idenë se kështu do ta godasin reputacionin e saj në prag të zgjedhjeve lokale.

Duket një strategji krejtësisht e gabuar. Nëse i sheh reagimet në rrjetet sociale në lajmet për rastin e fundit të ndalimit nga policia të një ish-të forti nga krahu i luftës, e kupton se opinioni publik mirëpret veprimin e shtetit edhe ndaj këtyre që deri dje ishin të paprekshëm.

Secili që e shkel ligjin, duhet të ballafaqohet me pasojat përkatëse, pavarësisht kush është.

Paralajmërimet për protesta, janë vërtet absurde. I bie që, nëse një ish-pushtetar ndalohet me të drejtë nga policia, u dashka që të protestohet se qenka prekur dinjiteti i tij dhe lufta që përfaqëson.

Kapadaillëku i kujtdoqoftë, duhet të marrë fund një herë e mirë. Në emrin e luftës, janë bërë shumë abuzime. Figura të njohura për publikun, e kanë shpërdoruar emrin UÇK-së dhe janë pasuruar shumë, në mënyrë të pajustifikueshme, përfshirë edhe këtë protagonistin e herës së fundit kur ndërhyu policia.

Veprimi i drejtë i organizatave të veteranëve është distancimi nga çdo shkelje dhe abuzim. Më mirë të merren me pastrimin e listave të veteranëve, të cilat korrupsioni i disa individëve, i populloi në mënyrën më abuzive të mundshme.

Në kurriz të taksapaguesve kosovarë, sot janë mijëra “veteranë” që përfitojnë padrejtësisht dhe paligjshëm miliona euro çdo vit. Kjo është një arsye e fortë për protestë, por nuk merret kush me këtë temë të anashkaluar prej të gjitha qeverive.

Praktika e veprimit vetëm ndaj atyre të ‘dobëtëve’ dhe amnistimit të ‘të fortëve’, është ndër njollat më të errëta të këtyre viteve.

Gjykatat kanë liruar pushtetarë dhe njerëz të lidhur me ta, edhe pse ka pasur boll prova për t’i dënuar, ndërsa nuk i kanë kursyer për krime minore njerëzit që nuk e kanë pasur ‘shpinën’ e fortë.

Në një vend pa drejtësi, edhe demokracia bëhet e pakuptimtë.

Kosova është e etur për sundim të ligjit, prandaj çdo veprim që e dëshmon vendosjen e rendit dhe zbatimin e ligjit, do të duhej të mbështetet nga të gjithë, pavarësisht bindjeve politike.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco