Jetë e ndarë në dysh...

Jetë e ndarë në dysh...

Nga Esad Dujaka - 24/03/2021

Konferenca e Rambujesë kishte përfunduar pa nënshkrimin e Serbisë dhe të gjithë e dinim se fuqitë perëndimore do ta ndëshkojnë atë. Nuk e dinim datën e sakët deri ditën e fundit kur u tha se sonte rreth orës 20.00 forcat e NATO-s nga baza ushtarake e Avianos në Itali do të nisen drejt caqeve në Serbi...

Mua më dukej si një film që kisha parë si fëmijë...Se kisha në mendje se çfarë po përgatitej dhe se më thoshte mendja kreu serb do të heq dorë në momentin e fundit duke bërë presion te fuqitë e mëdha që të shkyej sa më shumë nga Kosova, si grabitqari mbi prenë e vet...

24 Marsi erdhi, koha thuase ishte ndalur, shpejt bie terri i mbrëmjes, unë rri në ballkon të banesë sime 50 metra katrorë, dhe shikimi nuk më ndalet asku deri në kodrat e Obiliqit dhe shihja majën e Goleshit...Dhe, papritmas rreth orës 18.30 një krismë e fuqishme edhe një pas saj, një tym i zi te Maja e Goleshit, pastaj një topth i madh ngjyre e hirit dhe një dritë e kuqërremtë  thua se të kishte shpërthyer bomba atomike si në filmat për Hiroshimën... Krejt çka mbaj mend disa pika lot që më kanë rrjedh, nuk e di se pse, ashtu instinktivisht si njeriu i humbur në mes të shkretëtirës e vëren shpëtimtarin se po i afrohet...

U kam thënë fëmijëve: Filloi lufta! 

Këtu e ndajë jetën time në dy pjesë: Para dhe pas 24 marsit 1999!

Robëria, përbuzja, poshtërimi shekullor - në një anë, kurse nga këtu liria, kthimi i dinjitetit dhe ecja në drejtim të civilizimit, aty ku de kishim merituar dhe ku e kishim vendin – në anën tjetër që dot pasojë...!

Mbyllen dyert, edhe dritaret, rrugët boshatisën, dëgjohen veturat e policisë që ngarendnin në të katër anët e qytetit thuash kishin humbur kokën dhe çdo gjë tjetër.

Ngadalë në ne, e matja me vetveten, kthehej frika se çfarë do të ndodhë me ne?! Ua kisha lakmi atyre avionëve të NATO-s që ishin të lirë në qiell, që fluturonin si zogjtë, por a e dinin ata se edhe na ishim në tokë, a kishin llogaritur se mund të bëhej kasaphane sepse serbët e uniformuar mund të na kishin vrarë e sakatuar si të duan e kur të duan e të mos japin llogari!?

Si bisha e tërbuar që i pranë çdo arsye!?

Ky ishte fillimi i luftës që përjetova unë dhe bashkëkombësit e mi për 87 ditë. 

E di se atë natë dora e zezë ka kallur disa objekte industriale në Prishtinë, se në Mitrovicë kanë vrarë dhjetëra njerëz e në mesin e tyre poetin e veprimtarin e LDK-së Latif Berisha, veprimtarin e sindikatave Agim Hajrizi, në Gjakovë kanë djegur Çarshinë e Madhe, kanë vrarë dhjetëra njerëz në mesin e tyre edhe kirurgun e mirënjohur Izet Hima e për të vazhduar netëve të tjera me rrugët e tjera e me viktimat e tjera...

(Fragment nga libri i kujtimeve “Vitet e Rilindjes”).

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco