Negociatat sekrete në historinë e diplomacisë botërore!

Negociatat sekrete në historinë e diplomacisë botërore!

Nga Nijazi Halili - 19/05/2021

Negociatat sekrete kanë lindur shumë herët në historinë e diplomacisë botërore. Ato kanë qenë produkt i regjimeve autokratike dhe krejtësisht konspirative në politikat e tyre, kur popujt dhe shtetet përfaqësoheshin nga sovranë absolutë, të cilët mendonin e vepronin sipas vullnetit të vet dhe pushtetit personal. 

Në këto regjime, popujt ishin pjesë e pronësisë politike të monarkëve. Popujt ishin të detyruar vetëm të bindeshin dhe të vepronin sipas vullnetit të monarkëve. Ky lloj pushteti ishte i mbartur dhe i trashëgueshëm. Legjitimiteti bazohej të trashëgueshmëria e tij. Në këto lloj regjimesh nuk përfillej opinioni publik dhe as që ekzistonte media e lirë, si shprehje e avancuar e tij. 

Në këto regjime, politika e jashtme ishte atribut vetëm i sovranëve absolutistë. Diplomatët ishin konspirativë, madje ministrat e jashtëm nuk njiheshin publikisht. Për arsye besueshmërie dhe konspiracioni, diplomatët ishin pjesëtarë të oborreve aristokratike dhe i shërbenin sovranëve verbërisht.

Rrjedhojë e natyrës së regjimeve absolutiste ishin edhe tratativat e negociatat diplomatike, sikundër edhe marrëveshjet dhe traktatet e dala prej tyre. Gjithçka niste nga politikat elitare monarkiste, oborrtare, aristokratike të salloneve dhe vijonte të mbetej e tillë deri në konkludimin e marrëveshjeve dhe zbatimin e tyre. Gjithçka bëhej me dyer të mbyllura. 

Popujt mësonin të vërtetat vetëm atëherë kur fillonte zbatimi praktik në kurriz të tyre. Këto regjime absolutiste, injoruese të popujve vijuan edhe në kohën e diktaturave moderne, siç ishin fashizmi dhe komunizmi apo forma të tjera të totalitarizmit. Por, në kohët moderne, regjimet totalitare nuk mund të kontrollojnë gjithë opinionin publik, sepse edhe kur këto regjime totalitare ndrydhin opinionin publik kombëtar, për arsye të hapjes dhe komunikimit intermediatik botëror, ato nuk mund të ndrydhin opinionin dhe median ndërkombëtare.

Pra, atë që nuk e bën dot opinioni kombëtar, në kushtet e regjimeve totalitare e bën opinioni ndërkombëtar dhe media botërore. Kështu që, në kohët moderne e demokratike, regjimeve totalitare u ngushtohen manovrat për ndrydhjen e manipulimin e opinionit publik. Ky i fundit gjen mbështetje në opinionin dhe median ndërkombëtare dhe ka prirje të solidarizohet me të kundër regjimit. 

Këto rethana demokratike e reduktojnë shumë diplomacinë dhe negociatat sekrete si të vetmet lloj negociatash. Themi si vetmet lloj, sepse negociatat sekrete ekzistojnë dhe nevojitet të ekzistojnë gjithnjë. Kjo për faktin se ka dhe do të këtë gjithnjë çështje dhe aspekte të tilla objekt negociatash që do të duhet t’i nënshtrohen një rruge sekrete përpara se të bëhen publike. Ndryshe nga negociatat sekrete të kohëve të kaluara dhe regjimeve totalitare, negociatat sekrete në kohët moderne dhe në mjediset demokratike nuk mund të qëndrojnë të mbyllura përgjithnjë.

Në faza të veçanta të procesit, në aspekte të veçantë dhe sidomos në rezultatin përfundimtar, negociatat sekrete bëhen publike. Ky është obligim për vetë faktin se politikat në demokraci janë në thelb politika opinionale, pra burojnë nga opinioni publik, i shërbejnë opinionit publik dhe mund të zbatohen vetëm kur gjejnë mirëkuptimin e opinionit publik. 

Çdo politikë përkundër opinionit publik, në kohët dhe rendet demokratike është destinuar të dështojë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco