22 vite nga 'bombat' e NATO-s, Kosova në një ‘geto’

22 vite nga 'bombat' e NATO-s, Kosova në një ‘geto’

Nga Astrit Veliqi - 24/03/2021

Kur bombat e NATO-s ranë në Beograd, nisi të kthehej shpresa e humbur për shqiptarët e Kosovës, të cilët mes jetës dhe vdekjes kishin kapur armët duke u rreshtuar në anën e drejt të historisë për të fituar lirinë.

Shembulli më i mirë i gjithë kësaj është lufta titanike e komandantit legjendar, Adem Jasharit dhe flijimit të kësaj familje që në histori është unike dhe do të duhej ta kishte çmimin 'Nobel për liri'.

E sot derisa po festojmë 24 marsin, na kujtohet dita e madhe historike kur Aleanca ushtrake e NATO-s me në krye SHBA-në dhe vendet tjera evropiane, nisën misionin e tyre historik për ta gjunjëzuar njëherë e përgjithmonë kasapin e Ballkanit, Sllobodan Millosheviqin dhe politikën e tij gjenocidale.

Pikërisht sot janë mbushur 22 vite që nga ajo ditë kur NATO përfundimisht tregoi se vetëm me bombat e saj mund të ndalej një spastrim tjetër etnik në Ballkan dhe shfarosja e një populli të shtypur i cili e kërkonte, vetëm një gjë, e ajo ishte liria.

Kjo liri që sot ne po e jetojmë është brumosur nga gjaku, gjymtyrët dhe jeta e shumë dëshmorëve të cilët ndër shekuj kishin vendosur të luftonin, për ta larguar thundrën pushtuese serbe-sllave në Kosovë.

Por sot Kosova është shtet dhe ka festuar tashmë 13-vjetorin e pavarësisë, megjithatë rrugëtimi i saj pas luftës u sfidua mjaft shumë nga politika herë të gabuara, e më pak të qëlluara.

Sot vendi, përkundër disa arritjeve, lëngon në shumë sfera, si nga zhvillimi i dobët ekonomik, shëndetësia, arsimi, sundimi i ligjit, zhvatja e parasë publike, korrupsioni, e shumë fusha tjera.

Prandaj edhe integrimi evropian ka stagnuar, ku vendi, pas 22 viteve nga bombat e NATO-s është futur në një ‘geto’ në mes të Evropës.

Sido që të jetë, shumë qeveri, e liderë udhëhoqën me vendin, e sot kemi një qeveri tjetër e cila ka ardhur si pasojë e dështimeve dhe pakënaqësive të shumta, ku sovrani me 14 shkurt vendosi për një ndryshim të madh, duke e zgjedhur Albin Kurtin kryeministër, derisa Vjosa Osmani pritet të bëhet presidente e vendit.

Një gjeneratë e re, për një Kosovë të re dhe me një mendësi në dukje ndryshe në qeverisje.

Do t’i shohim! Ende është herët për të dhënë vlerësime, ngase rishtas janë në kolltukun e pushtetit, megjithatë pritjet dhe sfidat e vendit janë të mëdha, ku pandemia e Covid-19 po merr jetë çdo ditë, derisa vaksinat ende nuk kanë mbërri në vendin tonë të varfër.

Por ajo që s’duhet harruar, për herë të parë ata që e udhëhoqën luftën, komandantët, ku i kemi quajt si heronjtë tanë, nuk janë më në karriget e pushtetit, e tregim i dhimbshëm i Kosovës së pavarur është se derisa po festohet ky përvjetor historik, ish-krerët e UÇK-së po gjykohen në Hagë.

Një realitet i hidhur ky, por edhe ky proces tregon së dështimet kanë ndodhur madje në shumë plane, ku viktima është barazuar me agresorin, një histori kjo që nuk duhet përsëritur në të ardhmen.

 Kosova duhet të jetë përherë falënderuese dhe mirënjohëse ndaj miqve tanë të shtrenjtë, të cilët para 22 viteve me bombat e tyre na shpëtuan nga shfarosja, sikur edhe tash pas 22 viteve po na ndihmojnë ta ndërtojmë vendin dhe rrugëtimin e saj euro-atlantik.

Faleminderit për jetë të jetëve!

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco