Albin Kurti duhet të përgjigjet edhe për letrën e Erdoganit, edhe për Liburn Aliun

Albin Kurti duhet të përgjigjet edhe për letrën e Erdoganit, edhe për Liburn Aliun

Nga Syri.net Kosova - 26/03/2021

Në javën e parë të punës si kryeministër për herë të dytë, Albin Kurti me ekipin e tij po kujdesen ta ruajnë traditën institucionale, një farë rituali homazhesh nga varri i Rugovës te Prekazi i Jasharajve.

Shprehja e respektit për meritorët e lirisë e pavarësisë së Kosovës, është një detyrim shtetëror i pashmangshëm. Por, pyetjet që kërkojnë përgjigje menjëherë për shkak të zhvillimeve rreth qeverisë së re, nuk po marrin përgjigje.

Në rrafshin e brendshëm e të jashtëm, dy çështje janë ngritur me shpejtësi. Presidenti turk siç edhe pritej, i ka kërkuar Kurtit rishikimin e vendimit për hapjen e ambasadës kosovare në Jerusalem, një hap i hedhur në përputhje me zotimet e Uashingtonit nga ana e Kosovës.

Së dyti, njërit nga ministrat dhe figurat kryesore të Vetëvendosjes i është publikuar një aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare në kohën kur ishte drejtor në komunën  e Prishtinës.

Në të dyja rastet, kryeministri është shmangur nga komentet, ndërsa nuk ka pasur deklarime as nga partia e tij.

Si drejtues i qeverisë që ka marrë legjitimitetin më të fuqishëm ndonjëherë në Kosovën e pasluftës, Kurti e ka përgjegjësinë për të dhënë qëndrimin e tij, cilidoqoftë ai. Në rastin e marrëdhënieve me Turqinë, opinionit publik duhet t’i bëhet e qartë se cili është plani qeveritar për çështjen e ambasadës në Jerusalem.

Gjithashtu, kryeministri nuk duhet të harrojë një zotim të tij ndaj elektoratit se nuk do të mbajë në qeveri zyrtarë me aktakuza. Pavarësisht a është apo jo përgjegjës, gjë për të cilën duhet të vendosë gjykata, Liburn Aliu si ministër është i goditur direkt nga kjo aktakuzë.

Duke pasë përballë një sistem drejtësie të politizuar e të inkriminuar, ballafaqimi afatgjatë mund të sjellë probleme edhe në të ardhmen, prandaj përzgjedhja e figurave qeveritare duhet të filtrohet shumë.

Nuk është hera e parë e as e fundit, që prokuroria ka ngritur aktakuza me porosi. E tillë mund të jetë edhe kjo që u aktivizua sapo bashkëpunëtori i Kurtit mori drejtimin e një ministrie të rëndësishme.

Sidoqoftë, shmangia nga pyetjet e gazetarëve për këto dy çështje të ndjeshme, nuk lë një shije të mirë sa i takon transparencës qeveritare dhe vendosmërisë për t’iu përmbajtur zotimeve të mëhershme.

Kjo është një përvojë edhe për Albin Kurtin dhe ekipin e tij, por temave nuk mund t’u bëjnë bisht, sepse pritjet e njerëzve në Kosovë janë aq të larta, saqë nëse vazhdohet kështu, zhgënjimi mund të vijë shpejt.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco