A i mbaruat homazhet?

A i mbaruat homazhet?

Nga Syri Kosova - 06/04/2021

Respekt dhe nderim për Adem Jasharin e Ibrahim Rugovën, për krejt të rënët dhe kontribuuesit për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, por sikur po teprohet që çdo ditë, çdo fillim jave, çdo ndryshim pozite, të shoqërohet me homazhe.

Brenda një kohe të shkurtër, Albin Kurti e Vjosa Osmani, kanë bërë homazhe për të disatën herë te varri i presidentit historik Rugova e në Prekazin e Jasharajve.  Në Kosovë, çdo ditë mund ta gjesh një arsye për të shkuar që të bësh homazhe në varrezat e dëshmorëve apo te varret e personaliteteve kombëtare.

Nëse e kanë të domosdoshme e burim frymëzimi në aktivitetin e tyre të përditshëm, të ri në angazhimin si pushtetarë, kush nuk i ndal, por le të shkojnë pas punës e mundësisht të mos i thërrasin mediat.

Kurti e Osmani fituan votën e kosovarëve jo për të përsëritur ritualin e homazheve që e bënin Thaçi e Mustafa, Haradinaj e Limaj, Pacolli e të tjerët, por që të marrin situatën në dorë e të punojnë fort për nxjerrjen e Kosovës nga kriza.

Sot nuk na duhen performancat e homazheve, por veprimet e shpejta e të guximshme në përballimin e pandemisë së pari. E së dyti, në rimëkëmbjen  ekonomike, që duket e largët për Kosovën e varfëruar edhe më tej qe një vit, prej shfaqjes së rasteve të para të infektimeve me koronavirus.

Ajo që po dëgjojmë nga qeveria është aktualisht një justifikim për të kaluarën, por ende jo një zgjidhje për të tashmen. Kur do të vijnë vaksinat e kur do të imunizohet populli i Kosovës, nëse veç nuk po ia lënë nënës natyrë këtë “obligim”?

Mbyllja, që na rikthen para një viti, kyr ishte edhe më e ashpër, mund të jetë alternativa më efikase për zvogëlimin e rasteve të infektimeve, megjithatë, për kushtet e rënda ekonomike të vendit tonë, duhet të shoqërohet me infuzione të reja serioze financiare për bizneset në kolaps dhe njerëzit që po e pësojnë nga kjo mbyllje e re.

Heronjtë e dëshmorët, personalitetet e meritorët e Kosovës, gjithnjë duhet t’i nderojmë e respektojmë, por nderimi më i mirë për ta, është angazhimi konkret i dobishëm për zhvillimin e Republikës.

Kjo tradita e homazheve kur e merr postin, është bërë si një farë detyrimi ligjor apo kushtetues, edhe pse kuptohet se është një akt moral, të cilin po e respektojnë të gjithë,  bashkëmendimtarë e kundërshtarë të dikurshëm, dashamirës e urrejtës, pavarësisht bindjeve politike apo koncepteve të ndryshme që përfaqësojnë bartësit e homazheve.

Koha për punë e të shpresojmë se homazhet u kryen!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco