E dyta e vërteta për modestin Albin Kurti

E dyta e vërteta për modestin Albin Kurti

Nga Syri.net Kosova - 19/05/2021

Për herë të parë kosovarët mund të shpresojnë seriozisht se një program qeveritar do të realizohet. Arsyeja e parë është modestia programore e qeverisë së Albin Kurtit. E dyta, shumica parlamentare që garanton votat e nevojshme për ligjet e vendimet që kalojnë në Kuvend.

Opozita po e akuzon kryeministrin se ka paraqitur një program të dobët, pa projeksione të qarta, pa argumente bindëse e me plot boshllëqe të tjera. E vërteta është se programi 2021-2025, reflekton zotimet elektorale të Lëvizjes Vetëvendosje, nga Vettingu ne drejtësi e deri te shtesat dhjetëra euro për fëmijët. Me këtë program, partia e Kurtit korri fitore spektakolare në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Planet më ambicioze mbeten Fondi Sovran, Banka Zhvillimore, reforma në sistemin e drejtësisë, zbutja e varfërisë dhe ndalja e zhvatjes së buxhetit përmes korrupsionit sistematik në institucione. Programi qeveritar, ka karakter kryesisht social, ku e forcon rolin e shtetit dhe përpiqet të zbusë dallimet mes kategorive shoqërore.

Për dallim prej zotimeve të pabesueshme në të shkuarën për punësime të qindra e mijëra personave, miliarda euro investimeve, qeveria aktuale nuk e ka shfrenuar për asnjë rresht fantazinë. Puna e saj në fund do të matet me treguesit konkretë, por mbi të gjitha me ndershmërinë dhe kompetencën e treguar në raport me përgjegjësitë e rënda që kanë.

Mungesa e shifrave, është problematike për një program, sepse pritjet ndërtohen mbi to dhe kjo tregon mungesë guximi e vizioni, një lloj strukjeje ndaj sfidave kryesore, veçmas ato ekonomike.

Si çdo qeveri majtiste, edhe kjo e jona, synon të shtojë kontrollin dhe mbikëqyrjen në sektorin publik, për të vënë rend e rregull, në përpjekje për të bërë reforma e për të nxjerrë nga kriza ndërmarrjet në kolaps. Por, shtimi i ndikimit të shtetit në menaxhimin e NP-ve, duket një eksperiment i rrezikshëm.

Në rrethanat e Kosovës, sa më pak prezencë e shtetit e partisë në menaxhmente, aq më shumë mundësi për rimëkëmbje. Detyra parësore e qeverisë duhet të jetë krjimi i një ambienti të sigurtë e të favorshëm për biznesin, për investimet e huaja, për shtimin e prodhimit dhe rritjen e eksportit.

Programi qeveritar nuk shpalos fort gjëra në këtë aspekt, prandaj mbetet të shihet se si do të jetë ecuria e qeverisjes në vitet e ardhshme, kur pandemia mbetet edhe më tutje, sfida kryesore. Si e tillë, është trajtuar edhe në dokumentin 60 faqesh, edhe pse menaxhimi i situatës dhe sigurimi i vaksinave, së paku deri tash, nuk të mbushim me optimizëm, por të lënë të presësh në radhë.

Për një mandat nuk mund të presësh mrekullira, aq më tepër nga një subjekt që po e bën praktikën direkt në udhëheqje të shtetit dhe gabimet rrugës janë të pritshme. Sidoqoftë, disa veprime, dëshmojnë për një përkushtim të ri në raport me qeveritë e kaluara. Anulimi i disa kontratave të dëmshme në vlerë mbi 50 milionë euro, është ilustrim i një kujdesi të rëndësishëm të trajtimit të parasë publike.

Por sanimi i dëmeve nga e kaluara apo siç e quan Kurti ndalimi i “gjakderdhjes” financiare, është vetëm njëra anë e medaljes. Ana kryesore, është efikasiteti qeveritar në javët, muajt e vitet në vijim. Kjo qeveri mund të jetë më e pakorruptuara që ka pasur Kosova, por asgjë nuk na garanton se do të jetë më e suksesshmja.

Nëse lidershipi i Albin Kurtit në krye të ekzekutivit ndikon në  një  rritje të hovshme ekonomike, në zbutjen e varfërisë dhe përmirësimin e ambientit biznesor, luftimin e korrupsionit dhe eliminimin e burokracisë shtetërore, përmirësimin e arsimit e shëndetësisë, kjo qeveri e siguron lehtësisht  mandatin e dytë.

Me një opozitë që nuk është këndellur ende nga rezultati zgjedhor, pengesat ndaj pushtetit aktual mbeten joshqetësuese.

Në raport me dialogun, është e qartë se për hir të raporteve me Brukselin, Kurti është i detyruar t’u përgjigjet ftesave, por natyrisht që rrjedha e procesit do të marrë një kah tjetër. Kryeministrit nuk i ngutet, nëse nuk ka në tavolinë një marrëveshje të leverdishme për Kosovën. Ndaj votuesve të tij, nuk ka asnjë obligim në këtë rast.

SIdoqoftë, zgjidhja e problemeve të hapura me Serbinë, është jetike dhe asnjë qeveri nuk mund t’i bëjë bisht sfidës. Por, duket qartë tashmë, edhe nga programi i paraqitur, se dialogu me gjasë mund të vazhdojë edhe për disa vite.

Strategjia e ekzekutivit, është e fokusuar në politikën e brendshme dhe objektivat e mëhershëm të LVV-së. Edhe pse kostoja financiare e masave kryesisht sociale, do ta shtojë peshën në buxhetin e shtetit, është detyrim programor që duhet të përmbushet, për të mos rezultuar një mashtrim i rëndë qeveritar.

Si përfundim, programi i qeverisë së Albin Kurtit, nuk është fort ambicioz, që të jetë i realizueshëm më lehtë, duke u shndërruar në fund të mandatit si një bilanc pozitiv para qytetarëve të Kosovës.

Opozitës i mbetet që të bëhet më kreative në betejën politike me pushtetin e të mos nxitë përplasje donkishoteske, siç po bëjnë rregullisht.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco