Posti i presidentit: ka një rrugëdalje nga viti 2025...

Posti i presidentit: ka një rrugëdalje nga viti 2025...

Nga Enver Robelli - 18/03/2021

Partitë politike në Kosovë kanë dy rrugë: të gjejnë një gjuhë të përbashkët për të mundësuar zgjedhjen e kandidates apo kandidatit për president/e ose të vazhdojnë agoninë politike. Nëse partitë opozitare vazhdojnë sabotimin e procesit dhe rrezikojnë një kaos të ri politik, ndërkohë që gjendja në Kosovë po shkon drejt përkeqësimit për shkak të pandemisë, qytetaret dhe qytetarët këtë sjellje shtetrrënuese zor se do ta shpërblejnë. Kur kryetari në detyrë i PDK-së thotë se kandidatja e aleancës fituese na qenkësh "polarizuese", ai duhet pyetur: sa unifikues kanë qenë kandidatët që i ka imponuar PDK në postin e presidentit (për shembull H. Thaçi dhe B. Pacolli)?

Kur kryetari i LDK-së thotë se partia e tij "s'do të përkrahë kandidat partiak" për president, ai duhet pyetur: çka ishte H. Thaçi në vitin 2016 përveç se kandidat partiak kur i mori votat e LDK-së? Dhe a nuk i bllokoi LDK negociatat për qeverinë pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019 me kërkesën ultimative që "presidenti i takon LDK-së"? Apo nëse kandidati është i LDK-së, atëherë s'është partiak? 

Kush thotë A, duhet të thotë edhe B. Pra, s'mund të thuash e hedhim poshtë një kandidat apo kandidate dhe të mos propozosh alternativë: ku është kandidati i PDK-së për president? Ose i LDK-së? Ose: nëse vërtet këto dy parti duan të rrezikojnë që vendi të shkojë prapë në zgjedhje, rruga drejt fundosjes politike është e hapur, por dëmi do të jetë i pariparueshëm jo vetëm për këto parti, por edhe për besimin e njerëzve në shtet. Një rrugëdalje do të ishte kjo: partitë pajtohen që në 5 vitet e ardhshme të ndryshojnë Kushtetutën dhe të mundësojnë zgjedhjen direkte të presidentit nga populli. 

Ka plot shtete në Europë që e bëjnë këtë, në rajon janë: Mali i Zi, Maqedonia (e Veriut), Kroacia, Serbia, Sllovenia. Pse të jetë Kosova përjashtim (tok me Shqipërinë)? Atëherë, në pranverën e vitit 2025, çdo parti mund të nxjerrë në garë kandidatin apo kandidaten për presidente. Dhe fjalën e fundit le ta thotë populli. PDK ka një arsye më shumë të përkrahë këtë nismë: zgjedhja e presidentit nga populli ka qenë edhe kërkesë e H. Thaçit.

E ndoshta PDK më 2025 mund ta propozojë bash Thaçin për president. Atëherë zgjedhja e tij apo e kujtdo tjetër do të ishte rezultat i votës popullore dhe jo i lojërave, shantazheve e matematikave joparimore elektorale dhe postelektorale, ku posti i presidentit është vetëm një plaçkë më shumë. Por në pranverën e vitit 2021 dhe pas rezultatit të 14 shkurtit partitë opozitare është mirë që edhe për të mirën e tyre të mos ndikojnë në thellimin e krizës politike me pasoja të paparashikueshme.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco