Paraja shkon te paraja, një tallje pandemike e 'pro-amerikanëve' kosovarë

Paraja shkon te paraja, një tallje pandemike e 'pro-amerikanëve' kosovarë

Nga Syri.net Kosova - 23/04/2021

Publikimi i 50 përfituesve kryesore nga ‘Rimëkëmbja’ e qeverisë së kaluar, nuk solli ndonjë befasi.  Me vendimin e ekzekutivit të drejtuar nga profesori Avdullah Hotit, përfituesit më të mëdhenj, dihet- ishin kompanitë me numrin më të madh të punëtorëve.

Kriteri për shpërndarjen e 60 milionëshit ishte i thjeshtë. Në xhirollogaritë e bizneseve të mëdha, do të përfundonin pjesa kryesore e fondeve. Të tjerët, merrnin ngapak sa për të mbetur gjallë.

Qendrat e mëdha tregtare, edhe pse në fillim kishin pezullim të aktivitetit për shkak të masave kufizuese, më pas e morën veten dhe punuan me rritje të fitimeve. Gastronomia ishte gjithnjë në hall nga falimentimi dhe meritonte mbështetje, por jo edhe supermarketet që ishin në pikun e punës.

T’u japësh para edhe spitaleve private, ku vend nuk ke pasur as në korridore gjatë kësaj kohe të pandemisë, është tepër abuzive. Kurrë më shumë, nuk kanë inkasuar përmes shërbimeve të shtrenjta që ofrojnë.

Ulja e çmimit të derivateve, ua ka ulur edhe fitimet kompanive të naftës, por nuk ka pasur kurrfarë nevoje që shteti t’u japë para atyre, që kanë fitime të mëdha, sidomos me kontratat shtetërore.

Është e çuditshme se si kanë përfituar edhe kolegjet private, të cilat e kanë zhvilluar mësimin online dhe sigurisht i kanë faturuar mijëra studentë të përfshirë në vitin akademik.

60 milionë euro, nuk janë pak në një vit të rëndë pandemie, por qeveria e kaluar abuzoi rëndë duke shpërndarë pa kritere cilësore paratë e taksapaguesve kosovarë.

Një pjesë e këtyre mjeteve mund të kishte shkuar për blerjen e vaksinave, sepse ky ishte dhe mbetet prioriteti kryesor i shtetit. Me gjasë, aty nuk u lidhej biznesi, prandaj edhe vepruan kështu.

Shteti duhet t’u vijë në ndihmë atyre që janë goditur më së shumti, sidomos biznesit të vogël e të mesëm, kategorive sociale, që kanë pasur vështirësi në përballjen me Covidin, por jo të japë para pa fund për milionerët e Kosovës.

Është e qartë se përfitues janë klientela politike, biznesore, njerëzit e afërt me pushtetin dhe Ministria e Financave do të duhej ta publikonte të plotë listën e përfituesve.

Nga kjo histori e turpshme pandemie, duhet nxjerrë mësim. Të vendosësh për paranë publike, duhet maturi dhe seriozitet i madh, përgjegjësi dhe adresim i argumentuar i nevojave konkrete e më emergjente.

Le të shpresojmë se kjo qeveri përveç publikimit të listave, të veprojë në përputhje me interesat e qytetarëve të Kosovës, të sipërmarrjes private dhe rimëkëmbjes nga kriza e thellë, duke mos përsëritur skandalet e qeverive të kaluara.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco