Çfarë i kërkoi Fan Noli Enver Hoxhës në nëntor 1945-sës?

Çfarë i kërkoi Fan Noli Enver Hoxhës në nëntor 1945-sës?

Nga Hasan Bello - 22/05/2021

Vendosjen e regjimit komunist Fan Noli e shihte me simpati, për faktin se rikonfirmohej sovraniteti i shtetit shqiptar dhe paprekshmëria e integritetit territorial nga pretendimet greke për aneksimin e Shqipërisë së Jugut. Prandaj, që në fillim ai do t`i konsiderojë drejtuesit komunistë si “djemt tanë”.

Por kjo nuk do të thotë se raportet e tij me këta të fundit do të jenë konstante. Përkundrazi, me kalimin e viteve marrëdhëniet Nolit me regjimin komunist dhe Enver Hoxhën do të vijnë duke u dobësuar deri afër pikës zero. 

Por çfarë i kërkoi Noli Enver Hoxhës në nëntor të 1945-sës?

Në një radiogram të ministrit fuqiplotë në Beograd, Hysni Kapos, transmetohej edhe një telegram i Fan Nolit drejtuar qeverisë shqiptare dhe kryeministrit Enver Hoxha. Sipas tij, miku dhe bashkëpunëtori i njohur Faik Konica, kishte shfaqur dëshirën e fundit që pas vdekjes të varrosej në vendlindje. 

Ky amanet kishte dy-tre vite që rëndonte mbi Fan Noli, që nga vdekja e tij në dhjetor të 1942. Kjo për shkak të rrethanave të luftës, të cilat e kishin bërë të pamundur sjellen e Konicës në Atdhe. 

Noli kërkoi nga Enver Hoxha ta njoftonte për momentin e përshtatshëm “që të bani nderimet e pranimit të trupit të luftëtarit të parë për Indipendencën e Shqipërisë”. Ai i lutej Enver Hoxhës që këtë njoftim ta bënte me rastin e 28 nëntorit 1945, me rastin e festës së pavarësisë, e cila do t`i gëzonte jasht mase shqiptarët e SHBA-së. 

Por nga qeveria shqiptare dhe Enver Hoxha, nuk erdhi asnjë përgjigje.
 
Regjimi komunist e konsideronte Faik Konicën si person të padëshiruar. Një praktikë e ngjashme do të ndiqet dhe për personalitete të tjera, me kontribut në historinë tonë kombëtare. 

Ky do të ishte edhe zhgënjimi i parë i Nolit me Enver Hoxhën dhe me ata, që ai me simpati i quante si “djemt tanë”.

Ndërsa eshtrat e këtij intelektuali të madh u kthyen në Atdhe në maj të 1995-sës.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco