Kurti, Osmani e Abdixhiku, goditja e fundit për kameleonët e politikës kosovare

Kurti, Osmani e Abdixhiku, goditja e fundit për kameleonët e politikës kosovare

Nga Syri.net Kosova - 01/04/2021

 

LDK e ka mundësinë ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme, por ka zgjedhur konstruktivitetin në vend të një krize të re më përmasa të rrezikshme. Nën lidershipin e ri, Lidhja Demokratike, edhe pse e dërrmuar nga vota e 14 shkurtit, ka hedhur një hap të dobishëm për rikthimin e elektoratit.

Njëkohësisht, suksesi i Lumir Abdixhikut në tejkalimin e sfidës presidenciale, i ka dhënë një goditje të fortë politikave të vjetra të shantazheve e pazareve të ulëta të partive. Duke krijuar një standard të ri, dalëngadalë Kosova po del nga një qorrsokak i madh politik.

Të bllokosh konstituimin e institucioneve duhet të kesh arsye shumë bindëse. Kur kundërshtohej zgjedhja e Hashim Thaçit, nuk ishte e pajustifikueshme tërë ajo rezistencë. I njëjti, arriti deri aty sa të përpiqej ta ndante Kosovën. Vendi sigurisht që u dëmtua shumë nga presidenca e Thaçit.

Për zgjedhjen e tij u trafikuan votat e deputetëve të ndryshëm, përfshirë edhe të LDK-së. Dikush mori terminal, ndonjëri tender, disa u shpërblyen me pozitat e preferuara.

Abdixhiku nuk zgjodhi rrugën e pazareve për pozita e përfitime, por u tregua parimor. Edhe pse si forcë më e vogël opozitare, partia e tij aktualisht duket më serioze dhe më bindëse në sytë e opinionit publik.

Do të kishte arsye opozita ta kushtëzonte zgjedhjen e presidentit nëse VV për shembull synon ta emërojë në atë pozitë një person të papërshtatshëm, por në rastin konkret, nuk ka arsye për ta refuzuar. Askush nuk ka pasur më tepër legjitimitet se Vjosa Osmani për postin e të parit të Republikës.

PDK si forcë e parë opozitare po e akuzon Vetëvendosjen se po e kap shtetin pasi po i merr të tri pozitat kryesore. Kjo nuk është vërtetë, sepse Vjosa Osmani nuk është pjesë e Vetëvendosjes. Praktikisht, ajo nuk ka parti, por vetëm një nismë ‘Lista Guxo”.

Është PDK në fakt që vazhdon të mbajë të kapura shumë zyra shtetërore e publike, sepse ende i ka njerëzit e saj nëpër to. Jo rastësisht Departamenti i Shtetit e potencoi në raportin e radhës se të korruptuarit vazhdojnë të mbajnë pozita drejtuese në Kosovë.

Paligjshmëria ishte shndërruar në standard të qeverisjes për partitë që pësuan debakël në zgjedhjet e fundit në Kosovë. Sfida më e vështirë aktualisht për qeverinë Kurti, është pastrimi i terrenit të kontaminuar gjithandej.

LDK e Abdixhikut nuk mund të bëhet mbrojtëse e së keqes, që jo rrallë ka buruar edhe nga vetë radhët e këtij subjekti, në partneritet me PDK-në, AAK-në, Nismën dhe AKR-në.

Ta sulmosh Kurtin për korrupsion, për një shtëpi me qira ku qenka vendosur pas kërkesës së organeve të sigurisë, është qesharake. Si nuk e hapi gojën kush për vilat e politikanëvë tanë në lagjet e ‘sheikëve’ kosovarë, për luksin e tyre dhe të familjeve të tyre?!

Kosova, sidoqoftë, po e kalon edhe një ngërç të mundimshëm, me shumë shpresa për të hyrë në një epokë të re politike, ku kameleonëve të vjetër të politikës, nëse nuk përfundojnë në përballje me dtrejtësinë, nuk u mbetet gjë tjetër përveç pensionimit të parakohshëm.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco