Milionerët e luftës e fëmijët e titistëve

Milionerët e luftës e fëmijët e titistëve

Nga Çun Lajçi - 05/06/2021

Isha ba gati më shkrua për macjën (a maçokun, ku t'ia di gjininë unë) por jo për kryetulët tullac, me tru n’themra! Dojsha me shkrua për hajneshën e mahallës, që tinzisht e nxuni pëllumbin n’teracën time, derisa unë po thermoja kore buke. 

Isha gatua me rradhitë shkronja, se përsonazhin e kisha pa me sy, ndaj shpejt u ula të kompjuteri që t’ia nxa fillin shkrimit.

I vuna gishtat n’tastaturë, me rradhitë tregimin e mëngjesit, për pëllumbat dhe macjën hajneshë!

E ktheva kryet kah teraca, që ta kujtoja edhe nji herë kafshën e vogël, që zvarritej barkas, si ushtari n’luftë, për t’iu hudhë shigjetë shpendit, që hante trosha buke! 

Por pashë vetëm pupla, me pika gjaku, tue fluturua n’ajër. 
Mu duk si n’film!  Mungonte vetëm Bekimi, ai mbledhës puplash e kanga “Romane” e Olivera Katarinës, me u mbërthye n’rolin e tij gjenial.

Por, derisa m’përfytyrohej Bekimi n’përqafimin e jevgës së bukur, m’dilte para pëllumbi i mbërthyem n’dhambë maceje që përplaste krahët!

Edhe gjaku n’pendla, gjasonte me duert e përgjakuna t’artistit yll, që noton amshueshëm, n’Lumbardhin e Prizrenit!
Dhe iu ktheva kompjuterit, i lumtun për gjetjen e tregimit brilant. Po e quej thashë, “Macëja dhe puplat e pëllumbit n’filmin e yllit”, dhe nxitova ta hap profilin e facebookut tim, që ta shkruej treginin e ta ndaj me ata që m’lexojnë çdo ditë!
   Por, ku t’len me shkrua tregime jete, mjerani që poston t’zezat e shpirtit, tue i ba malazez shqiptarët e Ulqinit, Krajës e Tuzit! 
   “Kryeministri asht malazez”, thotë Ismeti, që s’e njeh as partia e vet, dhe n’Kosovë do ta kthej Serbinë!
   Dhe, si t’mos i lëxosh shkarravinat e pykës që mundohet me ça çdo lis: UÇK-ja ka ma pak milionerë (pra ka, e pranon vet) se sa fëmijët e titistëve jugosllav!?
   Primitiv i madh duhet t’jeshë që t’u thuesh 2 milion shqiptarve titistë e jugosllav, vetëm pse jetuen n’kohë komunizmi! Por, çka din pyka, pos me hi n’plasa e me çkye lisa!
   I lëxova marritë e analfabetëve, por e vjella kafjallin, e tregimin ma shpupurishën, si pëllumbin macëja n’terasë! 
   Këta janë hujt e kalbun të dy dekadave, që t’thejnë shpirtnisht e mandej provojnë me t’thurë n’gardhin e tyne!
   Injorantët që s’ngopën as me toka as me pare, as me tregimin e shpendit n’gojë mace, as me gjakun n’pupla!
    Deshpërimisht ofshana!
    Jo! S’du me besua, se inati ka zbritë n’shkallën e hakmarrjës!? 
   S’du me besua se lakmia për pushtet, ua paska pi trutë e zogut, si macjës për pëllumbin, herojve t’paqes, thashë, dhe e fika kompjuterin!
   Sot, milionerët e luftës e fëmijët e titistëve,(siç tha nji gjeneral pa grada), ma shkrumuen tregimin për pëllumbin n’gojë macëje!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco