Një hoxhë gjuan gurin në pusin televiziv

Një hoxhë gjuan gurin në pusin televiziv

Nga Syri.net Kosova - 14/04/2021

Budallait hapi rrugën, thotë populli. Te ne, po ua hapin studiot gjithandej.  Nuk mungojnë asnjë mbrëmje. Nganjëherë, i sheh paralelisht në dy programe televizive, kur njëri është i xhiruar më herët, kuptohet.

Mediat jetojnë në bazë të audiencës e kjo e fundit, ka shije edhe të pabesueshme jo rrallë. Një lajm me peshë për programin qeveritar është më pak i lexuar në krahasim me shalën që e paska zbuluar një pseudokëngëtare e ‘famshme’. Një debat i zjarrtë me një hoxhë, e mbyt me shikueshmëri një diskutim të rëndësishëm, ta zëmë, për arsimin apo shëndetësinë.

Duke ndjekur shijet e publikut dhe nuhatur kërkesat ditore se çka konsumohet më shumë, shumica e mediave po i përshtaten trendit të pandryshuar prej disa vjetësh. Edhe ato më seriozet, nuk arrijnë dot të jenë indiferentë ndaj peshës së “madhe” të lajmeve pa peshë.

Në momentin që dikush shndërrohet në person të njohur publik, ai bëhet gjithnjë burim lajmesh, batutash, polemikash. Studiot e debateve, janë gjithnjë në gjah për të tillët.

Prandaj, bashkë në një emision e sheh edhe imamin që predikon dhe vrasësin që flet për drejtësi, e ke edhe analistin deri dje politikan të inkriminuar që shet tani moral dhe ekspertin me diploma false.

I tërë ky peizazh televiziv, nuk e ka shijen e duhur po të mos ketë edhe ndonjë kukull. Shumica e televizioneve, as që i përmbahen ndonjë kodi etik. Së paku në emisionet që i shesin si serioze, mund t’ia vendosin +18. Përjashto rastet kur ka vërtet profesioniste të zonja në ekran, të shpeshta janë paraqitjet femërore sa për sy e faqe.

Gazetaria po përzihet shumë me sfilatat e modës. Ekspozimi i aseteve trupore del në plan të parë e në hije mbeten përmbajtjet programore. Fundja, kjo është punë e producentëve, drejtuesve të mediave, por realiteti është ky.

Niveli i televizionit në Kosovë lë shumë për të dëshiruar, me formate të ngjashme, monotone, me një grusht fytyrash që i sheh përnatë në ekran, me gazetari të porositur dhe profesionalizëm zhgënjyes.

Nuk mund ta fajësojmë as Shefqet Krasniqin, as Milaim Zekën, as Ardian Kastratin e plot të tjerë, për shpërdorimin e gjuhës publike, sepse përgjegjësit kryesorë për promovimin e tyre janë mediat, në krye me mediumin publik.

Po të zbatohen standarde më të larta të transmetimit, përmbajtjes, paneleve debatuese, sigurisht që kjo kërdi televizive, do të kishte përmasa dukshëm më të vogla.

Gjithsesi, liria e shprehjes dhe pavarësia e mediave duhet të respektohet. Në fund, tregut i mbijetojnë vetëm profesionistët e vërtetë. Pyetja që shtrohet është se me çfarë pasojash do të dalim nga ky qorrsokak televiziv?

Ndikimi i televizionit është ende i fortë në shoqëri. Nuk është pa efekt një deklaratë raciste, bulliste, fyese, që e jep një person publik përmes ekranit. Një ndër rolet e medias, përveç informimit, është edhe edukimi. Të varur nga ecuria në botën e rrjeteve sociale, mediat bëjnë garën e pashmangshme, duke harruar fatkeqësisht thelbin e ekzistencës së tyre.

Shijet ndiqen, por shijet edhe kultivohen.

Një hoxhë ekstremist, nuk e ka vendin në programe televizive. Një person i akuzuar për vrasje, korrupsion apo ndonjë krim tjetër, nuk do të duhej të ftohej në studio. Një politikan nuk mund të na prezantohet si analist i pavarur. Një profan, s’na shitet dot si një ekspert i gjithdijshëm. Një avokat i banditëve, s’mund të bëjë mbrojtësin e viktimës.

Kurrë më shumë nuk ka pasur punë për mediat, e më pak kurrë nuk ka pasur gazetari profesionale.

Po të kthehemi pak në vitet e para pas luftës, më tepër cilësi vërejmë se ka pasur atëherë se tash. Me ashpërsimin e regjimit e rëndimin e sundimit politik, edhe mediat e humbën pavarësinë dhe objektivitetin.

Në një vend si Kosova, vështirë të mbijetosh i pavarur e objektiv, kritik e profesional. Nga beteja për lajmin e të vërtetën, përfunduam te lufta për klikime e shërbime.

Megjithatë, potenciali është, por duhet të ketë një filtrim edhe në botën mediale. Duhet një de-monopolizim i ekranit dhe përfillje e standardeve të mira.

Edhe shteti jo vetëm që nuk bën të përzihet, por të jetë më i vetëdijshëm për rëndësinë e mediave të pavarura. Në këtë kohë pandemie, kur edhe njerëzit e mediave janë të sfiduar përditë nga virusi, as kujdesi më i vogël nuk është treguar nga institucionet.

Një pushtet që thirret në vlera e në demokraci, në zhvillim dhe transparencë, duhet të bëjë diçka edhe për mediat në këtë kohë krize. Te ne, as në listë për vaksinimin nuk janë gazetarët. Mos të flasim për pjesën financiare, ku nuk ka kurrfarë ndihme.

Sidoqoftë, performanca mediale është përgjegjësi e plotë e drejtuesve, autorëve, redaktorëve, gazetarëve, e të gjithë atyre që prodhojnë përmbajtje të ndryshme, shpesh pa përfillur as kriteret minimale.

Për sa kohë ndodh kështu, publiku do të ‘durojë’ batuta e hoxhallarëve dhe ‘shijojë’ shalët e moderatoreve.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco