Lëmosha e vonuar për Kosovën e pavaksinuar

Lëmosha e vonuar për Kosovën e pavaksinuar

Nga Syri.net Kosova - 29/03/2021

E fundit në Evropë, Kosova është në prag të nisjes së vaksinimit, por sasia e vaksinave është më pak se modeste. Me 24 mijë vaksina të falura, autoritetet kosovare gjetën kohë të organizonin një ceremoni rasti. Aty mungonte protagonisti kryesor, Armend Zemaj.

Qeveria aktuale nuk mund të bëhet përgjegjëse për dështimin e rëndë me vaksinat, sepse është tërësisht faji i ekzekutivit të kaluar. Tashmë është argumentuar se mosdija, paaftësia e pamundësia ndoshta për të zhvatur diçka, e lanë vendin pa vaksinat kundër Covid-19.

Spektakli me pritjen e vaksinave në aeroport, është krejt i panevojshëm. Është mirë që kryeministri Kurti me stafin e tij sa më pak të shfaqen me pompozitet, sepse jemi mësuar me qeveritarët e kaluar, të cilët janë munduar ta shndërrojnë në një farë propagande të kotë, çdo rast të tillë.

Nuk është aspak as për t’u ladëruar e as për t’u mburrur. Kemi humbur kohë të vlefshme, ndërsa jetëra njerëzish po shuhen. Nëse do ta kishim më herët vaksinën, gjërat sigurisht mund të ishin më ndryshe, siguria më e lartë e pasojat më të vogla.

Qeveria Kurti duhet ta na tregojë se çfarë veprimesh konkrete po bën për të blerë vaksina. Këto që na vijnë falas, mirë është që vijnë, por gjërat e falura, gjithmonë marrin kohë më shumë për të mbërritur. Të blerat, u përshtaten kushteve të kontratave respektive.

Buxhet kemi, prandaj edhe zvarritja në këtë drejtim është e pajustifikueshme, kur në tregun botëror farmaceutik tani janë disa lloje vaksinash të suksesshme në luftën kundër koronavirusit.

Kosovarët kanë nevojë për sa më pak spektakël qeveritar e sa më shumë përkujdesje e angazhim në luftimin e pasojave të pandemisë.

Prej një viti, dora e shtetit është ndjerë fare pak në të gjitha aspektet. Njësoj ka ndodhur edhe me masat mbrojtëse ndaj pandemisë. Qindra mijëra gjoba janë shqiptuar ndaj qytetarëve pse duke ecur në rrugë nuk e kanë pasur një maskë, ndërsa në hapësira publike e biznesore, sidomos në lokalet, masat anti-Covid, janë injoruar rregullisht.

Kulmin me këto shkelje e kanë arritur vetë partitë, përfshirë edhe fituesin e zgjedhjeve që po na qeveris to, me fushatën elektorale që sfidoi pandeminë, ndërsa pasojat po i shohim tani.

Numri i të infektuarve është në rritje, ndërsa shifra e të vdekurve nuk bie poshtë dhjetës asnjë ditë.

Kapacitetet spitalore janë duke arritur limitet, ndërsa qeveria ka paralajmëruar masa të reja.

Në vitin e dytë të pandemisë, biznesi është goditur rëndë, kurse shëndetësia publike është e dërrmuar. Njerëzit janë stërlodhur dhe një mbyllje e radhës, është gati e papërballueshme.

Ky mund të jetë hapi i fundit, që nuk përjashtohet. Pa vaksina, shpëtimi i vetëm nga virusi, është respektimeve i masave të kundër Covidit. Por, sa pak, që përfillen këto masa edhe nga vetë ata që i kanë vendosur!

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco