Varfëria bashkëkohore, 'Discovery Channel UK' dhe verbëria

Varfëria bashkëkohore, 'Discovery Channel UK' dhe verbëria

Nga Enver Morina - 25/05/2021

Vlerat dhe përsosmëria e dijes së njerëzimit është e paarritshme. Mirëqenia e sotme është në luftë më veten, siç ka qenë qindra vite më parë. Eshtrat e zbuluar nëpër piramida përmes të arriturave më të sofistikuara teknologjike të fotografimit, siç është “Discovery Channel UK” na dëshmon këtë. Kur e vizitova Shpellën e Postojnës në Slloveni, katërdhjetë vite më parë, për herë të parë dhe të fundit, isha me babain. E rikujtoj ngjyrimin e kuqtë të errët dhe madhështinë e asaj pamje, siç ndërhyn në memorien e vizitorëve Shpella e Gadimës me shkëlqimin dhe detajin e saj më “intim”.

Janë të panumërta momentet në hapësirën e Dardanisë që i kanë shpëtuar vandalizmit të njerëzimit. Dhunës ndaj kulturës, artit. Krijimtarisë së Tjetrit. Në mes këtyre vlerave përgjatë shekujve dhe kopshteve zoologjike, tashmë nuk ka ndërmjetës. Në qendër të ekranit janë vënë parlamentarët dhe facebook-ët e politikanëve, aktet terroriste dhe t’përputhurat e “të moshuarve”. Kosova ka një festival të rëndësishëm ndërkombëtar te filmit me emrin “Hyjnesha në Fron”.  Statuja me një vjetërsi mijëravjeçare është gjetur pranë Prishtinës në vitin 1956.

Me “pagat e kursyera” diplomatët mund të arrijnë pensionimin dhe të kenë një pleqëri të qetë. Republika edhe për këta ka rezerva të pashtershme parash. Nëse vazhdojmë të mos jemi njerëz të lirë me pasaportë të Republikës së Kosovës, atëherë ata që punojnë nëpër vende të zhvilluar të Evropës le të vaksinohen që të na ndihmojnë në Kosovë, që të bëhemi imun ndaj të tjerëve. Të parat para nga shkrimet i kam marr në katin e Shtatë të objektit të medieve që sot është kthyer në objekt qeveritar. Sukseset dhe të arriturat e Republikës janë të pakufishme. Të papara në kohëreale! 

Një format i rileximit borgesian është angazhimi i operatorëve, regjizorëve, skenaristëve dhe redaktimi i xhirimit te programeve të sotme televizive. Një grup kineastësh imagjinar, pasi kanë gjetur botimin e parë të veprës së Borges, kanë futur mikroçipët në shkronja, për të dhënat origjinale të krijimtarisë. Edhe pse ishte gjallë Jorge Luis Borges, nuk do e shihte. Nuk do e kërkonte gjenezën e shkrimit. Ndoshta zanafilla e un-it krijues do të ishte e pashmangshme për tu rishfaqur.

Në shkolla mësohet faza paraletrare e një letërsie. Në gjuhën shqipe, këtë e përbëjnë tri dokumentet e njohura të shkruar me alfabet latin e grek të cilat janë Formula emblematike e pagëzimit, Fjalori i përditshëm i një udhëtari dhe Perikopeja e përkthyer biblike. Autori i dorëshkrimit të vitit 1210, Theodhor Shkodrani dhe zbuluesi i fundshekullit XX janë arratisur përtej kohës! I pari në imagjinatën e falsifikatorëve, i dyti pasi “u ndalua” botimi i gazetave ditore të shtypura. Kur ishte “Rilindja” merrte përsipër të drejtat autoriale të botimit. 

Ekranizimi i romanit “Il buio e il miele” i botuar në vitin 1969 “Aromë gruaje” (1992) i takon jo vetëm nxënësve të kolegjeve por edhe mësimdhënësve. Në rolet kryesore interpretojnë Al Paçino e Chris O’Donnelli. Ky i fundit kishte vetëm, 22 vjeçar ku u dha premiera. Reflektimet arrijnë tek droja a druajtja! Borges e konsideron druajtjen si “një nga të këqijat që duhet bërë çmos për ta kapërcyer.” Vepra e shkrimtarit dhe gazetarit italian Giovanni Arpino ende nuk është përkthyer në shqip, për të qenë, shembull lekture e detyrueshme leximi në shkollat “televizive” të profesionit të skenaristëve.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco