Nga Kosova e Rugovës, UÇK-së e bombardimeve të NATO-s, te Kosova e Albin Kurtit

Nga Kosova e Rugovës, UÇK-së e bombardimeve të NATO-s, te Kosova e Albin Kurtit

Nga Syri.net Kosova - 24/03/2021

 

Para 22 vitesh, Aleanca më e fuqishme ushtarake në botë, filloi fushatën e bombardimeve ndaj caqeve serbe. Masakrat e regjimit të Millosheviçit kundër shqiptarëve, nxitën një reagim të ashpër të perëndimit. Një luftë e pabarabartë po shndërrohej në një vatër të përgjakshme, ku rrezikohej përsëritja e tragjedisë së Bosnjës.

Vendimit të SHBA-së dhe aleatëve, i parapriu marrëveshja e Rambujesë, që nuk u nënshkrua nga Serbia, por vetëm nga delegacioni kosovar, i udhëhequr prej Hashim Thaçit, që rezistonte ta pranonte nën presionin e krahut politik të UÇK-së.

Megjithatë, rolin vendimtar në sensibilizimin e dramës kosovare e luajti presidenti historik Ibrahim Rugova. Askush nuk ishte më bindës se ai për kauzën e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.

Meritat janë të padiskutueshme për luftëtarët e UÇK-së, për ata që sakrifikuan jetën e tyre që vendi të çlirohej nga zgjedha serbe. Por, pa NATO-n, shpresa po venitej përballë një fuqie ushtarake që po realizonte projektet mizore të Akademisë serbe, duke dëbuar shqiptarët nga shtëpitë.

Në këtë përvjetor që rikthen kujtime e emocione të forta gjithmonë, nuk të lë shije të mirë kur sheh ish-krerët e UÇK-së në bankën e të akuzuarve në Hagë.

Hashim Thaçi me shokë po gjykohen për krime lufte. Pak keqardhje vërehet për ta sot për shkak të një keqqeverisjeje degraduese që e instaluan duke e dëmtuar përparimin e vendit.

Ndërkohë, ai që dikur bashkë me Adem Demaçin kundërshtonin dokumentin e Rambujesë, sot është kryeministër me mbështetjen më të fuqishme elektorale që ka pasur ndonjë politikan në këto dy dekada.

Kosova ka pësuar një transformim të thellë që nga marsi 1999. Njerëzit i ndante një fije e hollë mes jetës e vdekjes. Askush nuk e dinte se çdo të ndodhte pas ditës së parë, të dytë....e kështu me radhë deri në përfundimin  e luftës e tërheqjen e forcave serbe.

Sot jemi shtet, Republikë e pavarur dhe sovrane, me disa sfida përpara që duhet të tejkalohen. Ky përvjetor e gjen vendin me një ndryshim të thellë politik, ku pritjet e njerëzve janë të larta prej një qeverie të sapoformuar që duhet të ballafaqohet me pandeminë, krizën ekonomike, drejtësinë e dobët  dhe obstruksionet e Serbisë.

Dikur mbusheshim me shpresë nga bombat e NATOS-s që fluturonin pareshtur, ndërsa sot aspirojmë që një ditë të jemi anëtar i Aleancës Veriatlantike. Kanë ndodhur gjëra të mira në këtë vend, por gjithashtu edhe plot shpërdorime tronditës të lirisë e besimit të kosovarëve.

Pas 22 vjetëve, aftësitë shtetformuese janë ende në sprovë. Shansi për sukses, mbetet i mundshëm. Kritikët mund ta kundërshtojnë Vjosa Osmanin kur në cilësinë e u.d të presidentes shpaloste të vërtetën e inkriminimit të Republikës në BBC, por në fakt e vërteta edhe pse e hidhur, e tillë është.

Në emër të luftës, politikanët e pasluftës për pak e shndërruan Kosovën në një Banana Republikë. Vota e 14 shkurtit e ndali kërdinë që po ia bënin shtetit të tyre, ata që e kishin shpallur pavarësinë.

Sot, nga qielli nuk vjen më shpëtimi, por nga qeverisja e mirë dhe angazhimi i të gjithëve për shtet, zhvillim dhe demokratizim. Shenjat janë optimiste, megjithatë një rrugë e gjatë është përpara.

Dikur kosovarët i besonin Ibrahim Rugovës e sot i besojnë Albin Kurtit.

Liderët, sidoqoftë, profetë nuk janë. Por, frymëzues për ndryshim, mund të jenë gjithnjë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco